Buxheti 2026, ‘thërrime’ për Teatrin dhe Bibliotekën e Tetovës

    Objekti i ri i teatrit të Tetovës / Fotografia: Nistori

    Projekti për Teatrin dhe Bibliotekën e Tetovës është zhvendosur edhe këtë vit nga prioritetet e Ministrisë së Kulturës dhe Turizmit. Në projektbuxhetin për vitin 2026, të dorëzuar në Parlament, MKT do të lëvrojë një fond prej vetëm 72 milionë denarë për fazën e punimeve për këtë vit. Ndërkohë Buxheti i vitit 2026 që në periudhën në vijim do të duhet të miratohet nga Parlamenti, MKT ka rritur fondet për një sërë projektesh si Universiteti i Pllaoshnikut, Kalaja e Shkupit, ndërsa “Promovimi dhe mbështetja e kulturës dhe turizmit”, një zë i shtuar këtë vit do të përftojë 1.856 milionë denarë, shkruan gazeta KOHA.

    Drejtoria për Mbrojtjen e Trashëgimisë po ashtu është një nga zërat me buxhet të dyfishuar për vitin e ardhshëm – nga 62 milionë në mbi 126 milionë denarë. Në total buxheti i MKT është dyfishuar, krahasuar me vitin e kaluar nga mbi 250 milionë denarë në mbi 543 milionë denarë për 2026-ën. Por, Teatri dhe Biblioteka nuk do të përfitojnë. Vetëm 72 milionë denarë, shumë kjo që nuk korrespondon me dinamikën e kontraktuar për pagesat 2021-2026, që do të thotë faza për kompletimin me pajisjet dhe teknikën e nevojshme skenike do të kërkojë data të reja përfundimi. Shuma e përllogaritur për mbylljen e punimeve duhej të ishte rreth 1.5 miliardë denarë, ndërsa financimet për 2025 dhe 2026 do të duhej të ishin me nga 300 milionë denarë dhe 330 milionë denarë, përkatësisht. Por në vend të tyre, MKT reduktoi në formën më drastike të mundshme buxhetin – 12 milionë denarë për 2025, të cilat me rebalancin i zvogëloi (vetëm 10 milionë denarë), ndërsa për buxhetin e 2026 fondi prej 72 milionë denarësh është minimalist për nevojat në këtë fazë të projektit.

    Nga ana tjetër, MKT nuk ka hartuar asnjë dinamikë të përfundimit të punimeve, edhe pse sipas dokumentit të kontraktimit në vitin 2021, që shënoi fillimin e punimeve për fazën e dytë të punimeve, dorëzimi i objektit të përfunduar ka si datë vitin 2025, ndërsa pagesat do të vijonin deri në fund të vitit 2026. Në total, kostoja e objektit është rreth 1.5 miliardë denarë, ndërsa Qeveria duhej të akordonte 300 milionë denarë për 2025 dhe 330 milionë denarë për vitin 2026. Ministri Lutkov nga ana tjetër nuk ka konfirmuar se objekti do të dorëzohet brenda afatit të parashikuar, por as nuk ka përcaktuar datë të re të përfundimit të tij. Madje Qendra e Kulturës në Tetovë, që menaxhon këtë projekt as nuk është vizituar nga Lutkov, si pjesë e turit të takimeve në institucionet nacionale të kulturës.

    Projekti ka nisur që në vitin 2014 dhe pas një periudhe pezullimi punimet rifilluan në 2021 që lidhen me enterierin, punimet montuese, mekanike dhe teknike të skenës, rregullimin e brendshëm dhe mobilimin e objektit. Teatri është projektuar me dy salla, ndërsa Biblioteka në dy kate. Sipas Programit të Qeverisë, zëri – “Ndërtimi infrastrukturor në kulturë 2025-2034” jep një piketë orientimi se brenda kujt harku kohor planifikohet përfundimi i projekteve të prapambetura dhe nisja e atyre të rejave. “Përfundimi i kompleksit Pllaoshnik në Ohër, Salla universale në Shkup, si edhe teatrot në Strumicë, Tetovë dhe Turk në Shkup”, thuhet në Programin e qeverisë. /Koha/

    Lajmi Paraprak

    Tregu i zi – pilulat për abort, pa recetë dhe pa kontroll!

    Lajmi i rradhës

    Më pak turq drejt Malit të Zi, pas regjimit të vizave

    Lajme tjera

    Bashkohu

    Informohu në kohë