Me llogari të bllokuara të disa shkollave fillore, si rezultat i borxheve të pashlyera për transportin e nxënësve, fatura të papaguara për naftë dhe energji elektrike, ka nisur gjysmëvjetori i dytë në Strugë. Megjithatë, për momentin kjo nuk do të ndikojë në zhvillimin e procesit arsimor, sigurojnë nga Sektori për Arsim në Komunën e Strugës. Ata thonë se ajo që është më e rëndësishme, ngrohje ka në të gjitha shkollat.
“Për shkak të vonesave në pagesa janë përfshirë përmbaruesit dhe ua marrin shkollave dotacionet e bllokuara të destinuara për shpenzime materiale, të cilat vijnë nga Ministria e Arsimit, duke i lënë disa prej shkollave pa mjete financiare. Komuna e Strugës ka buxhet rezervë, por ai nuk është i mjaftueshëm që të mbulohen të gjitha borxhet e shkollave deri në vitin 2025”, njoftojnë nga Sektori për Arsim – Komuna e Strugës.
Komuna e Strugës thotë se do të kërkojnë ndihmë të drejtpërdrejtë nga Ministria e Arsimit ose përmes BNJVL-së, që t’u dilet në ndihmë për tejkalimin e problemit. Një nga problemet më të mëdha është ai i transportit të nxënësve. Një pjesë e transportuesve refuzojnë të kryejnë transportin, ndaj prindërit dhe nxënësit detyrohen të gjejnë zgjidhje si të munden.
Edhe pse jemi në sezonin e gripit, vetëm një numër i vogël nxënësish nuk morën pjesë në mësim ditën e parë të gjysmëvjetorit të dytë në shkollën “Vëllezërit Milladinov”. Nga Sektori për Arsim në Komunën e Ohrit thonë se, në fushën e arsimit fillor, komuna siguron mjete shtesë për ngrohje, energji elektrike, detyrime komunale dhe transport, pasi dotacionet e bllokuara nga Ministria e Arsimit për shkollat fillore nuk kanë qenë të mjaftueshme dhe kanë mbërritur vetëm për paga. /Alsat/






