Më 13 gusht 2001, në rezidencën presidenciale në Ohër, u nënshkrua Marrëveshja Kornizë – dokumenti që i dha fund konfliktit të armatosur dhe hapi rrugën për avancimin e të drejtave të shqiptarëve. Marrëveshja garantoi përdorimin zyrtar të gjuhës shqipe, përfaqësim proporcional, decentralizim dhe ndryshime kushtetuese për barazi etnike.
Në seancën solemne për 24-vjetorin, kryeministri Hristijan Mickoski tha: “Marrëveshja Kornizë e Ohrit 24 vjet më pas solli paqe. Solli stabilitet dhe siguroi ruajtjen e Maqedonisë unitare… Është dëshmi se Maqedonia mund të jetë shtëpi e të gjithë qytetarëve dhe se dallimet janë përparësia jonë… bashkë jemi më të fortë”. Ai shtoi: “Historia na mëson se atdheu nuk mbrohet me armë, ai mbrohet me besim, me respekt, me vizion”.
Lideri i BDI-së, Ali Ahmeti, theksoi: “24 vjet më parë, shqiptarë e maqedonas ia shtrinë dorën njëri tjetrit… Ndërtuam universitete, shkolla, spitale, infrastrukturë… drejtuam Kuvendin dhe të gjitha ministritë, duke kulminuar me Kryeministrin e parë shqiptar… Të gjitha të arriturat në 24 vitet e kaluara i bëmë bashkë, edhe me OBRM-PDUKM-në, edhe me LSDM-në, si dhe me miqtë tanë ndërkombëtarë”.
Kryetari i Kuvendit, Afrim Gashi, e cilësoi Marrëveshjen “një marrëveshje e cila jo vetëm që i dha fund një konflikti, por hapi rrugën për paqe, barazi dhe bashkëjetesë”, duke shtuar se ajo duhet të shndërrohet “në një standard praktik të barazisë, përfaqësimit dhe drejtësisë”.
Zëvendëskryeministri Izet Mexhiti tha se qeveria është e përkushtuar për barazi reale: “Pasojat e barazisë formale po i ndjejmë të gjithë sot… Gjykata Kushtetuese në një shtet multietnik nuk mbron vetëm rendin kushtetues formal, por edhe kohezionin shtetëror… Ajo duhet t’i interpretojë ligjet komform Kushtetutës dhe frymës së saj”. /Nistori/






