Notë 2 për Parlamentin / Qytetarët nuk i njohin deputetët e tyre!

    Nëse puna e Parlamentit të Maqedonisë së Veriut do të dorëzohej si fletore nxënësi, do të kthehej në shtëpi me notën 2.7 – kalimtare me vështirësi, dhe vetëm sa për t’i shpëtuar ngeljes. Kaq i besojnë qytetarët shtëpisë ligjvënëse, sipas hulumtimit më të fundit të Institutit për Demokraci “Societas Civilis”- Shkup. Pamja që del nga të dhënat është ajo e një parlamenti që qytetarët e shohin si të nënshtruar ndaj ekzekutivit. Kur u kërkua të vendosnin se kush kontrollon kë, në një shkallë ku 1 do të thotë “Qeveria kontrollon plotësisht Parlamentin” dhe 7 e kundërta 21 për qind zgjodhën pikën e parë. Vetëm 3 për qind besojnë se Parlamenti e kontrollon plotësisht Qeverinë. Përgjigjja më e zgjedhur mbetet mesi i shkallës, por pesha e tërësishme anon qartë drejt bindjes se dora e fortë është ajo e Qeverisë – një perceptim që nuk ka lëvizur ndjeshëm prej tre vjetësh.

    Ky mosbesim ushqehet edhe nga një bindje e ngulitur se deputetët nuk i përfaqësojnë qytetarët. Plot 74 për qind e të anketuarve mendojnë se deputetët gjithmonë mbrojnë interesat e tyre personale, 66 për qind treguan interesin e rrethit të ngushtë të udhëheqësisë partiake, dhe 56 për qind zgjodhën bashkësinë e biznesit. Vetëm 9 për qind besojnë se deputetët përfaqësojnë interesat e të gjithë qytetarëve një shifër dëshpëruese, edhe pse e rritur me 3 për qind krahasuar me një vit më parë.

    Hendeku më i thellë del kur qytetarëve u kërkohet të peshojnë atë çka presin nga Kuvendi kundrejt asaj çka marrin. Funksionin për të miratuar ligje cilësore në interes të qytetarëve ata e vlerësojnë me 8.9 pikë rëndësi, por vetëm 5 për sa e përmbushin deputetët. Kontrollin mbi Qeverinë e quajnë 8.7 të rëndësishëm; përmbushjen e vlerësojnë me 4.7. Dhe një ironi e hidhur: funksioni që qytetarët e quajnë më pak të rëndësishëm, të nxjerrësh sa më shumë ligje është pikërisht ai që, sipas tyre, Parlamenti e kryen më së miri.

    Po aq negativisht vlerësohet edhe atmosfera e debateve. Sipas hulumtimit, dy të tretat e qytetarëve apo saktësisht 67 për qind mendojnë se shumica qeverisëse kryesisht ose aspak nuk i merr parasysh argumentet e opozitës një rritje prej 7 për qind krahasuar me vitin e kaluar. Veçanërisht alarmant është fakti se 64 për qind e të anketuarve mendojnë se deputetët shpesh ose gjithmonë përdorin gjuhë nënçmuese dhe degraduese ndaj kundërshtarëve politikë. Kompromisi, ndërkohë, mbetet i rrallë: 38 për qind besojnë se partitë kurrë nuk e gjejnë gjuhën e përbashkët bindje më e fortë te maqedonasit etnikë (41 për qind) sesa te shqiptarët etnikë (25 për qind).

    Largësia mes qytetarit dhe përfaqësuesit të tij del edhe më e dukshme në një detaj domethënës: shumica nuk i njohin as vetë deputetët e njësisë së tyre zgjedhore. Kur të anketuarve u lexuan emrat e deputetëve të zgjedhur nga njësia e tyre, plot 61 për qind nuk dinin të identifikonin përfaqësuesin e vet në Kuvend.

    Por ka edhe një moment ku qytetarët e ndoqën nga afër Kuvendin dhe ai moment ishte një tragjedi. E pyetur se me çfarë do ta kujtojnë vitin 2025 në Parlament, 31 për qind e qytetarëve veçuan seancën mbikëqyrëse të komisionit anketues lidhur me tragjedinë e Koçanit, larg më e përmendura nga të gjitha temat. Dhe pikërisht aty, 42 për qind dhanë notën më të ulët 1 për mënyrën si Parlamenti e përmbushi rolin e vet mbikëqyrës. Aty ku vëmendja e publikut ishte më e madhe, zhgënjimi ishte më i thellë. Hulumtimi u realizua nga 27 shkurti deri më 10 mars 2026, përmes një ankete në terren me 1.002 të anketuar mbi 18 vjeç në të gjithë vendin, me gabim statistikor ±3 për qind. Koha

    Lajmi Paraprak

    Çfarë modeli të mbrojtjes gjithëpërfshirëse ka Finlanda, të cilin po e merr si shembull Kurti?

    Lajmi i rradhës

    A po synon BE-ja ta bëjë udhëtimin me tren po aq të lehtë sa me aeroplan?

    Lajme tjera

    Bashkohu

    Informohu në kohë