Vendnumëro kundër korrupsionit

    Korrupsioni po përkeqësohet në nivel global, duke u shndërruar në një nga kërcënimet më serioze për demokracinë, stabilitetin dhe të drejtat e njeriut. Sipas Indeksit të Perceptimit të Korrupsionit (CPI) 2025 të publikuar nga Transparency International, edhe demokracitë e konsoliduara po shfaqin shenja shqetësuese të rritjes së korrupsionit, veçanërisht në kushtet e dobësimit të lidershipit politik, mungesës së llogaridhënies dhe erozionit të institucioneve mbikëqyrëse.

    Indeksi vjetor tregon një prirje të qartë regresive: numri i vendeve që arrijnë mbi 80 pikë, që konsiderohen me nivele shumë të ulëta korrupsioni, është zvogëluar ndjeshëm, nga 12 vende një dekadë më parë në vetëm pesë vende këtë vit. Ky zhvillim sinjalizon se lufta kundër korrupsionit nuk po avancon, por përkundrazi po humbet terren edhe në shtete që tradicionalisht kanë shërbyer si modele të qeverisjes së mirë.

    CPI përfshin 182 vende dhe territore, të renditura sipas nivelit të perceptuar të korrupsionit në sektorin publik, në një shkallë nga 0 (shumë të korruptuara) deri në 100 (shumë të pastra). Mesatarja globale aktuale prej 42 pikësh përfaqëson nivelin më të ulët të regjistruar në më shumë se një dekadë, duke konfirmuar një trend të vazhdueshëm rënieje. Kjo tregon se për shumicën e popullsisë botërore, korrupsioni mbetet një realitet i përditshëm që ndikon drejtpërdrejt në cilësinë e jetës, shërbimet publike dhe besimin tek shteti.

    Në këtë kontekst, Maqedonia e Veriut, e cila në raportin e vitit 2025 renditet me 40 pikë, pa ndonjë ndryshim krahasuar me vitin e kaluar, mbetet nën mesataren globale. Ky stagnim pasqyron mungesën e përparimit real në luftën kundër korrupsionit dhe tregon se reformat institucionale, ndonëse të shpallura, nuk kanë prodhuar ende rezultate të qëndrueshme. Problemet strukturore si ndërhyrja politike në drejtësi, dobësia e institucioneve mbikëqyrëse dhe kultura e pandëshkueshmërisë vazhdojnë të minojnë përpjekjet antikorrupsion.

    Më gjerë, raporti thekson se korrupsioni nuk është thjesht një problem administrativ apo ekonomik, por një faktor që ushqen autoritarizmin, cenon shtetin e së drejtës dhe krijon terren për abuzime me pushtetin. Pa veprime konkrete, të qëndrueshme dhe të mbështetura politikisht, korrupsioni do të vazhdojë të thellojë pabarazitë, të dobësojë demokracitë dhe të rrezikojë paqen dhe sigurinë globale.

    Prandaj, gjetjet e CPI 2025 përbëjnë një thirrje të qartë për veprim: lufta kundër korrupsionit duhet të jetë një prioritet afatgjatë, i shoqëruar me reforma reale, transparencë, pavarësi institucionale dhe përfshirje aktive të shoqërisë civile dhe mediave të lira.

    “Korrupsioni nuk është i pashmangshëm. Kërkimi ynë dhe përvoja jonë si një lëvizje globale që lufton korrupsionin tregojnë se ekziston një model i qartë se si pushteti mund të mbahet përgjegjës për të mirën e përbashkët, duke nisur nga proceset demokratike dhe mbikëqyrja e pavarur, deri te një shoqëri civile e lirë dhe e hapur. Në një kohë kur po shohim shpërfillje të rrezikshme të normave ndërkombëtare nga disa shtete, ne u bëjmë thirrje qeverive dhe liderëve të veprojnë me integritet dhe të përmbushin përgjegjësitë e tyre për të siguruar një të ardhme më të mirë për njerëzit në mbarë botën”, tha François Valérian, kryetar i Transparency International. /Koha/

    Lajmi Paraprak

    Britania thyen rekordin e shekullit për shiun

    Lajmi i rradhës

    EShR konstatoi lëshime serioze në Inspektoratin Sanitar: pagesa të pasakta dhe lista të papërditësuara

    Lajme tjera

    Franca nuk gjen qetësi

    Protestat masive në të gjithë Francën vazhduan edhe në fundjavë. Presioni duhet të vazhdojë, thotë një përfaqësues i…
    Më tepër

    Bashkohu

    Informohu në kohë