Bajram Rexhepi, kandidat për kryetar në Komunën e Tetovës nga rradhët e AKI-së, ka deklaruar gjatë një konferencë për media se ndërtimi i bulevardit “Boris Kidriç” po realizohet pa leje ndërtimi, shkruan Nistori.
“Ky është një veprim i kundërligjshëm dhe një vepër penale sipas nenit 244a të Ligjit për Ndërtim. Ftojmë organet kompetente, Prokurorinë dhe Inspektoratin Shtetëror të Ndërtimit, të veprojnë menjëherë dhe të konstatojnë këto vepra të kundërligjshme. Apelojmë që Komuna e Tetovës të ndalojë punët ndërtimore, sepse administrata e re komunale nuk do ta vazhdojë këtë projekt në këtë formë. Tetova meriton bulevarde të ndërtuara sipas të gjitha standardeve, me shtigje të gjëra për këmbësorë, gjelbërim dhe siguri për qytetarët. Improvizimet dhe keqpërdorimet do të marrin fund. Në Tetovë do të ndërtohet me planifikim, ligj dhe në funksion të qytetarëve!”, tha Rexhepi.
Nga ana tjetër, Komuna e Tetovës ka reaguar duke demantuar deklaratat e Rexhepit, duke i vlerësuar gënjeshtra dhe propagandë politike.
Në një komunikatë publike thonë:
“Kandidati nga rradhët e AKI-së, Bajram Rexhepi, sot në një konferencë ka theksuar se rruga ‘Boris Kidriç’ nuk ka leje ndërtimi. Komuna e Tetovës e demanton këtë lajm, pasi për rrugën në fjalë ka leje ndërtimi dhe të gjitha procedurat paraprake, duke ia bashkangjitur edhe vendimin e këshillit. Kjo press konferencë është një dështim nga ana e kandidatit, pasi në mungesë të programit dhe vizionit të tij politik, Bajram Rexhepi shëtitet “jerrëm” rrugëve të qytetit vetëm e vetëm për t’u shfaqur para mediave! Ju bëjmë thirrje qytetarëve që të mos bien pre e propagandës politike. Gjithashtu, kërkojmë nga kandidati të kërkojë falje, në të kundërtën do të ketë padi për shpifje.”
Ndryshe, ky bulevard është dashur të përfundojë për 120 ditë, duke nisur nga 25 dhjetori 2024, por punët në ende nuk janë mbyllur. Kryetari i komunës së Tetovës thotë se është dështim i kompanisë dhe ka kërkuar që komuna të merr masa. /Nistori/






