Punonjësit e administratës publike në RMV, do t’i nënshtrohen provimit profesional

    Ligji për përmirësimin profesional dhe trajnimin e nëpunësve administrativë përbën një reformë thelbësore që kapërcen boshllëkun shumëvjeçar mes synimit për një administratë evropiane dhe realitetit që po ndërtohet sot, tha ministri i Administratës Publike, Goran Minçev, gjatë debatit publik me temë “Investim në dije – rruga drejt një administrate më efikase”.

    “Me këtë ligj po vendosim themelet e një sistemi transparent, efikas dhe të ndershëm, i cili do të mbështetet te profesionalizmi, ku përparimi do të bëhet përmes dijes, jo përmes lidhjeve”, theksoi Minçev.

    Sipas tij, themelimi i Akademisë për Administratë Publike do të ofrojë trajnime të strukturuara dhe zhvillim të kompetencave, ndërsa çdo i punësuar i ri do të kalojë 120 orë trajnim dhe do të japë provim para një komisioni profesional.

    Ambasadori francez në Maqedoninë e Veriut, Christophe Le Rigolleur, konfirmoi mbështetjen e Francës për këto reforma, duke theksuar se modernizimi i administratës është thelbësor jo vetëm për integrimin evropian, por edhe për qytetarët.

    “Reforma e administratës publike është e domosdoshme për qytetarët që presin një administratë efikase, moderne dhe transparente. Besimi në administratë është themel i besimit në demokraci”, tha Le Rigolleur.

    Ai njoftoi për një projekt mbështetës për themelimin e Akademisë, e planifikuar për vitin 2027, duke theksuar se Franca do të vërë në dispozicion ekspertizën e saj më të mirë. “Trajnimi është thelbësor, por edhe më e rëndësishme është përzgjedhja e më të mirëve, vlerësimi i punës së tyre dhe krijimi i mundësive për zhvillim”, shtoi ambasadori.

    Drejtoresha ekzekutive e Qendrës për Menaxhim me Ndryshime (QMN), Neda Maleska Sachmaroska, theksoi rëndësinë e krijimit të një kulture mësimi brenda institucioneve dhe bëri thirrje për ndryshim në mënyrën se si perceptohen trajnimet.

    “Nuk mjafton vetëm themelimi i Akademisë, është e nevojshme të ndërtojmë një kulturë mësimi që do t’u mundësojë punonjësve të zhvillojnë kompetenca të reja”, tha Maleska Sachmaroska.

    Ajo paralajmëroi se trajnimet shpesh shihen si formalitet, e jo si investim, dhe u bëri thirrje drejtuesve që t’i trajtojnë ato si një investim me kthimin më të lartë.

    “Investimi në dije është investim në të ardhmen e shtetit. Punonjësit duhet ta shohin të nxënit jo si detyrim, por si mundësi për zhvillim personal dhe profesional”, përfundoi ajo.

    Lajmi Paraprak

    Kallëzim penal ndaj ish-drejtorit të AUV-së, dëmtoi buxhetin me mbi një mijë euro

    Lajmi i rradhës

    NPK “Sharri”: uji në Tetovë është i sigurt për pije

    Lajme tjera

    Bashkohu

    Informohu në kohë