Erdogan nderohet me Çmimin Europian të OBSh-së për punën humanitare të Turqisë në Palestinë

    Presidenti turk, Recep Tayyip Erdogan, ka marrë Çmimin për Evropën të Organizatës Botërore të Shëndetësisë (OBSh) për përpjekjet humanitare të Turqisë për palestinezët dhe rolin e saj në lehtësimin e evakuimeve mjekësore nga Gaza.

    Çmimi u dha nga Drejtori Rajonal i OBSH-së për Evropën, Hans Kluge, gjatë Kongresit të 11-të Botëror Mjekësor Turk në Ankara të mërkurën.

    Në fjalën e tij në ceremoni, Erdogan kritikoi heshtjen e bashkësisë ndërkombëtare për shkatërrimin e spitaleve dhe vrasjen e pacientëve, punonjësve të shëndetësisë dhe foshnjave në Gaza gjatë dy viteve të fundit, shkruajnë mediat e huaja, përcjell Telegrafi.

    “Sigurisht që nuk do të jetë e lehtë për botën të largohet nga një realitet ku, për dy vjet të plota, mbeti spektatore ndërsa spitalet në Gaza u bombarduan dhe pacientë, punonjës të shëndetësisë, fëmijë dhe madje edhe foshnja të pafajshme në inkubatorë u vranë”, tha ai.

    Erdogani shtoi se bota do të bëhej “një parajsë” ditën kur njerëzimi do të ndajë gëzimin kolektiv të shpëtimit të një jete dhe do të festojë mbërritjen e sigurt të çdo të porsalinduri si lumturinë e vet.

    “Kjo është pikërisht ajo për të cilën po punojmë”, tha ai.

    Erdogan theksoi se Turqia e ka riorganizuar sistemin e saj të kujdesit shëndetësor në 23 vitet e fundit, duke e shndërruar atë në një rrjet të përhapur, me cilësi të lartë dhe të përballueshëm që i shërben të gjithë popullsisë.

    Ai vuri në dukje se vendi tani ofron shërbime të klasit të parë për 86 milionë njerëz me mbështetjen e më shumë se 1.47 milionë personelit shëndetësor. 

    Lajmi Paraprak

    Orienti i ftohur i shqiptarëve

    Lajmi i rradhës

    Radiatorët do të ngrohin më shumë nëse evitoni këtë problem

    Lajme tjera

    Bashkohu

    Informohu në kohë