Maqedonia e Veriut po vazhdon përpjekjet drejt zhvillimit të qëndrueshëm në përputhje me Axhendën 2030. Gjatë vitit 2025, vendi shënoi progres në rritjen ekonomike gjithëpërfshirëse, forcimin e kohezionit social dhe mbrojtjen e mjedisit, falë bashkëpunimit ndërmjet institucioneve shtetërore, Kombeve të Bashkuara, shoqërisë civile, komunitetit akademik dhe sektorit privat.
Në këtë periudhë u avancuan reformat kombëtare dhe u forcuan institucionet, veçanërisht përmes zbatimit të Strategjisë Kombëtare të Zhvillimit 2024-2044 dhe Axhendës së Reformave për integrimin evropian. Shërbimet në fushën e shëndetësisë, arsimit dhe mbrojtjes sociale u bënë më gjithëpërfshirëse, ndërsa reformat në tregun e punës dhe zhvillimi i aftësive profesionale krijuan mundësi më të mëdha ekonomike për qytetarët. Vëmendje e veçantë iu kushtua veprimit klimatik dhe mbrojtjes së mjedisit. Përmes financimit të projekteve klimatike, përmirësimit të qeverisjes mjedisore dhe zbatimit të iniciativave lokale, janë arritur rezultate në përmirësimin e cilësisë së ajrit, mbrojtjen e biodiversitetit dhe rritjen e gatishmërisë për përballimin e fatkeqësive natyrore.
Megjithatë, vendi vazhdon të përballet me sfida serioze në menaxhimin e mbeturinave. Pas një rënieje të përkohshme, sasia e mbeturinave të gjeneruara është rikthyer në nivelet e mëparshme, ndërsa mbeturinat komunale janë rritur me 21.6 për qind në periudhën 2010–2023. Edhe pse infrastruktura është përmirësuar, sistemi mbetet ende i pamjaftueshëm për të përballuar nevojat në rritje.
Deponitë vazhdojnë të mbeten forma kryesore e trajtimit të mbeturinave, ndërsa riciklimi dhe kompostimi mbeten në nivele të ulëta. Kjo situatë kontribuon në ndotjen e mjedisit dhe në rritjen e emetimeve të gazrave serrë. Njëkohësisht, hedhja e paligjshme e mbeturinave dhe niveli i ulët i ndërgjegjësimit publik vazhdojnë të paraqesin sfida të mëdha për institucionet.
Për t’u përballur me këto probleme, autoritetet po përgatisin strategji dhe plane të reja për menaxhimin e mbeturinave, të mbështetura nga përmirësimi i legjislacionit dhe harmonizimi me standardet e Bashkimit Evropian. Ekspertët vlerësojnë se vazhdimi i reformave dhe bashkëpunimi ndërinstitucional janë thelbësorë për arritjen e objektivave të zhvillimit të qëndrueshëm. Tema e Ditës Botërore të Mjedisit për vitin 2026 është “Frymëzuar nga Natyra. Për Klimën. Për të Ardhmen Tonë”, duke theksuar nevojën urgjente për veprim klimatik, restaurimin e ekosistemeve, përdorimin e energjisë së pastër dhe promovimin e mënyrave të qëndrueshme të jetesës.
Dita Botërore e Mjedisit synon të mobilizojë qytetarët, institucionet dhe komunitetet në mbarë botën për të ndërmarrë veprime konkrete në mbrojtje të planetit. E organizuar nga UNEP, ajo shënohet çdo vit në më shumë se 150 vende, duke u bërë platforma më e madhe globale për ndërgjegjësimin dhe veprimin mjedisor. Koha






