Në Tetovë, sot në ora 20:00 në sheshin “Iliria”, pritet të mbahet një protestë qytetare, e cila sipas organizatorëve synon mbrojtjen e Marrëveshjes së Ohrit, rendit kushtetues dhe sigurisë juridike në Maqedoninë e Veriut. Organizatorët njoftojnë se protesta do të jetë paqësore dhe se në të pritet të marrin pjesë qytetarë nga vende të ndryshme të vendit, përcjell Nistori.
Sipas deklaratës së BDI-së, vendimi i fundit i Gjykatës Kushtetuese lidhur me emërtimet e rrugëve në Tetovë është arsyeja që ka nxitur mobilizimin qytetar.
“Vendimi i Gjykatës Kushtetuese për emërtimet e rrugëve në Tetovë është ngjarja që mobilizon këtë reagim qytetar, por shqetësimi i qytetarëve është shumë më i gjerë. Për një periudhë të gjatë është krijuar bindja se po zhvillohet një proces i vazhdueshëm i dobësimit të mekanizmave që burojnë nga Marrëveshja e Ohrit”, thuhet në deklaratën e BDI-së.
Organizatorët rikujtojnë se Këshilli i Komunës së Tetovës kishte miratuar vendimin për emërtimin e rrugëve me shumicë të dyfishtë dhe në përputhje me procedurat ligjore, ndërsa pretendojnë se Qeveria nuk reagoi brenda afateve të parashikuara me ligj.
“Ligji për Vetëqeverisje Lokale është i qartë: mosveprimi i Qeverisë brenda afatit prodhon efekt juridik dhe konsiderohet miratim i aktit të komunës”, shtojnë më tej.
Sipas tyre, i njëjti vendim ishte miratuar edhe për herë të dytë nga Këshilli Komunal, ndërsa edhe pas këtij votimi, sipas organizatorëve, nuk pati reagim nga Qeveria.
Në deklaratë thuhet se akti në fjalë ka qenë pjesë e rendit juridik për rreth 20 vjet dhe se vendimi i fundit i Gjykatës Kushtetuese krijon shqetësime për sigurinë juridike.
“Vendimi i Gjykatës Kushtetuese krijon një precedent me rëndësi kushtetuese. Për herë të parë vihet në diskutim një akt që ka prodhuar pasoja juridike për dy dekada”, thonë nga BDI.
Organizatorët shprehin gjithashtu shqetësim për procedurat që lidhen me Ligjin për Përdorimin e Gjuhëve, për të cilin Gjykata Kushtetuese pritet të marrë vendim në të ardhmen.
Sipas tyre, protesta synon të jetë një thirrje për respektimin e rendit kushtetues dhe të Marrëveshjes së Ohrit.
“Protesta e së shtunës është një thirrje për përgjegjësi institucionale, për respektimin e rendit kushtetues dhe për mbrojtjen e Marrëveshjes së Ohrit si themel i bashkëjetesës dhe i orientimit euroatlantik të vendit”, thuhet në deklaratë.
Në fund të reagimit, BDI u bën thirrje qytetarëve të marrin pjesë në protestë.
“Ftojmë çdo qytetar që beson në këto vlera të marrë pjesë në mënyrë paqësore, dinjitoze dhe me përgjegjësi”, thuhet në deklaratën e partisë. /Nistori/






