Pas publikimit të një komunikate nga BDI, ku kërkohet dorëheqja e menjëhershme e disa drejtuesve të institucioneve kulturore shqiptare, ka ardhur reagimi i menjëhershëm i koalicionit VLEN, shkruan Nistori.
BDI akuzon tre drejtues kulturorë për skandale, nepotizëm dhe dështime në menaxhimin e institucioneve. Në komunikatën e Sekretariatit për Kulturë të kësaj partie, kërkohet dorëheqja e:
- Drejtorit të Teatrit të Gostivarit, i cili sipas BDI-së, është “kapur publikisht duke punësuar djalin e tij me kontratë për përkthime në institucionin që ai udhëheq”, duke e quajtur këtë “abuzim flagrant me funksionin publik”.
- Drejtorit të Teatrit të Tetovës, të cilin e akuzojnë se “nuk ka kontribuar në ndërtimin e objektit të teatrit dhe bibliotekës së re, përkundrazi ka ulur buxhetin për ndërtimin e objektit për 500%”, si dhe për “dështim total në programin artistik” dhe për “tradhti ndaj publikut dhe artistëve”.
- Drejtorit të Ansamblit të Këngëve dhe Valleve Shqipe, i cili sipas tyre “ka shkatërruar funksionalitetin e institucionit, nuk ka arritur të kompletojë trupën dhe nuk ka realizuar programin vjetor”, duke ushtruar “presione dhe mobing ndaj të punësuarve”.
“Këta drejtues kanë kapitulluar përballë përgjegjësive, kanë treguar paaftësi të thellë dhe kanë tradhtuar misionin e institucioneve që udhëheqin. Ata përfaqësojnë një model degradimi, nepotizmi dhe dështimi që nuk ka vend në kulturën shqiptare. Kërkojmë dorëheqjen e tyre të menjëhershme. Çdo ditë që ata mbeten në poste është një ditë turpi, një ditë më shumë shkatërrim për artin dhe kulturën shqiptare”, thuhet në reagimin e BDI-së.
Ndërkohë, VLEN iu kundërpërgjigj menjëherë akuzave, duke e kthyer vëmendjen tek keqpërdorimet që, sipas tyre, i përkasin qeverisjes shumëvjeçare të BDI-së.
Nga VLEN thonë:
“Ata që sot duan të japin ‘mësime’ për kulturën, janë pikërisht ata që për 22 vite mashtruan shqiptarët me Bibliotekën dhe Teatrin e Tetovës. Ish-zyrtarë të BDI-së kanë manipuluar dokumente dhe procedura për marrëveshje publike, duke keqpërdorur detyrën zyrtare dhe përfituar mbi 13 milionë euro nga ndërtimi i këtyre institucioneve, një tradhti e rëndë ndaj interesit kombëtar.”
VLEN thekson se me ardhjen e tyre në qeveri janë shënuar arritje të prekshme në kulturën shqiptare:
“U zgjidh problemi i shumëvjeçar i punësimit të anëtarëve të Ansamblit Shqiptar, të lënë në harresë nga BDI. Për herë të parë, një shqiptar udhëheq Filharmoninë e Maqedonisë së Veriut. Në kohën tonë, kur ata nuk e kishin bërë për dekada, u themelua Teatri i Gostivarit, duke hapur dyert për artistët shqiptarë. Për herë te parë janë marrë qindra vendime te përhershme pune në çdo institucion kulturor duke garantuar siguri dhe dinjitet për punëtoret dhe artistet shqiptar.”
Sipas tyre, kultura nuk duhet të përdoret për propagandë:
“Kultura nuk është propagandë, as fasadë për të mbuluar vjedhjet dhe abuzimet. Kultura është identitet, është dinjitet, është trashëgimi! VLEN do të vazhdojë të mbrojë interesin kombëtar në kulturë, duke i kthyer shqiptarëve atë që u është mohuar për dy dekada. Mashtrimet e BDI-së kanë marrë fund, ka nisur epoka e kulturës së vërtetë shqiptare”, përfundon reagimi i tyre.
Ndaj BDI-së ka reaguar regjisori dhe njëherit drejtor në teatrin e Gostivarit, Sulejman Rushitit, si dhe drejtori i teatrit të Tetovës, Hasim Memishi. /Nistori/






