Midis jehonës dhe heshtjes: gratë në realitetin mediatik

    Shkruan: Dr. Marina Tuneva

    “Për herë të parë, e dëgjova veten si kandidate”, tha një nga pjesëmarrëset në një trajnim të paradokohshëm për paraqitje publike dhe komunikim politik për gratë që po konsiderojnë të kandidojnë në zgjedhjet lokale. Ajo nuk po fliste për teknikën e të folurit, por për ndjesinë se si tingëllon dhe si ndjehet kur flet me qëllim për t’u dëgjuar dhe për t’u marrë seriozisht.

    Gjithnjë e më shumë gra sot nuk janë më të kënaqura me rolin e mbështetëseve të heshtura në komunitetet e tyre. Ato po flasin me qëllim të qartë për të marrë pjesë në proceset e vendimmarrjes. Hyrja e tyre në politikë nuk është vetëm çështje numrash ose kuotash, por një proces i krijimit të dukshmërisë, ndërtimit të vetëbesimit dhe pushtimit të një hapësire që prej kohësh ka qenë privilegj i të tjerëve. Çdo grua që flet publikisht me një mesazh politik, qoftë në një platformë, në një paraqitje në media apo në një postim në mediat sociale, ndryshon narrativin për atë se kush ka të drejtë të dëgjohet dhe si duket lidershipi.

    Mu në ato kalime të vogla por thelbësore, nga “ndoshta një ditë” në “pse jo tani”, fillon tregimi serioz i pjesëmarrjes së grave në jetën publike dhe politike. Por kjo pjesëmarrje nuk varet vetëm nga vullneti ose ambicia personale. Varet edhe nga mjedisi të cilin e krijojnë mediat: si i portretizojnë gratë, sa hapësirë u japin atyre dhe nëse i amplifikojnë apo i shuajnë zërat e tyre.

    Edhe pse gratë po marrin gjithnjë e më shumë role aktive në sferën publike, përfaqësimi i tyre në media mbetet i kufizuar, si në aspektin sasior ashtu edhe në atë cilësor. Në përmbajtjet mediatike kushtuar politikës, burrat dominojnë si në numër ashtu edhe në frekuencë, veçanërisht gjatë fushatave zgjedhore. Megjithatë, këto shifra hapin një pyetje më të gjerë: jo vetëm nëse gratë janë të pranishme, por edhe në çfarë mënyre portretizohen ato.

    Prandaj, kjo analizë synon të kontribuojë në debatin më të gjerë jo vetëm se sa janë të pranishme gratë në media, por edhe se si portretizohen ato. Përmes shembujve dhe vëzhgimeve të zgjedhura, ajo prek mënyrat e përfaqësimit në media, por edhe dukuritë e dezinformimit dhe gjuhës së urrejtjes drejtuar grave në jetën publike. Qëllimi nuk është të ofrojë një pamje të plotë, por të hapë hapësirë për një lexim kritik të praktikave mediatike përmes një pyetjeje kyçe: A u japin media në vendin tonë hapësirë legjitime grave në politikë apo e kufizojnë fushëveprimin e tyre?

    Gratë në media – të pranishme në margjinat

    Pavarësisht pjesëmarrjes në rritje të grave në jetën publike, imazhi mediatik i politikaneve femra mbetet problematik, i kufizuar dhe i shtrembëruar. Nuk është vetëm çështje e numrit të pamjaftueshëm, por edhe e një kornizë prezantimi që i redukton gratë në role dytësore, shpesh duke i paraqitur ato përmes një filtri sensacionalist që thekson pamjen, emocionet ose jetën e tyre private, në vend të qëndrimeve, kompetencave dhe pozicioneve të tyre politike.

    Analiza ”Politikanet femra dhe paragjykimet mediatike“ nga Instituti për Studime të Komunikimit i kryer për periudhën mars-maj 2024 – nga afati zyrtar për dorëzimin e kandidaturave presidenciale deri në raundin e dytë të zgjedhjeve që përkoi me zgjedhjet parlamentare – tregon se gratë jo vetëm që janë të nënpërfaqësuara, por edhe kur janë të pranishme, prezenca e tyre shpesh trajtohet përmes prizmit të stereotipave gjinorë. Në vend që të analizohet programi i tyre politik, ato etiketohen si “simpatike”, “të pasigurta” ose “emocionale”, duke minuar kështu legjitimitetin e tyre dhe duke e reduktuar praninë e tyre në një dimension simbolik.

    Këto modele konfirmohen edhe në një tjetër hulumtim nga IKS, ”Gjuha e urrejtjes me bazë gjinore gjatë zgjedhjeve presidenciale të vitit 2024“, ku është regjistruar një praktikë shqetësuese e diskualifikimit të kandidateve femra përmes narrativave seksiste dhe moshore. Kandidatja Gordana Siljanovska – Davkova ishte veçanërisht në shënjestër dhe shpesh u ofendua përmes termit “Baba Goga” (Gjyshja Goga), i pranishëm në një numër të madh komentesh në Facebook. Ky formulim synonte të banalizonte rolin e saj në politikë, të shpërqendronte vëmendjen nga programi i saj dhe ta kthente kandidaturën e saj në një objekt talljeje, bazuar në moshën dhe gjininë e saj.

    Kjo praktikë nuk është e izoluar. Sipas Аnalizës së Fondacionit Uestminster për Demokraci, edhe në komunikimin e partive të tyre, gratë shpesh portretizohen përmes prizmit të rolit të tyre familjar ose pamjes fizike, në vend që të jenë të pranishme përmes dijenisë, përvojës dhe ekspertizës së tyre politike. Në këtë mënyrë, stereotipat ekzistues ruhen dhe procesi i fuqizimit të tyre të plotë politik parandalohet. Përveç kësaj, retorika zgjedhore dhe raportimi mediatik janë ende të ngarkuara me mungesë ndjeshmërie gjinore, jo vetëm në gjuhë, por edhe në thelbin e mesazheve që ato dërgojnë. Gjatë kësaj, shpesh riciklohen qëndrimet diskriminuese nga udhëheqësit e partive, të cilat mbeten të transmetuara në mënyrë jokritike në media. Analiza gjithashtu tregon se kur gratë përfshihen në fushata, kjo rrallë bëhet me qëllim të promovimit të barazisë gjinore. Shumë më shpesh është një përfaqësim deklarativ ose simbolik, pa angazhim të konsiderueshëm ose një plan strategjik për përfshirjen e tyre në proceset e vendimmarrjes.

    Të njëjtat tendenca përsëriten edhe në analizën e Transparency International – Maqedoni  „Zëri i padëgjuar: Përfaqësimi mediatik i ministreve femra në Maqedoninë e Veriut (korrik-dhjetor 2024)“. Pavarësisht zgjedhjes së presidentes së parë femër, disbalancimi gjinor në mbulimin mediatik të ministreve femra mbetet i thellë. Nga 133.000 raportet mediatike dhe 11.000 postimet në mediat sociale të analizuara, deri në 90% e përmendjeve u referohen ministrave meshkuj dhe vetëm 10% grave, edhe pse ministret femra përbëjnë 12,5% të qeverisë. Gratë lidhen ekskluzivisht me dikasteret “tradicionalisht femërore”, mirëpo edhe atje, burrat marrin më shumë vëmendje mediatike. Në mediat sociale, ministret femra gjenerojnë interaksione më të larta, por kryesisht sepse dukshmëria e tyre ende perceptohet si një “përjashtim”. Gratë nuk mungojnë, mirëpo ato janë sistematikisht “të pavërejtura”. Ky trajtim, pa emra, pa fytyra dhe citime, pengon krijimin e autoritetit politik femëror dhe legjitimitetit publik afatgjatë.

    Plagë të padukshme: gratë nën peshën e urrejtjes virtuale

    Gratë që shfaqen në politikë dhe media nuk janë në shënjestër vetëm për idetë e tyre, por edhe për vetë praninë e tyre. Kur gratë zënë pozicione autoriteti, dukshmëria e tyre përjetohet si një provokim ose shkelje e normës. Në vend që të analizohen pikëpamjet ose rezultatet e tyre, gratë përballen me fyerje bazuar në pamjen, moshën, gjininë ose mënyrën e komunikimit.

    Këto sulme nuk janë të rastësishme, ato janë pjesë e një kulture më të thellë të degradimit digjital sistemik të grave që flasin, vendosin ose janë të pranishme publikisht. Hulumtimet nga Instituti për Studime të Komunikimit dhe Transparency International – Maqedoni tregojnë se kandidatet gra për zgjedhjet e vitit 2024 ishin hiper-të dukshme jo për shkak të politikave të tyre, por si shënjestra të sulmeve seksiste dhe digjitale. Zëshmëria e tyre publik u trajtua si shkelje e “hapësirës politike mashkullore”, diçka që duhet të “sanksionohet” me ironi, urrejtje dhe dezinformim.

    Kjo nuk vlen vetëm për ciklet zgjedhore. Rasti i ish-ministres së Mbrojtjes, Sllavjanka Petrovska, është ilustrues: ajo iu nënshtrua një fushate të koordinuar onlajn me fyerje dhe ngacmime për muaj të tërë. Politikat e saja u injoruan plotësisht dhe sulmet u përqendruan në pamjen, gjininë dhe “papërshtatshmërinë” e saj për të drejtuar një dikaster sigurie.

    Pasojat janë të thella. Forma të tilla të dhunës digjitale minojnë lirinë e shprehjes, krijojnë një atmosferë frike dhe autocensure dhe i dekurajojnë drejtpërdrejt gratë nga angazhimi politik dhe publik. Sulmet më shpesh përdorin manipulim emocional, kërcënime dhe informacione të fabrikuara, gjë që rezulton në uljen e besimit publik dhe rritjen e cenueshmërisë së grave që janë të zëshme.

    Kur heshtin institucionet, flasin kërcënimet

    Sfera publike ende nuk është një fushë loje e barabartë për gratë, qofshin ato politikane, aktiviste apo gazetare. Çdo grua që mban publikisht një qëndrim, ngrit pyetje në lidhje me barazinë gjinore ose vëzhgon në mënyrë kritike institucionet e pushtetit, rrezikon të bëhet shënjestër. Një ilustrim i fuqishëm i kësaj është shembulli i ekipit të Laboratorit të Gazetarisë Hulumtuese (IRL), i cili përfshin gazetare dhe aktiviste femra, të cilat janë vazhdimisht në shënjestër të gjuhës së urrejtjes në internet dhe thirrjeve për dhunë për shkak të punës së tyre hulumtuese mbi tema të ndjeshme dhe të rëndësishme për publikun.

    Portretizimi mediatik i grave në politikë nuk mund të trajtohet i izoluar. Pas titujve dhe stereotipave sensacionaliste qëndron një sistem më i gjerë i degradimit të zërit femëror, një sistem të cilin e ndjejnë jo vetëm nga ato që zgjidhen, por edhe ato që raportojnë.  Siç thekson ekspertja Tatjana Hillsher-Bogusheviç, kur gratë portretizohen në mënyrë të stereotipizuar ose përjashtohen nga raportimi mediatik, krijohet një perceptim se politika nuk është një hapësirë për gratë, gjë që ndikon drejtpërdrejt te votuesit dhe gatishmëria e tyre për të mbështetur një kandidate femër.

    Gazetaret, të cilat supozohet të jenë rojtare e së vërtetës dhe zëri i publikut, po bëhen gjithnjë e më shumë cak i sulmeve që nuk kanë të bëjnë fare me cilësinë e punës së tyre. Në vend të kritikave të arsyetuara të metodologjisë apo përmbajtjes, ato sulmohen thjesht sepse janë gra që flasin hapur. Ndërsa zëri bëhet një pozicion për gratë në politikë, ashtu bëhet edhe për ato që ofrojnë informacion, të nënshtruara ndaj kërcënimit të vazhdueshëm të fyerjeve, diskreditimit dhe frikësimit.

    Edhe pse mungon një pamje gjithëpërfshirëse e sulmeve mbi bazë gjinore ndaj gazetareve, dëshmitë individuale dhe paraqitjet në shoqatat profesionale të gazetarisë tregojnë një vazhdimësi të komenteve seksiste, nënçmimit dhe ngacmimit digjital, thjesht sepse ato janë gra. Sipas botimit të SHGM-së “Siguria e gazetarëve dhe punonjësve të medias – realitet apo ndëshkim i vazhdueshëm“, gratë në media janë veçanërisht të ekspozuara ndaj ngacmimit onlajn mbi bazë gjinore, që synon frikësimin, diskreditimin dhe izolimin e tyre nga sfera publike. Këto forma të agresionit digjital shpesh tejkalojnë kufijtë e hapësirës personale dhe ndikojnë në sigurinë, gjendjen psikologjike dhe motivimin e tyre profesional. E gjithë kjo ndodh në një sistem mediatik që rrallë i njeh ose raporton incidentet e tilla. Heshtja institucionale krijon një atmosferë pandëshkueshmërie, ku kërcënimet dhe fyerjet jo vetëm që nuk sanksionohen, por bëhen një gjendje e normalizuar.

    Në vitin 2024, SHGM ka regjistruar katër raste kërcënimesh dhe sulmesh serioze ndaj gazetarëve dhe punonjëseve të medias. Veçanërisht alarmante janë rastet e gazetareve Lepa Xhundeva, Mirosllava Simonovska dhe Rita Behadini, përvojat e të cilave, nga fushatat e organizuara në internet dhe mbikëqyrja e paautorizuar, e deri te kërcënimet eksplicite për dhunë seksuale dhe fizike, dëshmojnë për intensitetin dhe specifikën gjinore të këtyre sulmeve. Xhundeva ishte shënjestër e shpifjes së organizuar digjitale të shoqëruar me fyerje dhe thirrje për dhunë, ndërsa Simonovska u filmua fshehurazi, dhe videoja u shpërnda në media pa pëlqimin e saj. Edhe pse rasti i gazetares Rita Behadini nuk është ndër incidentet e regjistruara zyrtarisht për vitin 2024, ai ende mbetet aktual për shkak të ashpërsisë dhe natyrës së tij të bazuar në gjini. Në vitin 2023, Behadini ishte shënjestër e kërcënimeve eksplicite për dhunë seksuale dhe fizike përmes Facebook-ut, të drejtuara edhe ndaj familjes së saj, në reagim ndaj qëndrimit të saj publik në lidhje me një deklaratë nga një udhëheqës fetar. Rasti është raportuar në Ministrinë e Punëve të Brendshme dhe është në procedurë gjyqësore, nën monitorim të vazhdueshëm nga SHGM.

    Kjo heshtje është veçanërisht e rrezikshme. Jo vetëm që i shtyn gratë jashtë sferës publike, por edhe minon vetë rendin demokratik. Kur gazetaret femra detyrohen të vetëcensurohen ose të tërhiqen nga diskursi publik, zvogëlohet shumëllojshmëria e zërave, temave dhe perspektivave në media. Ato nuk janë vetëm viktima, ato janë (dhe duhet të jenë) rojtare të transparencës, llogaridhënies dhe interesit publik. Në një ekosistem mediatik ku zëri bëhet pozicion, gazetaret femra janë ndër më të ekspozuarat dhe më të cenueshmet. Kjo ndodh sepse identitetet e tyre profesionale dhe gjinore mbivendosen në një pikë të dukshmërisë së lartë publike, ndërsa në të njëjtën kohë u mungon mbrojtja institucionale. Kur një gazetare sulmohet thjesht sepse hulumtimi i saj prek interesa të fuqishme dhe etiketohet si një “grua e frustruar” ose “e paedukatë”, nuk është vetëm një fyerje personale, është një përpjekje për të shtypur dhe fshirë qëllimisht zërin e saj nga sfera publike. Reagimi i Platformës për Barazi Gjinore në periudhën parazgjedhore të vitit 2024 e konfirmon më tej këtë tendencë. Deklarata e tyre paralajmëroi për rritjen e gjuhës së urrejtjes dhe sulmeve mizogjine ndaj grave që janë figura publike ose kandidate.

    Prandaj, kjo dukuri nuk duhet të trajtohet si dytësore ose personale, por si çështje me interes publik, që lidhet me lirinë e shprehjes, përgjegjësinë e institucioneve dhe barazinë thelbësore në një shoqëri demokratike.

    Algoritmi nuk është neutral: Inteligjenca Artificiale dhe diskriminimi digjital i zërave të grave

    Edhe pse sistemi i medias digjitale paraqitet si i hapur, dinamik dhe i barabartë për të gjithë, realiteti është shumë më kompleks. Dukshmëria e një pjese të caktuar të përmbajtjes nuk varet nga rëndësia e saj, por nga mënyra se si algoritmi e përpunon atë. Ky algoritëm, i pozicionuar si një filtër midis përdoruesit dhe botës së informacionit, luan një rol kyç në atë se cili zë do të shfaqet dhe në çfarë konteksti.

    Platformat si Facebook, YouTube, TikTok dhe X drejtohen nga algoritme që nuk e vlerësojnë përmbajtjen sipas thelbit të saj, por më tepër sipas potencialit së saj për të gjeneruar një reagim. Postimet që provokojnë mllef, tronditje ose përçarje kanë përparësi mbi ato që ofrojnë fakte, analiza ose dialog konstruktiv. Kështu, angazhimi (engagement) bëhet më i rëndësishëm se e vërteta, dhe dukshmëria bëhet një shpërblim për provokimin, jo për kompetencën.

    Në këtë mjedis, gratë që flasin aktivisht në publik, qofshin ato politikane, gazetare apo aktiviste, nuk trajtohen nga algoritmet si burime të opinionit relevant, por si përmbajtje që “shkakton reagim”. Ato shpesh bëhen shënjestër e komenteve negative dhe sulmeve të koordinuara jo vetëm për shkak të qëndrimeve që i kanë, por sepse prania e tyre e zëshme e prish heshtjen e pritur të hapësirës digjitale dominuese mashkullore.

    Algoritmet e njohin këtë ankth si një angazhim të vlefshëm dhe e shpërblejnë atë. Në këtë mënyrë, krijohet një hierarki e shtrembëruar e dukshmërisë në të cilën gratë bëhen “virale” jo kur janë eksperte, por kur sulmohen. Kontributi i tyre humbet nën barrën e ironisë, degradimit dhe gjuhës së urrejtjes. Në vend që të krijojnë hapësirë për pluralizëm, algoritmet përforcojnë çekuilibrin ekzistues.

    Megjithëse paraqiten teknikisht si neutrale, algoritmet në praktikë riprodhojnë paragjykimin sistemik që ekziston tashmë në shoqëri. Gratë në politikë dhe media, edhe kur marrin hapësirë mediatike, shpesh portretizohen përmes stereotipave dhe diskualifikimeve. Algoritmet nuk e ndryshojnë atë narrativë; përkundrazi, ato e përforcojnë, përhapin dhe normalizojnë atë.

    Me shfaqjen e inteligjencës artificiale gjeneruese, këto rreziqe përkeqësohen. Mjetet e reja mund të krijojnë tekste, foto, video dhe regjistrime audio që duken reale, por janë plotësisht të sajuara. Kjo hap derën për manipulim digjital edhe më të thellë. Videot ‘deepfake’ ose deklaratat e sajuara mund të përdoren lehtësisht për të diskredituar, veçanërisht gratë, prania digjitale e të cilave tashmë trajtohet si “kontroverse”. Në kontekstin e kulturës ekzistuese të dyshimit dhe nënçmimit, këto teknologji përbëjnë një kërcënim të drejtpërdrejtë për dinjitetin, sigurinë dhe besueshmërinë e grave në hapësirën publike.

    Në përgjigje të këtyre sfidave, në maj të këtij viti, Këshilli i Etikës në Mediat e Maqedonisë miratoi  Deklaratën mbi përdorimin etik dhe të përgjegjshëm të inteligjencës artificiale në media. Ky dokument përfaqëson përpjekjen e parë sistematike për të përcaktuar një kornizë parimesh që mbrojnë interesin publik, të drejtat e njeriut dhe dinjitetin e individit në kohë transformimi teknologjik. Deklarata thekson se përdorimi i mjeteve të bazuara në inteligjencën artificiale duhet të jetë transparent, nën kontrollin e redaktorëve dhe gazetarëve, dhe nuk duhet të rezultojë në përmbajtje që shkakton diskriminim, degradim ose ngacmim.

    Kjo nismë përputhet me trendin global të vendosjes së standardeve etike dhe rregullatore në fushën e inteligjencës artificiale. Në vitin 2021, UNESCO miratoi Rekomandimin mbi përdorimin etik të inteligjencës artificiale, i cili thekson çështjen e barazisë gjinore si një nga shtyllat e një të ardhmeje teknologjike të qëndrueshme dhe të drejtë. Në vitin 2024, Bashkimi Evropian miratoi Ligjin për Inteligjencën Artificiale, aktin e parë ligjërisht të detyrueshëm të këtij lloji, i cili trajton median, zgjedhjet dhe komunikimin politik si zona me rrezik të lartë që kërkojnë mbrojtje të veçantë. Në të njëjtin vit, Këshilli i Evropës miratoi Konventën kornizë mbi inteligjencën artificiale dhe të drejtat e njeriut, e cila kërkon në mënyrë të qartë që çdo teknologji e inteligjencës artificiale të zhvillohet me respekt të integruar për demokracinë, mosdiskriminimin dhe transparencën.

    Në Republikën e Maqedonisë së Veriut, aktualisht nuk ka një kornizë ligjore që ofron mbrojtje kundër keqpërdorimit të inteligjencës artificiale, veçanërisht në një kontekst ku gratë janë shënjestra më e zakonshme.

    Ky realitet i ri digjital hap nevojën për një qasje të ndryshme, e cila nuk do të jetë e pjesshme, por ndërsektoriale. Pyetjet që lindin nuk janë teknike, por në thelb sociale: si të sigurohet barazia në një hapësirë ku zëri bëhet dukshmëri, e dukshmëria bëhet fuqi. Ajo që krijojnë algoritmet sot do të bëhet realiteti mediatik i së nesërmes që do të përcaktojë se kush do të jetë i dëgjuar, i shikuar dhe i mbrojtur.

    Pa njohur në mënyrë aktive format e reja të diskriminimit digjital dhe pa përfshirë një perspektivë të barazisë gjinore në politika, legjislaturë dhe arsim, ekziston rreziku që hapësira digjitale jo vetëm të riprodhojë, por edhe të thellojë pabarazitë ekzistuese. Dhe një hapësirë që e pranon këtë nuk mund të quhet demokratike.

    Ndryshimi nuk ndodh vetvetiu dhe nuk i përket një sektori të vetëm

    Në vitet që lamë pas, shumë gjëra kanë ndryshuar, por pyetja thelbësore mbetet: a po ndërtojmë një realitet mediatik dhe shoqëror në të cilin zërat e grave dëgjohen jo sepse ato janë një përjashtim, por sepse ato janë një pjesë e barabartë e diskursit publik? Përgjigja nuk qëndron vetëm në media, as vetëm në institucione. Ajo qëndron në mënyrën se si shoqëria në tërësi vendos të përballet me pabarazinë gjinore dhe ta adresojë atë përmes veprimeve të përbashkëta.

    Sot, po dëshmojmë një numër në rritje të shenjave të rezistencës dhe angazhimit: redaksi që refuzojnë të reduktojnë dukshmërinë e grave në pamje ose moshë, iniciativa edukative që forcojnë kapacitetet e gazetareve dhe gazetarëve të rinj, analiza që dokumentojnë format e gjuhës së urrejtjes, veçanërisht gjatë cikleve zgjedhore, si dhe aksione qytetare që kërkojnë llogaridhënie nga platformat, trupat rregullatorë dhe institucionet publike. Situata është komplekse, me përpjekje të ndryshme për të bërë një ndryshim, të cilat nuk janë gjithmonë të koordinuara, por të gjitha lëvizin drejt të njëjtit qëllim, për të krijuar një hapësirë publike ku gratë nuk duhet të dëshmojnë të drejtën e tyre për të folur, por përkundrazi kjo e drejtë njihet, mbrohet dhe mbështetet.

    Në këtë proces, shoqëria civile luan një rol kyç. Ky sektor është shpesh i vetmi që reagon kur institucionet heshtin. Nga monitorimi i dhunës mbi bazë gjinore në media, deri te trajnimi i grave dhe programet për të rinj mbi leximin kritik mediatik, po ndërtohet gjithnjë e më shumë një mjedis në të cilin barazia gjinore trajtohet si një pjesë e rëndësishme e demokracisë.

    Por kjo nuk mund të jetë përgjegjësi vetëm e një sektori. Po bëhet e qartë se nevojitet një bashkëpunim afatgjatë dhe i organizuar që do të lidhë mediat, teknologjinë, politikën, arsimin dhe sektorin e shoqërisë civile. Kjo është e rëndësishme sepse algoritmet, dezinformimi dhe gjuha e urrejtjes sulmojnë më të cenueshmit, pa respektuar kufijtë institucionale.

    Prandaj duhet të jetë e qartë: çdo nismë, qoftë ajo që buron nga një organ rregullator, një media, një organizatë qytetare, një program universitar apo një individ, është pjesë thelbësore e lëvizjes më të gjerë për drejtësi digjitale dhe barazi gjinore. Kjo analizë nuk përpiqet t’i veçojë ose t’i rendisë ato. Përkundrazi, ajo njeh përpjekjen e përbashkët, pavarësisht se sa ajo duket e qetë apo e vogël, që funksionon për të ndërtuar një hapësirë ku zërat e grave janë një pjesë e pashmangshme e komunikimit publik dhe strukturës demokratike. Ndryshimi i vërtetë nuk vjen nga një përpjekje e izoluar, por nga një qasje ndërsektoriale dhe ndërseksionale që lidh të gjithë ata që luftojnë për dukshmërinë, dinjitetin dhe mbrojtjen e grave, institucioneve, organizatave, medias dhe individëve. Vetëm atëherë kur secili prej këtyre zërave do të dëgjohet, mbështetet dhe njihet, mund të flasim për një transformim që nuk është vetëm i mundur, por edhe i nevojshëm. Mu në këtë kryqëzim i sektorëve dhe perspektivave bazohen rekomandimet që vijojnë.

    Zëri nuk duhet të jetë përjashtim, por rregull

    Nëse kjo analizë zbulon diçka, ajo është se mënyra se si trajtohen gratë në diskursin publik nuk është vetëm një çështje mediatike ose politike, por një çështje thelbësore e demokracisë. Dukshmëria nuk është një privilegj, por një parakusht për pjesëmarrje të barabartë. Dhe pikërisht kjo është arsyeja pse ndryshimi nuk duhet të kërkohet vetëm në numra, por në mënyrën se si portretizohen gratë, çfarë storie tregohen, çfarë vendimesh merren në redaksi dhe institucione, dhe si algoritmet formësojnë realitetin tonë informativ.

    Që zërat e grave të bëhen pjesë e normës dhe jo një përjashtim i toleruar, është e nevojshme të njihen, të lidhen dhe të mbështeten të gjitha iniciativat, idetë dhe përpjekjet ekzistuese për ndryshim në media, institucione dhe shoqëri civile, dhe të krijohet hapësirë për të reja.

    Hapi i parë dhe më i rëndësishëm është të investohet në arsim që zhvillon ndjeshmërinë gjinore dhe etikën mediatike. Punëtoritë, trajnimet dhe diskutimet e organizuara nga komuniteti profesional i medias, mediat dhe organizatat e shoqërisë civile nuk duhet të jenë aktivitete anësore, por pjesë e një strategjie afatgjatë. Ato forcojnë vetërregullimin, ndryshojnë gjuhën dhe prezantojnë politika të reja redaktuese që e bëjnë praninë e grave normë, jo përjashtim. Në këtë ekosistem ndryshimi, roli i rregullatorit të medias dhe shoqatave profesionale është veçanërisht i rëndësishëm. Mbështetja e stafit redaktues, zhvillimi i treguesve të ndjeshëm ndaj gjinisë, krijimi i udhëzimeve të qarta për monitorimin e gjuhës dhe narrativave, dhe nxitja e bashkëpunimit me median janë hapa kyç për progres. Këto aktivitete nuk nënkuptojnë vetëm mbikëqyrje, por edhe partneritet, lidership dhe mbështetje afatgjatë.

    Sektori i shoqërisë civile mbetet një nxitës i rëndësishëm i ndryshimit, me praktika që ofrojnë inovacion, mbikëqyrje të pavarur dhe përgjigje ndaj padrejtësive. Përmes iniciativave të arsimimit mediatik, trajnimit për gratë dhe të rinjtë, monitorimit të gjuhës së përdorur gjatë zgjedhjeve, mbështetjes së gazetareve femra dhe projekteve që dokumentojnë format e diskriminimit dhe dhunës digjitale, ky sektor krijon një kontekst në të cilin barazia gjinore bëhet pjesë integrale e veprimit demokratik, e jo retorikë dekorative. Që këto procese të jenë të qëndrueshme, nevojitet mbështetje institucionale afatgjatë dhe një njohje e qartë e vlerës së tyre për shoqërinë në tërësi.

    Përballja me sfidat e inteligjencës artificiale dhe formave të reja të diskriminimit digjital kërkon përgjigje të bashkërenditura dhe të koordinuara. Bashkëpunimi ndërsektorial është i nevojshëm për të krijuar mekanizma të përbashkët mbrojtës që do ta vendosin dinjitetin e grave në qendër të politikave digjitale. Për këtë qëllim, janë të nevojshme masa strategjike dhe gjithëpërfshirëse, nga legjislaturat e deri te mjetet edukative, që do të ballafaqohen me prioritetet e algoritmeve, do të kufizojnë dhunën virtuale dhe do të njohin format e reja të dezinformimit.

    Dhe më e rëndësishmja, gratë që përballen me pasojat e diskursit publik të shtrembëruar çdo ditë duhet të jenë në zemër të çdo strategjie, legjislature apo reforme mediatike. Politikanet, gazetaret dhe aktivistet gra nuk duhet të trajtohen si bashkëbiseduese simbolike ose nënshkruese formale të një dokumenti, por si bartëse të njohurive, përvojës dhe zgjidhjeve. Pjesëmarrja e tyre nuk është një shtesë, por një parakusht për efektivitetin e çdo politike që aspiron të jetë e drejtë, e qëndrueshme dhe e zbatueshme në jetën reale.

    Këto rekomandime nuk janë receta, e as zgjidhje të gatshme. Ato janë një thirrje për veprim të përbashkët, në media, institucione, shoqëri civile dhe komunitetin teknologjik, për të ndërtuar një hapësirë publike ku zërat e grave nuk mbrohet, por nëkuptohet. Vetëm atëherë mund të flasim për një realitet mediatik që jo vetëm informon, por i shërben demokracisë. /IMA/

    (Autorja është profesore e shkencave të komunikimit dhe eksperte e etikës mediatike, barazisë gjinore dhe raportimit të përgjegjshëm në media)

    Lajmi Paraprak

    Gjermani, a do të futet shërbimi ushtarak me detyrim?

    Lajmi i rradhës

    Inxhinierët e RMV: faturat paushalle të energjisë elektrike në duart e Gjykatës Kushtetuese

    Lajme tjera

    Bashkohu

    Informohu në kohë