Prokuroria Themelore Publike e Manastirit, në bashkëpunim me Shërbimin Penal Shtetëror në Manastir, ka zbuluar një rrjet të organizuar kriminal që gjatë tre muajve të fundit ka mashtruar më shumë se dhjetë qytetarë, duke u zhvatur mbi 60 mijë euro dhe sende të tjera me vlerë përmes skenarëve të rremë të aksidenteve rrugore, përcjell Nistori.
Numri i këtyre rasteve është rritur që nga fillimi i shkurtit, kur janë regjistruar deri në gjashtë raste të tilla.
Sipas Prokurorisë, mënyra e kryerjes së krimit është pothuajse e njëjtë në të gjitha rastet, ndërsa viktimat janë kryesisht persona të moshuar. Ata kanë marrë telefonata ku u është thënë se një i afërm i tyre është plagosur rëndë në një aksident rrugor dhe se urgjentisht nevojiten para për një operacion.
“Versioni tjetër i fakteve të rreme që mashtruesit ua paraqesin disa prej viktimave është se i afërmi i tyre ka shkaktuar një aksident rrugor me pasoja të rënda dhe se paratë nevojiten për të shmangur burgin”, thuhet në deklaratën e Prokurorisë.
Viktimat, të mashtruara dhe të frikësuara për të afërmit e tyre, kanë pranuar të paguajnë personalisht shuma të ndryshme parash, disa nga dhjetëra mijëra denarë deri në mbi 20.000 euro, si dhe bizhuteri ari dhe sende të tjera me vlerë.
Paratë ua kanë dorëzuar në vende të ndryshme në Manastir personave që më parë ishin rekrutuar për këtë punë përmes një njoftimi në Facebook.
Deri më tani, siç thuhet në deklaratë, Prokuroria Themelore Publike në Manastir ka ngritur akuza kundër katër personave, të cilët ndiqen penalisht si bashkëpunëtorë në mashtrim dhe që i kanë marrë drejtpërdrejt paratë nga qytetarët e mashtruar.
Sipas gjetjeve të hetimit, paratë më pas transferoheshin dhe i dorëzoheshin një personi aktualisht të paidentifikuar në Bullgari. Prokuroria thekson se një element i përbashkët në këto raste janë edhe numrat e telefonit nga Rumania që janë përdorur për të kontaktuar viktimat.
Prokuroria Publike në Manastir njofton se tashmë u ka dërguar autoriteteve të këtyre vendeve kërkesë për ndihmë juridike ndërkombëtare, me qëllim ndërmarrjen e veprimeve për identifikimin e autorëve.
Ndërkohë, autoritetet hetimore u bëjnë thirrje qytetarëve që të mos bien pre e mashtrimeve të tilla dhe të mos pranojnë të japin para në dorë për persona që nuk i njohin.






