PREMTIME PA VEPRIME | Të rinjtë në RMV flasin në fushatë, heshtin pas zgjedhjeve!

    Në zgjedhjet lokale të fundit, rinia u vendos në qendër të diskursit politik. Kandidatë të ndryshëm e përmendën si prioritet, ndërsa qendrat rinore, programet për të rinjtë dhe “aktivizimi i brezit të ri” u shndërruan në pjesë të pandashme të fjalimeve elektorale. Premtime për investime, hapësira kreative dhe përfshirje aktive u artikuluan gjerësisht, duke krijuar pritshmëri se politika po e trajton më seriozisht zërin e të rinjve. Megjithatë, sapo përfundon fushata dhe votat numërohen, premtimet mbesin në letër, ndërsa rinia zhduket nga vëmendja institucionale.

    Në Maqedoninë e Veriut, të rinjtë prej vitesh përshkruhen si “e ardhmja e shtetit” dhe përfshihen në strategji, dokumente reformuese dhe programe zgjedhore si një grup kyç. Por përtej retorikës dhe deklaratave publike, ata rrallë janë pjesë e proceseve reale të vendimmarrjes. Edhe pse ekzistojnë mekanizma formalë si Ligji për pjesëmarrjen rinore, i cili parasheh krijimin e Këshillave Rinorë Lokalë, qendrave rinore dhe strategjive lokale për të rinjtë, në praktikë këto struktura shpesh funksionojnë më shumë si dekor institucional sesa si hapësira reale ndikimi. Ato shfaqen në fotografi për PR, aktivizohen gjatë cikleve zgjedhore dhe më pas mbesin të heshtura, pa rol konkret në politikat që prekin drejtpërdrejt jetën e të rinjve.

    RINIA MES RETORIKËS POLITIKE DHE PËRJASHTIMIT NGA VENDIMMARRJA

    Sipas analistit politik Faton Halili, kjo qasje nuk është e re, por vazhdimësi e një modeli të gjatë të instrumentalizimit të rinisë në politikë. Ai vlerëson se, pavarësisht ndryshimeve në formë dhe praktikë, thelbi ka mbetur i njëjtë, përjashtimi i të rinjve nga vendimmarrja reale.

    “Partitë politike në vend përgjatë të gjitha etapave kanë keqpërdorur para dhe gjatë fushatës të rinjtë në përgjithësi. Ndoshta sot ka ndryshuar forma dhe praktika, por në esencë të rinjtë nuk bëjnë pjesë në proceset vendimmarrëse të vendit. Sot nëpër të gjitha takimet kombëtare dhe ndërkombëtare temë për diskutim janë të rinjtë, duke pasur parasysh se avancimi i teknologjisë dhe hapërimi në kohë është i domosdoshëm për tregjet ndërkombëtare, prandaj kërkohet që të rinjve t’u lihet hapësira e nevojshme për kontributdhënie në të gjitha fushat e jetës. Fatkeqësisht, këta tanët ende kanë ego të papërmbushura dhe derisa të konsumojnë çdo energji e çdo hapësirë, nuk e shohin arsyeshmërinë për t’u tërhequr”, thotë Halili.

    Ai thekson se pjesëmarrja e të rinjve në politikë është reduktuar në një instrument elektoral për mbledhje votash, e jo në një parim demokratik apo vlerë shoqërore për emancipim afatgjatë. Sipas tij, mungesa e mekanizmave të fortë shtetërorë për monitorim dhe ndëshkim të parregullsive institucionale e ka normalizuar këtë gjendje, duke e kthyer përjashtimin e rinisë në pjesë të përditshmërisë politike.

    Pasojat, sipas Halilit, janë të dyfishta. Në afat të shkurtër, politikat publike dështojnë të reflektojnë nevojat reale të të rinjve në fusha kyçe si arsimi, shëndetësia dhe punësimi. Në afat të gjatë, mungesa e të rinjve në skenën politike prodhon riciklim të elitave, mungesë freskimi me ide dhe energji të reja, si dhe thellim të apatisë shoqërore.

    PREMTIME PËR QENDRA RINORE, HESHTJE PAS ZGJEDHJEVE

    Në këtë kontekst të përgjithshëm, premtimet konkrete për projekte rinore marrin peshë të veçantë. Një prej tyre ishte edhe paralajmërimi i Izet Mexhitit për ndërtimin e një Qendre Rinore në Çair, e prezantuar si “zemra e zhvillimit rinor”, me bibliotekë, laborator të inteligjencës artificiale, akademi STEM dhe hapësira kulturore. Premtimi u shoqërua me retorikë ambicioze për shndërrimin e Çairit në qendër të inovacionit dhe energjisë rinore. Megjithatë, pas përfundimit të zgjedhjeve, deri më tani nuk ka as projekt të publikuar, as afate konkrete dhe as transparencë institucionale për realizimin e këtij paralajmërimi.

    Për këtë, Ylli Paçuku – Anëtarë i Këshillit të Përgjithshëm të BDI-së, vlerëson se ky rast është ilustrim tipik i mënyrës se si rinia përdoret si temë fushate dhe harrohet menjëherë pas saj.

    “Ky është realiteti ynë politik: të rinjtë shpesh shihen si vegël mobilizimi gjatë fushatave, ndërsa pas zgjedhjeve mbeten jashtë vendimmarrjes reale. Problemi nuk zgjidhet duke rehatuar kryetarë forumeve rinore me pozita formale për t’i mbajtur të heshtur. Rinia duhet të jetë e fortë, e vetë-mobilizuar dhe konstante, me kërkesa të qarta dhe presion të vazhdueshëm për ndikim real. Qëllimi duhet të jetë që të rinjtë të ngrihen në pozita me peshë dhe përgjegjësi reale, por mbi të gjitha që zëri dhe kërkesat e tyre të merren seriozisht në proceset reale të vendimmarrjes”, theksoi Paçuku.

    Ai shton se edhe premtimi për Qendrën Rinore në Çair, ashtu si shumë të tjera, ka mbetur i parealizuar, duke lënë pas një ndjenjë stagnimi dhe mungese vizioni për të rinjtë në këtë komunë.

    “Kur ‘harxhohen xhokerat’ për asfalt elektoral gjatë fushatës dhe pas zgjedhjeve nuk mbetet as projekt, as afate dhe as përgjegjësi, rezultati është ky që shohim sot. Çairi duket i ndalur, pa lëvizje konkrete dhe pa premtime të realizuara. Kjo krijon përshtypjen se fokusi është më shumë te rehatia politike dhe mbijetesa në pushtet, sesa te nevojat reale të qytetarëve dhe të rinjve”, deklaroi Paçuku. /Koha/

    Lajmi Paraprak

    Opozita paralajmëron betejë kushtetuese kundër “Qytetit të Sigurt”

    Lajmi i rradhës

    ‘Qyteti i Sigurt’ do të dërgojë edhe foto – si do të paguhen gjobat?

    Lajme tjera

    Bashkohu

    Informohu në kohë