Mërgimtarët dibranë lehtësojnë dimrin e familjeve në nevojë

    Shoqata Atdhetare “Dibra”, me seli në Nju Jork, e cila organizon mërgimtarët dibranë në Amerikë, prej vitesh ndihmon institucionet lokale dhe familjet në nevojë në vendlindje. Kjo shoqatë realizon projekte humanitare, veçanërisht gjatë dimrit, duke siguruar dru zjarri dhe kondicionerë për ngrohje. Një aktivitet i tillë po zhvillohet këto ditë në Dibër, me mbështetjen edhe të Shoqatës Humanitare “Drita”.

    Kryetari i Shoqatës Atdhetare “Dibra”, Hakim Buxhaku, informoi se bashkëpunimi me “Drita”, e njohur për aktivitetet e saj humanitare, ka siguruar një donacion për familjet në nevojë këtë dimër. “Shoqata Atdhetare Dibra bashkëpunoi me krenari me Shoqatën Drita në Dibër për të koordinuar një nismë domethënëse në mbështetje të familjeve në nevojë për ndarjen e druve dhe kondicionerëve. Me ndihmën e Butrint Selës dhe Nertil Osmanit, u hartua një plan për sigurimin e drurëve të zjarrit për familjet si dhe njësive HVAC për ata që nuk kanë mundësi të transportojnë dru ose që kanë nevoja më të mëdha. Ky projekt u udhëhoq nga anëtarët e bordit Arbër Greva dhe Dafina Maqëllara, përkushtimi i të cilëve ndihmoi në realizimin e kësaj nisme. Një falënderim i veçantë shkon edhe për të gjithë ata që punuan pas skenës — koha, angazhimi dhe bashkëpunimi juaj ishin thelbësore për suksesin e këtij projekti. Kontributi juaj, edhe pse jo gjithmonë i dukshëm, ishte i paçmueshëm”, thuhet në kumtesën e shoqatës.

    Kryetari i Shoqatës “Drita”, Nertil Osmani, për gazetën Koha tha se bashkëpunimi me shoqatën dibrane në Amerikë ka një traditë të gjatë.

    “Shumë herë bashkëpunojmë me projektet e mërgimtarëve dibranë në ShBA dhe çdo bashkëpunim është efektiv. Aktivistët e shoqatës sonë me dëshirë realizojnë këto aktivitete. Ndahen dru për ngrohje dhe kondicionerë për familjet dhe jetimët që nuk kanë mundësi të sigurojnë ngrohje gjatë dimrit. Shumë familje dibrane këtë dimër nuk kishin ngrohje, prandaj kjo ndihmë ka domethënie të madhe”, tha ai.

    Udhëheqësit e Shoqatës Atdhetare “Dibra” vlerësojnë se, edhe pse ky ishte një projekt i vogël, ai përfaqëson diçka shumë më të madhe: ndërtimin dhe forcimin e lidhjeve me shoqatat në Dibër, duke hedhur bazat për projekte më të mëdha të planifikuara për vitin e ardhshëm.

    Përndryshe, në ShBA jetojnë mbi 18 mijë dibranë, kryesisht në Nju Jork, Nju Xhersi, Teksas, Arizona dhe shtete të tjera, të cilët përmes aktiviteteve të Shoqatës Atdhetare “Dibra” vazhdojnë të mbajnë gjallë lidhjet me vendlindjen.

    Lajmi Paraprak

    Paga minimale / Qeveria flet për manipulim, LSDM kërkon 600 euro

    Lajmi i rradhës

    Serbia: Fakultetit të Shkencave Teknike në veri i është dhënë një muaj afat që të nisë të paguajë qira ose të largohet nga objekti

    Lajme tjera

    Bashkohu

    Informohu në kohë