Mickoski e cilëson si “destabilizim” protestën e studentëve për jurisprudencën në shqip

    Lidhur me përzgjedhjen e studentëve për të dhënë provimin e jurisprudencës në gjuhën shqipe, kryeministri thotë se kërkesat janë një gjë, ndërsa Kushtetuta dhe standardet ndërkombëtare janë diçka krejtësisht tjetër. Ai thekson se është formuar një komision për të gjetur një zgjidhje për këtë çështje, e cila do të jetë si kushtetuese, ashtu edhe në përputhje me standardet ndërkombëtare, përcjell Nistori.

    Qeveria ka informuar aleatët e saj në NATO dhe në BE për një përpjekje destabilizimi nga opozita gjatë protestës së djeshme në Shkup, ku studentët kërkuan që provimi i jurisprudencës të zhvillohet në gjuhën shqipe. Këtë e bëri të ditur sot kryeministri Hristijan Mickoski, duke shtuar se prania e një numri të madh aktivistësh të opozitës dhe zyrtarëve të lartë i dha protestës një konotacion politik.

    “Dje pamë një numër të madh aktivistësh të opozitës dhe zyrtarësh të lartë në protestë, duke i dhënë asaj një konotacion politik. Ne i informuam aleatët tanë në NATO dhe në Bashkimin Europian për këtë, si një përpjekje të opozitës për destabilizim në një formë të caktuar, dhe mendoj se kjo nuk u pranua nga përfaqësuesit e lartë të bashkësisë ndërkombëtare”, tha Mickoski, duke iu përgjigjur pyetjeve të gazetarëve.

    Duke folur sërish për çështjen e provimit të jurisprudencës në gjuhën shqipe, kryeministri theksoi se kërkesat janë një gjë, ndërsa Kushtetuta dhe standardet ndërkombëtare janë diçka tjetër.

    “Fakti është se Ligji për Përdorimin e Gjuhëve është kundërshtuar në Gjykatën Kushtetuese, pikërisht në fushën e gjyqësorit dhe të sundimit të ligjit. Po ashtu, kemi një mendim negativ nga Komisioni i Venedikut lidhur me dygjuhësinë në gjyqësor, sepse, së pari, nuk kemi burime të mjaftueshme për ta zbatuar atë dhe, së dyti, sundimi i ligjit nuk është i garantuar. Për këtë arsye, rekomandohet fuqimisht që të kthehemi te ligji për gjuhët i viteve 2008 ose 2009”, tha Mickoski.

    Ai shtoi se është formuar një komision i përbërë nga ekspertë kushtetues, i cili do të duhet të gjejë një zgjidhje që të jetë njëkohësisht kushtetuese dhe në përputhje me standardet ndërkombëtare. /Nistori/

    Lajmi Paraprak

    RMV pa strategji afatgjatë për zbulimin e hershëm të kancerit

    Lajmi i rradhës

    66 masa për sistemin e shtrenjtë shëndetësor të Gjermanisë

    Lajme tjera

    Franca nuk gjen qetësi

    Protestat masive në të gjithë Francën vazhduan edhe në fundjavë. Presioni duhet të vazhdojë, thotë një përfaqësues i…
    Më tepër

    Bashkohu

    Informohu në kohë