Bashkimi Evropian i ka hapur derën financiare Maqedonisë së Veriut, por çelësi ende nuk është përdorur siç duhet. Nga gjithsej 750 milionë euro të parashikuara për vendin në kuadër të Planit evropian për rritje, në buxhetin shtetëror deri tani kanë përfunduar më pak se një e treta e shumës, për shkak të mosrealizimit të reformave që vetë Qeveria i ka premtuar Brukselit.
Nëse Maqedonia e Veriut do të krahasohej me një student që synon të bëhet pjesë e Bashkimit Evropian, atëherë Plani për rritje i BE-së do të ishte një bursë studimi, bursë që jepet vetëm nëse studenti i kalon provimet dhe i kryen detyrat në kohë. Një pjesë e bursës tashmë ka mbërritur për përgatitje, por “studenti” ka filluar të humbasë afatet për provimet kyçe të semestrit të tretë. Si pasojë, këstet e ardhshme të bursës janë vënë në pikëpyetje.
Kjo metaforë përshkruan më së miri situatën aktuale të vendit në zbatimin e Agjendës Reformuese Evropiane, për të cilën liderët politikë diskutuan edhe në takimin e fundit. Bëhet fjalë për Planin për rritje të Ballkanit Perëndimor, me vlerë 6 miliardë euro, që synon t’i ndihmojë vendet kandidate të arrijnë standardet evropiane më shpejt dhe më efektivisht, edhe para anëtarësimit formal në BE.
Për Maqedoninë e Veriut janë paraparë 750 milionë euro, me kusht që reformat e premtuara të realizohen. Nuk bëhet fjalë vetëm për harmonizim ligjor, por për ndryshime reale që nënkuptojnë jetë më cilësore për qytetarët, shërbime më efikase, mjedis më të pastër dhe transformim digjital. Plani për rritje u paralajmërua nga BE-ja në vitin 2023, ndërsa më pas u miratua edhe Agjenda Reformuese 2024–2027 e Maqedonisë së Veriut, me synim përshpejtimin e reformave kyçe. Sipas të dhënave nga monitorimi i progresit, vendi ka filluar të tërheqë mjete për para-financim, por tashmë po vonohet në reforma thelbësore ligjore, si Kodi i ri Zgjedhor dhe reformat në sistemin gjyqësor, gjë që rrezikon drejtpërdrejt këstet milionëshe të lidhura me detyra konkrete.
Ndërkaq, javën që kaloi kryeministri Mickoski kishte mbajtur mbledhje për agjendën reformuese me pjesëtarët e kabinetit të tij qeveritare, por nuk dha detaje më të hollësishme përveç njoftimit në rrjetet sociale.
Ndërkaq, nëse deri në qershor të vitit 2025 do të përfundoheshin plotësisht 21 detyrat e parashikuara në Agjendën Reformuese, shteti do të kishte të drejtë në 87.7 milionë euro nga Plani evropian për rritje. Por, sipas vlerësimit të Komisionit Evropian, janë miratuar vetëm rreth 25.6 milionë euro, pra gati një e treta e shumës së paraparë.
Qeveria ishte zotuar gjithashtu për punësimin e kuadrove cilësore në gjykata, prokurori dhe në Agjencinë për Menaxhimin e Pasurisë së Konfiskuar, si dhe për ndërmarrjen e hapave ligjorë për lehtësimin e qasjes në financa për ndërmarrjet e vogla dhe të mesme, detyra që deri tani nuk janë realizuar.
Edhe Ministria e Energjetikës ka dështuar të përmbushë obligimet në kuadër të reformave për tranzicionin energjetik. Në takimin e fundit në nëntor, nga kjo ministri u raportua për vonesa serioze në lidhjen e tregjeve energjetike dhe në transpozimin e rregulloreve të BE-së, për shkak siç potencuan nga atje, të kompleksitetit teknik dhe procedurave të gjata të miratimit.
“Ndërkohë, po vazhdon puna në matjen e varfërisë energjetike, planet për dekarbonizim dhe futjen e shërbimeve të reja digjitale për konsumatorët e cenueshëm”, thuhet në njoftimin e ministrisë. /Koha/






