ALBINOT MALOKU
Libri i dr. Mehmet Kalisit, “Sfera publike e lëngshme – mediet sociale, opinioni publik dhe (pa)mundësia e dialogut Kosovë-Serbi”, paraqet një nga intervenimet më sistematike në shtjellimin e fenomenit të “medieve sociale” dhe të ndikimit të tyre në çështjen më dominuese që e preokupon qytetarin dhe Republikën e Kosovës prej dekadash tashmë. Dialogu mes Kosovës dhe Serbisë është çështja e cila ka thithur energjitë e qytetarëve, por, posaçërisht, të politikëbërësve dhe vendimmarrësve në vend, dhe e cila studiohet me kujdes në këtë libër.
Hulumtimi dhe shpjegimi i rolit të medieve sociale që realizohet në këtë libër, për mënyrën se si ato e kanë nxjerrë në pah çështjen e dialogut, si është orientuar pranueshmëria e informacioneve për të nga qytetarët, sa janë (keq)informuar qytetarët nga mediet sociale dhe deri ku arrin ndikimi i tyre në krijimin e mendimit dhe qëndrimit për dialogun Kosovë-Serbi, është një ndërmarrje megalomane për një studiues të gazetarisë dhe komunikimit masiv. Por, përmes një mjeshtrie të mbështjellë me durim, dedikim dhe pasion, autori e ka çmontuar boshtin e studimit nga të gjitha këndet, që janë mediet sociale dhe përbrenda këtij boshti, e ka analizuar çështjen e dialogut Kosovë-Serbi, në rrafshin e përceptimit për të, të të (mos)kuptuarit të tij dhe të ndikimit të tij në rrjedhat shoqërore, posqërisht! Autori Kalisi e ka ndarë librin e tij në katër kapituj, të cilët i shtjellon me kujdes, duke i ofruar lexuesit konkludimet së bashku me rekomandimet specifike të studimit të tij për të gjitha kategoritë të cilat mund të preken nga fenomeni i “medieve sociale”.
E veçanta e këtij studimi është se studiuesit e tjerë, të cilët janë të interesuar në fushën e medieve sociale, mund ta konsiderojnë atë si një mostër për hulumtimin e çështjeve të tjera, e që në rastin eklatant është çështja e dialogut Kosovë-Serbi.
KORNIZA TEORIKE DHE STATISTIKAT KUPTIMPLOTE
Fuqia metodologjike e librit shtrihet te mënyra shumëkëndëshe e shtjellimit që i ka bërë boshtit të temës, por edhe subjektit të analizës. I vetëdijshëm për raportin kompleks në mes të teknologjisë dhe shoqërisë, në mes të medieve dhe demokracisë, e sidomos në mes të informacionit dhe veprimit politik, autori insiston në gjetjen e së vërtetës në këtë mes. Mediet sociale, thotë ai, kanë krijuar “një hapësirë pa kufij të qartë, ku autorësia dhe autoriteti i informacionit shpërndahen në mënyrë kaotike”. Kjo shpërndarje, e cila ndodh “pa pasur nevojë për t’iu nënshtruar ndonjë censure apo pengesave të tjera redaksionale”, ka bërë që definicioni për lajmin dhe informacionin të marrë trajta e forma të cilat shkojnë mes kaosit dhe lirisë së shprehjes. Kjo vërehet edhe në këtë studim, në të cilin autori, edhe pse e nxjerr në pah realitetin, megjithatë është tradicionalist: e apelon lirinë e shprehjes, por kërkon kujdes ndaj kaosit informativ.
E “lëngshmja”, si figurë në shtjellimin e studimit të dr. Kalisit për këtë kaos definicioni, peshe e rëndësie që mbartin me vete mediet sociale për të publikshmen, vjen natyrshëm. Është gjetje e cila rrjedh nga përdorimi që kishte bërë sociologu dhe filozofi polako-britanik Z. Bauman në lidhje me kapërdierjen që kishte filluar t’i bënte globalizmi ndryshimit të marrëdhënieve ndërshoqërore. Duke mos i gjetur një emër të definuar konsumizmit, rrafshimit të identiteteve, hektabajtëve të informacionit, ai këtë lloj moderniteti e cilëson më së buti si „të lëngshëm “. Në „modernitetin e lëngshëm”, ata të cilët duan, megjithatë, të ketë rend, etikë e moral, angazhohen ta gjejnë të vërtetën që i shërben edhe të publikshmës, por mbi të gjitha raportit ndërshoqëror. Këtë angazhim ia ka dhënë vetes edhe autori, i cili hulumton mediet sociale dhe rolin e tyre në krijimin e opinionit publik për çështjen që ka thithur më së shumti energji në Kosovë, e që është dialogu i saj me Serbinë.
Në kapitullin e parë të librit, autori na tregon në mënyrë të zgjeruar se kush dhe si e kishte studiuar median sociale. Gama e autorëve që ka konsultuar për ta definuar sa më mirë e më saktë fenomenin e medieve sociale është e gjatë, pavarësisht se ky fenomen, në formën si e njohim, mund të cilësohet si produkt i ri. Studimet për këtë produkt të ri të rendit medial janë të shumta, ndërkohë që termat rreth saj përditësohen shumë shpesh. Përdorimi i tyre është në rritje, ndërkaq, në libër, autori na tregon me detaje se në cilën formë, në ç’mënyrë dhe nga kush përdoren ato! Po, këtu autori Kalisi, duke u mbështetur në të dhënat e fundit, na flet për shtrirjen e internetit në territorin e Kosovës, sa përdoret ai nga qytetarët dhe për sfidën ose përparësinë që po krijon, sidomos në rrafshin e informimit.
Historia e përmendur e rregullimit ligjor të medieve tradicionale dhe sociale në Kosovë mund të jetë një pasqyrim i përditësimit të shpejtë që e ka përfshirë një shoqëri e cila, më shumë se për kaos, ka pasur nevojë për rend. Rendi është faktori kyç i cili tërheq vëmendjen te besueshmëria e medieve, të cilën e konstaton edhe shkruesi i studimit si element esencial në vlerësimin e performancës së tyre në të gjitha çështjet që trajtojnë. Në këtë kapitull, ndër të tjera, shtjellohet në detaje media sociale dhe rëndësia e saj në krijimin e tregimit në sferën publike, ku prodhuesi dhe marrësi i informacionit mund të mos jenë të qartë. E, duke pasur mundësi të mos jenë të qartë, atëherë edhe krijimi i opinionit publik determinon situata dhe rrjedha shoqëroro-politike me ndikim.
Gjeneratat, përmes tregimit për frikën e humbjes së peshës së lajmdhënësve pararendës, si gazetat, radioja dhe televizioni, kanë vazhduar edhe me daljen e internetit e të rrjeteve sociale. Mirëpo, në këtë fenomen, autori nuk sheh humbje të peshës, por e konsideron ndihmues në rritjen e shpejtësisë së shpërndarjes së informacionit. Megjithatë, vazhdon të jetë i kujdesshëm për të na rikujtuar se përdorimi mund të jetë edhe me konotacion negativ.
Pasi i elaboron pikëpamjet dhe shtjellimet për boshtin e studimit, që janë mediet sociale, dr. Kalisi, në këtë kapitull, na flet edhe për çështjen që e analizon, pra për dialogun Kosovë–Serbi, historikun e tij, marrëveshjet e arritura, rrjedhat politike dhe peshën e tij. Duke e vërejtur se si i është qasur mënyrës së shpjegimit të kësaj çështjeje, lexuesi mund të mendojë që autori është inspiruar të merret me këtë temë për shkak të mungesës së transparencës që e ka përcjellë procesin e dialogut dhe, përmes këtij hulumtimi e studimi të detajuar, ka dashur ta informojë dhe të apelojë për transparencë për një çështje që nuk prek vetëm vendimmarrësit e politikëbërësit, por qytetarin e vendit. Dialogu i nisur pas vitit 2011 mes Kosovës dhe Serbisë ka prodhuar efekte të prekshme dhe me pasoja historike; për rrjedhojë, është bërë edhe çështje studimi nga këndvështrime të ndryshme profesionale.
Në kapitullin e dytë, shpjegohet metodologjia e punës së studimit, qëllimi, objektivat, por mbi të gjitha pyetjet kërkimore të cilat e kanë ndjekur hulumtimin. Në kapitullin e tretë, nxirren në mënyrë milimetrike të gjitha rezultatet e hulumtimit, rrugëtimi, koha dhe ndërdisiplinariteti i formulave të përdorura deri te përmbyllja e tij. Ndërkaq, në kapitullin e katërt, autori i studimit i diskuton rezultatet. Interesant del debati që e zhvillon me punën e tij, sidomos duke i hedhur poshtë hipotezat të cilat i kishte nxjerrë dhe që qytetari e rrethanat e krijuara me mediet sociale nuk ia konfirmonin.
VËREJTJET KRITIKE
Duke pasur parasysh se libri rrjedh nga disertacioni i studimit doktoral, në të cilin statistikat numerike dhe të dhënat empirike janë të domosdoshme të prezantohen me saktësi milimetrike, botimi mund të mos jetë lehtësisht i kuptueshëm për lexuesin e rëndomtë.
Çmontimi i boshtit të temës për ta analizuar çështjen përmes statistikave, formulave dhe qasjeve ndërdisiplinare është i kapshëm për disa kategori të cilave autori u jep edhe rekomandime, si institucionet, mediet dhe platformat digjitale, sistemi arsimor, studiuesit dhe mekanizmat ndërkombëtarë. Megjithatë, kjo qasje mund të paraqesë vështirësi për qytetarët, qoftë si përdorues të rrjeteve sociale, qoftë thjesht si lexues dhe ndjekës të tyre.
Për rrjedhojë ky libri i dr. Mehmet Kalisit, është një prurje akademike në literaturën e medies dhe komunikimit masiv në hapësirën shqiptare.
KONKLUZIONET
Libri „Sfera publike e lëngshme – mediet sociale, opinioni publik dhe (pa)mundësia e dialogut Kosovë–Serbi”, i dr. Mehmet Kalisit, i përqendruar në hulumtimin dhe studimin e opinionit publik të krijuar si pasojë e medieve sociale në çështjen e dialogut Kosovë–Serbi, vendos kushte të tjera të diskutimit për këtë fenomen në hapësirën shqiptare.
Reflektimet përfundimtare na thonë se mediet sociale e kanë shpërfytyruar median, e cila jo vetëm informon, por edhe edukon në kushtet e një rendi shoqëror të vendosur në një hapësirë gjeografike. Ky ndryshim, na bënë me dije autori, shkon në tehun e mundësive dhe rreziqeve. Kujdesi për të kuptuar rolin, qëllimin dhe synimin e medieve sociale në interaksionin tonë ndërsocial duhet të jetë i madh, në mënyrë që ky produkt të ndërtojë ura dhe jo të thellojë hendeqet, siç cilëson edhe vetë autori i studimit. Leximi i këtij libri nuk është vetëm qejf, por domosdoshmëri e rrethanave për secilin që i dedikon energji të publikshmes! -Panorama-
*Autori, politolog nga Kosova






