Kryetari i Sindikatës së Pavarur të Policisë (SPP), Martin Efremov, të martën dorëzoi një reagim me shkrim drejtuar Ministrisë së Brendshme, në të cilin reagoi ndaj mënyrës së shpërndarjes së automjeteve të reja zyrtare në Ministrinë e Brendshme, përcjell Nistori.
Sipas sindikatës, ky prokurim, ashtu si edhe ato të mëparshmit, ka përfunduar kryesisht te komandantët dhe drejtuesit, në vend që automjetet t’u shpërndahen oficerëve të policisë që punojnë çdo ditë në terren.
“Nëse kjo metodë shpërndarjeje, e cila ka qenë praktikë në Ministrinë e Brendshme për vite me radhë, nuk ndalet dhe nëse nesër blihen edhe 500 automjete të reja, ato sërish nuk do të arrijnë tek oficerët e policisë në terren. Në një rast të tillë, efekti i prokurimit nuk do të ndihet as nga oficerët e policisë dhe as nga qytetarët”, deklaron Efremov në reagim.
SPP kërkoi gjithashtu që shpërndarja e automjeteve sipas stacioneve të policisë të rishqyrtohet, duke theksuar se ekziston një çekuilibër i dukshëm. Si shembull, sindikata thekson se disa stacione policore kanë marrë nga pesë automjete të reja, ndërsa Stacioni Policor i Koçanit, i cili sipas tyre është një nga qendrat me vëllimin dhe kompleksitetin më të madh të punës në rajonin lindor, ka marrë vetëm një automjet.
Sindikata e Pavarur e Policisë apeloi që shpërndarja e automjeteve zyrtare të bëhet sipas nevojave reale në terren dhe jo sipas pozicionit hierarkik, me qëllim përmirësimin e kushteve të punës së policisë dhe rritjen e sigurisë së qytetarëve. /Nistori/






