“ShBA-ja nuk miratoi vazhdimin e punës së NIS-it”

    Ministrja e Minierave dhe Energjetikës së Serbisë, Dubravka Gjedomiq Handanoviq, deklaroi më 15 nëntor se Shtetet e Bashkuara të Amerikës, që kanë vendosur sanksione ndaj Industrisë së Naftës së Serbisë (NIS) për shkak të pronësisë pjesërisht ruse, nuk i kanë dhënë NIS-it “asnjë ditë që të mund të vazhdojë të punojë”.

    Ajo në një konferencë të jashtëzakonshme për media tha se është marrë miratim vetëm për negociata mbi pronësinë, por, siç u shpreh, “jo edhe që NIS dhe rafineria të vazhdojnë të operojnë”, transmeton Beta.

    Administrata amerikane ka qenë e qartë dhe ka thënë se dëshiron ndryshim të plotë të pronësisë së NIS-it dhe kërkon tërheqjen e plotë të pronësisë ruse nga kompania, tha Gjedomiq Handanoviq, transmeton RTS.

    “Është e qartë se as për shtatë ditë nuk është e mundur të ndryshohet pronësia. Si ministre e energjetikës do të them se na presin vendime të vështira se a duhet të merret kompania, e pastaj të kompensohet dëmi”, tha ajo.

    Ajo shtoi gjithashtu se e di që “presidenti Vuçiq ka thënë se është kundër nacionalizimit”, por “nuk do të lejojmë që vendi ynë dhe qytetarët të jenë të rrezikuar”.

    Pronaret rusë të NIS-it më 11 nëntor i kanë dërguar kërkesë Zyrës së Departamentit të Thesarit të SHBA-së për kontrollin e pronës së huaj (OFAC), me të cilën kërkonin zgjatjen e licencës së punës, në bazë të negociatave me një “palë të tretë”.

    Për shkak të sanksioneve të Shteteve të Bashkuara të Amerikës, të drejtuara ndaj NIS-it për shkak të pronësisë pjesërisht ruse, është pamundësuar furnizimi me naftë të papërpunuar në Serbi.

    SHBA-ja vendosi sanksionet për të pamundësuar financimin e pushtimit që Moska nisi në Ukrainë në shkurt të vitit 2022.

    Negociatat rreth fatit të NIS-it ende po vazhdojnë, me Rusinë si pronare shumicëshe dhe me SHBA-të që kanë vendosur sanksione.

    Vuçiq qysh në janar e ka hedhur poshtë mundësinë e nacionalizimit të NIS-it, pra që kompania më e madhe e naftës në Serbi të rikthehet nën ombrellën e shtetit, por në një deklaratë për RTS më 23 tetor tha se shteti do të ndërmarrë hapa kur të shfaqen probleme me furnizimin.

    SHBA-ja shpalli sanksione ndaj NIS-it më 9 tetor, dhe ato janë shtyrë tetë herë. /REL/

    Lajmi Paraprak

    Çfarë është belbëzimi dhe pse nuk e kemi kuruar atë?

    Lajmi i rradhës

    “Kemi ardhur për të mbrojtur familjen”, protestë kundër ligjit të barazisë gjinore

    Lajme tjera

    Bashkohu

    Informohu në kohë