Emri i dorasit që dje në Veles kreu vrasjen e dyfishtë e më pas vetëvrasje, kishte kaluar disa herë nëpër duart e drejtësisë. Ai më herët ishte shpallur fajtor për kërcënime dhe dhunë ndaj ish partneres, por kishte kaluar vetëm me dënim me kusht. Viktima kishte denoncuar disa herë edhe për shkelje të vendimeve gjyqësore, mesazhe kërcënuese, ndjekje pranë shtëpisë e madje edhe djegie të makinës së babait të saj. Por, pavarësisht dosjes së tillë, makthi i viktimës përfundoi tragjikisht. Në prill të këtij viti, prokuroria kishte ngritur aktakuzë ndaj 39-vjeçarit, lidhur me dy ngjarje, kërcënim të sigurisë dhe dhunë, por gjykata i shqiptoi dënim me kusht.
“Më 10.09.2025, Gjykata Themelore në Veles, duke vepruar mbi këtë akuzë, shpalli aktgjykim me të cilin e deklaroi të akuzuarin fajtor dhe i shqiptoi një masë alternative – dënim me kusht. Me vendim iu hoqën masat e tjera të kujdesit të cilat ishin në fuqi gjatë procedurës, por deri në fuqizimin e aktgjykimit mbeti në fuqi masa ndalim i afrimit dhe vendosjes së kontakteve me të dëmtuarën dhe partnerin e saj, e cila ishte caktuar me kërkesë të prokurorisë”, njoftojnë nga Prokuroria.
Nga Prokuroria thonë se vendimi i Gjykatës sapo është pranuar dhe nuk ka pasur mundësi të deklarohet mbi të me ndonjë ankesë eventuale. Ndërkohë, nuk kanë munguar shkeljet e vendimeve gjyqësore nga ana e sulmuesit.
“Më 21.05.2025, e dëmtuara e denoncoi të akuzuarin në PTHP Veles edhe për moszbatim të vendimit gjyqësor, pasi pavarësisht masave shtesë të mbrojtjes nga dhuna në familje të shqiptuara edhe në procedurë civile, ai nuk i respektonte dhe vazhdonte t’i dërgonte mesazhe dhe fotografi me përpjekje për të realizuar komunikim me të. Më 18.05 ai iu afrua shtëpisë së saj dhe e mori e më pas dogji automjetin në pronësi të babait të saj. Pas këtij denoncimi, PTHP Veles e mori në pyetje të dëmtuarën dhe më 26.06.2025 lëshoi urdhër ndaj MPB-së për sigurimin e provave nga komunikimi telefonik, si dhe 4 urdhra për sigurimin e incizimeve nga kamerat e sigurisë në lokacione të ndryshme në qytet”, thonë nga Prokuroria.
Raste të ngjashme, 39 vjeçarja kishte raportuar edhe në Shkup për akte tjera dhune, ku i dyshuari ishte përpjekur ta mbante në një banesë dhe i kishte shkaktuar lëndim të lehtë trupor. E dëmtuara, deklaratën e saj të fundit se mbetet në propozimin për ndjekje penale të të dyshuarit, e kishte dhënë vetëm 6 ditë përpara ditës tragjike, më datë 9 shtator. /Alsat/






