Inflacioni rritet, racioni për studentët në RMV nuk ndryshon!

    Subvencionimi i racionit ushqimor për studentët ka mbetur i pandryshuar tashmë dy vite me radhë. Ndërkohë që çmimet në treg vazhdojnë të rriten dhe shporta e konsumit është bërë më e shtrenjtë, studentët nga viti 2023 marrin vetëm 140 denarë për një vakt të përditshëm. Ky nivel, i pandryshuar përballë inflacionit, ka bërë që vlera reale e ushqimit të subvencionuar të ulet dukshëm. Herën e fundit, racioni u rrit në vitin 2023, kur shuma u rrit nga 120 në 140 denarë. Që atëherë, megjithëse inflacioni ka qenë i qëndrueshëm rreth 3-3.5 për qind deri tani, shuma nuk është korrigjuar.

    Sipas të dhënave të Entit Shtetëror të Statistikave (ESHS), inflacioni në vitin 2024 ishte 3.5 për qind, ndërsa Fondi Monetar Ndërkombëtar dhe Banka Popullore parashikojnë që në vitin 2025 kjo normë të jetë mes tre për qind dhe 3.4 për qind. Nëse këto shifra përllogariten, atëherë në vitin 2026 racioni studentor do të duhej të arrinte në 150 denarë.

    Nga Parlamenti Studentor kërkojnë që në buxhetin e vitit 2026 të parashikohen mjete shtesë për të rritur subvencionin me 10 denarë apo edhe më shumë. Nga atje thanë se kjo është një kërkesë e ligjshme dhe në përputhje me nevojat reale të studentëve:

    “Sipas Ligjit, si trup nacional studentor që përfaqëson të gjithë studentët në këtë shtet, kërkojmë që gjatë planifikimit dhe para miratimit të buxhetit të shtetit 2026 të parashikohen mjete për rritjen e shumës nga 140 në 150 denarë”, theksoi Parlamenti Studentor, duke shtuar se kjo nuk është kërkesë për privilegj, por një hap i domosdoshëm për të ruajtur vlerën reale të racionit studentor. Nga atje sqaruan implikimet financiare të kësaj rritjeje, për rreth 30 mijë studentë përfitues gjatë 9 muajve të vitit, nevojiten 70.2 milionë denarë shtesë nga buxheti ose mbi 1.1 milion euro.

    Kërkesa është dorëzuar zyrtarisht në Ministrinë e Arsimit dhe Shkencës (MASH). Ministrja Vesna Janevska deklaroi se do të përpiqen ta përfshijnë këtë rritje në planifikimin e vitit të ardhshëm, edhe pse nuk dha garanci të plotë. “Mendoj se mund të flasim për këtë çështje dhe të gjejmë zgjidhje, por në këtë moment nuk mund të premtoj sepse buxheti i Ministrisë varet nga buxheti i shtetit. Megjithatë, do të angazhohem që të bëhet e mundur në vitin e ardhshëm, sepse besoj se studentët duhet të kenë kushte më të mira për të mësuar”, tha Janevska.

    Ndër të tjera, sipas nenit 2, paragrafi 1 të Ligjit për subvencionimin e racionit ushqimor, kjo shumë duhet të korrigjohet çdo vit në bazë të normës së inflacionit, përpara miratimit të buxhetit të ri. Duke marrë parasysh këtë dispozitë, rritja e subvencionit nuk përfaqëson një kërkesë shtesë nga studentët, por një detyrim ligjor dhe një hap të domosdoshëm për të siguruar që racioni studentor të mbajë vlerën reale në kushte të rritjes së kostove të jetesës. /Koha/

    Lajmi Paraprak

    Çfarë duhet të bëni kur rrobat e bardha marrin ngjyrë?!

    Lajmi i rradhës

    Tranzicioni energjetik në RMV përballet me sfida, pengesa edhe te largpërçuesi me Shqipërinë

    Lajme tjera

    Bashkohu

    Informohu në kohë