Me 81 vota për dhe 19 kundër, deputetët në Kuvend votuan Ligjin për Kundërvajtje, me ç’rast dhanë dritë jeshile që sistemi “Safe City” të hyjë në fuqi nga 1 shkurti. Mbështetje ligjit i dhanë deputetët e shumicës parlamentare, deputetët e partisë E Majta, në mesin e tyre edhe deputeti i partisë turke Bejxhan Iliaz dhe deputeti i pavarur Ilir Demiri. Kundër votuan deputetët e Frontit Evropian, deputetët e LSDM-së, deputetët e ASH-së së Ziadin Selës dhe deputetët e ASH-së së Arben Taravarit, shkruan Nistori.
Aleanca për Shqiptarët njoftoi se të hënën do ta kontestojë në Gjykatën Kushtetuese Ligjin për Kundërvajtje, që përfshin projektin “Safe City”, duke vlerësuar se ai është antikushtetues, diskriminues dhe juridikisht problematik. ASH thekson se zbatimi selektiv vetëm në Shkup, Kumanovë dhe Tetovë cenon parimin e barazisë dhe krijon trajtim të pabarabartë për qytetarët. Sipas Aleancës, ligji shkel edhe Ligjin për përdorimin e gjuhëve, pasi njoftimet dhe sanksionet nuk ofrohen në mënyrë të barabartë në gjuhën shqipe. Ata kërkojnë rishikim të gjobave, debat publik dhe korrigjim të mangësive, duke paralajmëruar se gjobat që hyjnë në fuqi nga 1 shkurti janë miratuar pa u adresuar këto shqetësime serioze kushtetuese.
“Pa asnjë llogari për mirëqenien e qytetarëve, dhe pa i adresuar këto mangësi serioze ligjore dhe kushtetuese, deputetët e VMRO-DPMNE-së, VLEN-it, ZNAM-it, Levicës, kanë votuar që nga 1 shkurti të hyjnë në fuqi gjobat që burojnë nga sistemi “Safe City”. Aleanca për Shqiptarët kërkon nga institucionet kompetente që urgjentisht të hapin debat publik, të korrigjojnë shkeljet evidente dhe të sigurojnë që çdo projekt i tillë të jetë në përputhje me Kushtetutën, ligjin dhe parimin e barazisë. Nisur nga kjo, Aleanca për Shqiptarët gjatë ditës së hënë do ta ankimojë Ligjin në Gjykatën Kushtetuese. Një rast i ngjashëm, që krijon precedent të qartë juridik, është ai i Ligjit për fëmijën e tretë, të cilin Gjykata Kushtetuese e shpalli antikushtetues. Atëkohë, qeveria e Nikolla Gruevskit synonte ta zbatonte këtë masë vetëm në disa qytete të caktuara, kryesisht me popullsi maqedonase, me arsyetimin e mungesës së natalitetit pozitiv. Gjykata Kushtetuese vlerësoi se një qasje e tillë selektive cenon parimin e barazisë dhe bie ndesh me Kushtetutën. Në këtë frymë, besojmë se edhe në rastin e “Safe City”, Gjykata Kushtetuese do të udhëhiqet nga dispozitat kushtetuese dhe do të abrogojë ndryshimet ligjore që janë në kundërshtim të drejtpërdrejtë me Kushtetutën e vendit”, thonë nga ASH-Taravari.
Koordinatorja e grupit parlamentar të Frontit Evropian (BDI), Rina Ajdari adresoi disa kërkesa për ndryshime për “Qytetin e Sigurt”.
Kujtojmë se ligji në fjalë kërkon mbështetja me shumicë prej dy të tretash në Kuvend. Paraprakisht, edhe LSDM ka paralajmëruar se nuk do të votojë për ndryshimet e Ligjit.
Kryetari i Aleancës për Shqiptarët, Ziadin Sela ka kritikuar vendosjen në funksion të sistemit “Safe City”.
Ai thotë se ky sistem ka për qëllim zhvatjen e qytetarëve, pasi nëpër rrugët ku janë vendosur kamerat e sigurisë në komunikacion, nuk ka as semaforë e as parkingje dhe sipas tij janë vendosur në lagjet ku banojnë shumicë shqiptare.
“Është për të ardhur keq kur sheh që edhe projektet që promovohen për të mirën e përgjithshme, sigurinë e qytetarëve siç ka qejf ta thot qeveria, për qëllim ka zhvatjen e një kategorie qytetarësh! Nqs keni dlieme se në xhepin e kujt synohet të goditet është më se e qartë. -Shihni ku implementohet projekti “Safe City”-Shkupi, Kumanova, Tetova?!-Shihni shpërndarjen e kamerave te Safe City në Shkup,ku janë më shumë të koncentruara në numër? Në Çair, Saraj, Butel?! Janë komunat me shumicë shqiptare. Janë hyrje daljet e shqiptarëve për në Shkup.Janë vendet me (pa) infrasktrukturë të komunkacionit dhe rrugor më të vjetër. Pa semaforë por me kamera për te zhvat! Pa parkingje por me gjoba! Pa sinjalistik rrugore por me denime të majme… E pra të dashur shqiptar, EKSPLOATIMI ska brina, kështu ngjan”, shkruan Sela.
Sela ka përmendur dhe faktin se Maqedonia e Veriut do të duhet të kthejë edhe kredinë prej dy miliardë eurove, e që sipas tij, ajo kredi do të kthehet nga gjobat që do të paguajnë qytetarët nga sistemi i MPB-së.
“Meqë ra fjala Maqedonia e Veriut këtë vit duhet të kthej rreth 2 miliard euro kredi! Do i kthejme ne ku më pak është investuar, edhe nga projekti “Safe City”. Kështu pra ngjan Eksploatimi…P.S. Jam i vetëdijshëm që do më akuzojnë se gjithckaje i jap konotacion etnik. Jo unë për hir të së vërtetës, asnjëherë unë dhe Aleanca për Shqiptarët, por ata që na drejtojnë gishtin. Po është e vërtetë ne skemi hesht dhe sdo të heshtim kurrë…”, shkruan Sela.
Ditë më parë kryetari i LSDM-së, Venko Filipçe, tha se pushteti nuk po përpiqet ta rregullojë sigurinë e të dhënave të qytetarëve që askush nuk tregon se si do të kontrollohen .
“Ne nuk do ta mbështesim atë ligj, nuk jemi kundër sigurisë në trafik, prova është se e kemi filluar atë sistem. Megjithatë, nuk mund të lejojmë që sistemi të zbatohet pjesërisht. Përveçse jemi për sigurinë në trafik, ne jemi edhe për sigurinë e të dhënave, të cilën pushteti as nuk po e komenton dhe as nuk po përpiqet ta rregullojë. Ja u ulëm në tavolinë në takimin e liderëve, ata ranë dakord për gjëra të ndryshme, do të shohim se cili është rezultati i një marrëveshjeje tjetër nga ajo ujdi”, deklaroi Filipçe.
Ndryshe, zv. ministri i Punëve të Brendshme, Astrit Iseni njofton se nga 1 shkurti fillon zbatimi i Ligjit për Kundërvajtje apo siç njihet zbatimi i projektit “Safe City”.
Iseni thotë se “Safe City” ka përqëllim rritjen e sigurisë së qytetarëve në trafik.
“Safe City” nuk janë kamerat. Është jetë e shpëtuar. Është fundi i kaosit në rrugë dhe i papërgjegjshmërisë që ka marrë jetë njerëzish”, shkruan Iseni në profilin e tij në Facebook. /Nistori/






