Pesë universitete janë nën monitorim, deklaroi sot ministrja e Arsimit, pa bërë të ditur se për cilat institucione bëhet fjalë. Po ashtu, pesë ose gjashtë institute janë në proces mbylljeje, përcjell Nistori.
Ministrja e Arsimit, Vesna Janevska, paralajmëroi mundësinë e mbylljes së disa universiteteve në vend. Ajo e bëri këtë deklaratë duke iu përgjigjur pyetjeve të gazetarëve në Ohër, ku ndodhet si pjesë e delegacionit qeveritar që po viziton komunën.
E pyetur se cili është epilogu i aktiviteteve për “pastrimin” e universiteteve, ajo u përgjigj:
“Në disa vende janë konstatuar parregullsi në punë dhe ne po përpiqemi t’i korrigjojmë ato me të gjitha mjetet ligjore. Për momentin, ende po punojmë në bazë të raporteve të paraqitura nga individë ose grupe të caktuara profesorësh. Ajo që është pozitive është se, ndryshe nga e kaluara, kur Agjencia për Cilësinë në Arsimin e Lartë pothuajse nuk funksiononte fare, pra jepte akreditime edhe kur nuk duhej, tani Agjencia po punon. Me këtë Qeveri, sigurisht, kemi filluar procesin e vlerësimeve”, tha Janevska.
Duke vijuar përgjigjen e saj, ajo foli edhe për rezultatet e deritanishme të vlerësimeve. Edhe pse nuk përmendi institucione konkrete, ndau disa të dhëna.
“Vlerësimet e para, të kryera me ekspertë të huaj, tregojnë se disa universitete funksionojnë mirë, ndërsa disa të tjerëve do t’u hiqen akreditimet. Megjithatë, për këtë ekzistojnë afate ligjore, të cilat ne i respektojmë. Respektojmë ligjin. Pasi të përfundojnë afatet për ankesa ose për korrigjimin e mangësive, ato institucione që nuk i përmbushin kushtet do të mbyllen. Ky proces po zhvillohet gradualisht. Deri më tani janë mbyllur 18 institute dhe një fakultet privat, përkatësisht një shkollë e lartë profesionale. Aktualisht jemi në proces të mbylljes së pesë ose gjashtë instituteve të tjera, ndërsa po kryejmë inspektime dhe monitorime në të paktën pesë universitete”, shtoi ndër të tjera ministrja Janevska.






