Mungesa e fuqisë punëtore po zbraz kullotat e Dibrës

    Familjet dibrane që merren me blegtori thonë se nga viti në vit po përballen me vështirësi gjithnjë e më të mëdha për sigurimin e fuqisë punëtore. Sipas tyre, pikërisht ky problem ka ndikuar edhe në uljen e numrit të bagëtive, veçanërisht të dhenve. Në Shoqatën e Blegtorëve “Dashi” theksojnë se edhe këtë verë problemi mbetet i pranishëm. Mungojnë barinjtë, por edhe mjeshtrit e përgatitjes së djathit të bardhë tradicional dibran. Kryetari i Shoqatës “Dashi”, Murat Daci, për gazetën KOHA thotë se këtë vit dhentë kanë mbërritur me kohë në bjeshkë, përkatësisht në kullotat verore, por problemi i mungesës së fuqisë punëtore vazhdon të jetë i pranishëm.

    “Anëtarët e shoqatës sonë ankohen për mungesën e barinjve, por edhe të mjeshtërve për përgatitjen e djathit tradicional të bardhë dibran. Kjo situatë pengon drejtpërdrejt zhvillimin e blegtorisë në Dibër dhe në rajon. Problemi po thellohet nga viti në vit dhe po e vështirëson rritjen e numrit të dhenve. Aktualisht, në kullotat verore të Bistrës, Stogovës, Luçishtës, Korabit dhe zonave të tjera malore ndodhen mbi 15 mijë krerë dhen të blegtorëve dibranë dhe atyre të Zhupës. Në fshatrat e Dibrës dhe Zhupës kanë mbetur edhe rreth 6 mijë krerë, të cilët pritet të ngjiten në bjeshkë gjatë ditëve në vijim. Kushtet në bjeshkët tona janë shumë të mira për zhvillimin e blegtorisë. Ka vegjetacion të pasur dhe burime të mjaftueshme uji, por kur mungon fuqia punëtore, zhvillimi i blegtorisë bëhet i vështirë”, thotë Murat Daci, një nga fermerët më të njohur në rajon.

    Sipas tij, shteti duhet të sigurojë pagesën e subvencioneve në kohë dhe të shmangë vonesat që po rëndojnë punën e fermerëve. Blegtorët e Dibrës dhe të Komunës së Qendrës Zhupë ngrenë vazhdimisht edhe çështjen e gjendjes së rrugëve që çojnë drejt bjeshkëve. Sipas tyre, shumë segmente rrugore kanë nevojë për sanim dhe mirëmbajtje.

    Pjesa perëndimore e vendit disponon kushte shumë të favorshme për zhvillimin e blegtorisë. Megjithatë, viteve të fundit mungesa e fuqisë punëtore, vonesat në pagesën e subvencioneve dhe migrimi masiv i popullsisë kanë penguar zhvillimin e këtij sektori. Pikërisht kjo situatë ka bërë që dhjetëra familje, të cilat tradicionalisht janë marrë me blegtori, të shesin bagëtitë dhe të ndërpresin aktivitetin e tyre. Pas Luftës së Dytë Botërore, në këtë pjesë të Maqedonisë numri i dhenve ka qenë mbi 100 mijë krerë, ndërsa sot llogaritet të jetë rreth 35 mijë. Gjatë dekadës së fundit, numri i tyre vazhdon të bjerë me ritëm të shpejtë.

    Familjet që merren me blegtori theksojnë se djathi i bardhë dibran shitet menjëherë në treg falë cilësisë së lartë, por prodhimi i tij po shënon rënie të vazhdueshme. Deri para disa vitesh, barinjtë dhe mjeshtrit e përgatitjes së djathit siguroheshin kryesisht nga Shqipëria, por sot edhe atje mungon fuqia punëtore. Migrimi, i cili është i pranishëm edhe në Shqipëri, po ndikon negativisht në këtë sektor, theksojnë përfaqësuesit e Shoqatës “Dashi”.  Koha

    Lajmi Paraprak

    Shenjat e dehidrimit te fëmijët që prindërit shpesh i ngatërrojnë me lodhje

    Lajmi i rradhës

    Franca regjistron natën më të nxehtë ndonjëherë: 40 viktima që nga qershori

    Lajme tjera

    Bashkohu

    Informohu në kohë