Maqedonia e Veriut pa reagim për mbrojtjen e fëmijëve nga rrjetet sociale

    Nëse vendet evropiane kanë nisur diskutime për kufizime ndaj përdorimit të rrjeteve sociale nga fëmijët, duke marrë si pikënisje shembullin e Australisë, e cila që nga muaji i kaluar ndalon fëmijët nën 16 vjeç të krijojnë apo mbajnë llogari në platformat kryesore të rrjeteve sociale, Maqedonia e Veriut nuk ka paralajmëruar asgjë të ngjashme. Nismës iu bashkua këtë javë edhe Britania e Madhe, e cila do të shqyrtojë shtrëngimin e rregullave mbi përdorimin e mediave sociale nga fëmijët pa asnjë opsion “të padiskutueshëm”, tha të hënën kryeministri Keir Starmer, duke paralajmëruar se ata rrezikojnë të tërhiqen në “një botë me lëvizje të pafundme, ankth dhe krahasim”.

    Starmer tha se qeveria e tij laburiste ishte e përgatitur të ndërmerrte “masa të fuqishme” dhe se do të shqyrtojë prova nga e gjithë bota mbi propozimet e sugjeruara, duke përfshirë shqyrtimin nëse një ndalim i mediave sociale për fëmijët do të ishte efektiv dhe si ta bënte më të mirë një ndalim të tillë të funksiononte nëse do të vendosej. Ministrat do të vizitojnë Australinë, për të mësuar nga qasja e tyre. Starmer tha se prindërve do t’u ofrohen këshilla të bazuara në prova se sa kohë fëmijët e moshës pesë deri në 16 vjeç duhet të kalojnë në telefona, tableta dhe kompjuterë, me udhëzime të veçanta për fëmijët nën pesë vjeç që do të publikohen në prill.

    JEMI VONË

    Sa i përket Maqedonisë së Veriut, situata me kufizimet ligjore për përdorimin e rrjeteve sociale nga fëmijët është mjaft e ndryshme krahasuar me vendet që janë duke shqyrtuar ndalime apo kufizime specifike. Duke qenë se nuk ka ligj specifik për kufizim të aksesit sipas moshës, kjo do të thotë se nuk ka rregullore ligjore që automatikisht ndalon përdorimin e rrjeteve sociale nga fëmijët e vegjël. Ka pasur debate dhe propozime në opinionin publik – duke nxitur debatin pas vendimeve ndërkombëtare, por kjo mbetet thjesht debat në shoqëri, jo masë ligjore. Amar Telai, drejtor ekzekutiv dhe themelues i qendrës edukative në Shkup – Sky Lab, thekson se Maqedonia është vonë, jo për mungesën e legjislacionit, por të përgjigjes institucionale. Debati për restriksionet rreth qasjes së fëmijëve në rrjetet sociale, jo vetëm që nuk është i parëndësishëm, por është imperativ, thotë Telai.

    Vende te tjera në mënyrë aktive debatojnë për përkufizime legale, ndërsa Australia ka shkuar edhe më tej, tregojnë për një ngritje të vetëdijes që ekspozimi i pacensuruar në rrjetet sociale jo vetëm që është problematikë teknologjike, por në vete ngërthen edhe çështjet zhvillimore, psikologjike dhe edukative të fëmijëve.

    “Maqedonia e Veriut është vonë, jo për shkak të mungesës së legjislacionit, por për shkak se ende nuk e ka të ndërtuar një përgjigje institucionale dhe edukative për jetën digjitale. Ligjet vetvetiu nuk mund të kompensojnë mungesën e vetëdijes digjitale, ndërgjegjësimit emocional dhe mendimit kritik. Nëse ne prezantojmë vetëm kufizime dhe ndalesa duke mos i përgatitur fëmijët, prindërit dhe edukatorët, rrezikojmë të krijojmë shmangie, në vend të kuptueshmërisë dhe vetëdijesimit. Andaj vendimi i Australisë mund të kuptohet si masë emergjente preventive, por nuk duhet të keqkuptohet si një zgjidhje e duhur dhe vendimtare. Suksesi për një zgjidhje afatgjate do të varej nga ajo se çfarë do ta zëvendësonte qasjen e pacensuruar,të tilla si: edukimi, vetëdija dhe krijimi i programeve alternative zhvillimore”, thotë Telai.

    Ai shton se Maqedonia e Veriut mund të mos jetë gati për restrikcione dhe ndalesa legale, por në mënyrë perfekte është e pozicionuar të veprojë në tre fusha.

    Qasja edukative para asaj legjislative, në kuptimin që vetëdijesimi digjital, siguria në internet dhe mirëqenia emocionale duhet të jenë pjesë e edukimit formal dhe joformal. Së dyti, fuqizimi i prindërve dhe edukatorëve është esencial që ata të mos ndihen të papërgatitur për udhëzimin e fëmijëve në botën digjitale. Si edhe krijimi i alternativave, kur fëmijët kanë qasje në edukimin STEAM, aktivitete bashkëpunuese, kreative dhe teknologjike, varshmëria ndaj rrjeteve sociale natyrshëm bie. “Rrjetet sociale nuk duhet t’i rrisin fëmijët tanë, por shkolla, familja dhe shoqëria, duhet. Restrikcionet mund të jenë të nevojshme, por edukimi, është i panegociueshëm”, thotë Telai.

    ÇFARË PO BËJNË VENDET EUROPIANE

    Në përgjithësi, vendet evropiane janë në faza të ndryshme të debatit ose procesit legjislativ, por të gjitha po përpiqen të përcaktojnë mënyrën më efektive për të mbrojtur fëmijët online pa i izoluar totalisht nga mjediset digjitale ku zhvillojnë pjesë të rëndësishme të jetës së tyre.

    – Franca: Autoritetet franceze po përgatisin masa për të kufizuar përdorimin e rrjeteve sociale nga fëmijët e vegjël; është propozuar një moshë minimale rreth 15 vjeç për përdorim pa kufizime.

    – Spanja: Po shqyrtohet një ligj që do të kërkojë pëlqimin e prindërve për fëmijët nën 16 vjeç që të përdorin rrjete sociale, ose në disa raste kufizime edhe më të rrepta për përdoruesit më të rinj.

    – Italia: Italia ka propozuar një ligj që do të kufizojë përdorimin e mediave sociale për fëmijët nën rreth 15 vjeç dhe përfshin masa për verifikimin e moshës për përdoruesit e rinj.

    – Greqia: Pas vendimit për ndalimin e smartphone-ve në klasa, po shqyrton mundësinë e një ndalimi ose kufizimi të përdorimit të rrjeteve sociale për fëmijët, duke ndjekur modelin australian dhe duke zhvilluar mjete teknologjike për verifikimin e moshës.

    – Gjermania: Parlamenti ka kërkuar një studim mbi ndikimet e rrjeteve sociale te adoleshentët dhe po shqyrton mundësitë për masa të reja.

    MAQEDONIA E VERIUT

    Nuk ka ligj specifik që ndalon ose kufizon përdorimin e rrjeteve sociale nga fëmijët sipas moshës

    Ligji për Mbrojtjen e Fëmijëve – garanton mbrojtje nga dhuna, abuzimi dhe shfrytëzimi, përfshirë edhe në mjedisin online, por nuk vendos kufizim moshe për rrjetet sociale. Ligji për Mbrojtjen e të Dhënave Personale – kërkon pëlqim prindëror për përpunimin e të dhënave të fëmijëve nën 16 vjeç, por nuk e ndalon aksesin në platformat sociale.

    Ligji për Media – ndalon përmbajtje që dëmtojnë zhvillimin e fëmijëve, por nuk rregullon përdorimin individual të rrjeteve sociale. /Koha/

    Lajmi Paraprak

    750 MILIONË EURO NË PRITJE! | RMV rrezikon të humbasë fondet e BE-së

    Lajmi i rradhës

    Automjetet e reja përfunduan te komandantët e policisë, SPP i reagon MPB-së

    Lajme tjera

    Bashkohu

    Informohu në kohë