Shkollat po zbrazen në RMV: pothuajse 9.000 nxënës më pak në klasën e parë brenda një dekade

    Çdo vit shkollor, në shkolla regjistrohen gjithnjë e më pak nxënës në klasën e parë. I lartë është edhe numri i fëmijëve që largohen gjatë vitit shkollor, pasi shpërngulen jashtë vendit së bashku me familjet e tyre, përcjell Nistori.

    Rënia e natalitetit dhe emigrimi i të rinjve janë ndër arsyet kryesore për uljen e vazhdueshme të numrit të nxënësve të klasës së parë në shkollat e Maqedonisë së Veriut. Viti i ri shkollor është në prag, ndërsa deri më tani, në nivel shtetëror, janë regjistruar rreth 14.500 nxënës në klasën e parë. Një dekadë më parë, ky numër ishte 23.266.

    Në vitin 2016, në vend kishte 23.266 nxënës të klasës së parë, ndërsa një vit më vonë numri ra në 21.656. Në vitin 2018, në klasën e parë u regjistruan 22.130 nxënës, ndërsa në vitin 2019 numri ishte 20.656. Në vitin 2020 shkollën e filluan 21.053 nxënës të klasës së parë, kurse një vit më vonë numri arriti në 21.158.

    Vitet e fundit, numri ka vazhduar të bjerë. Vitin e kaluar, klasën e parë e filluan 17.921 nxënës, ndërsa këtë vit janë regjistruar rreth 14.500. Megjithatë, Ministria e Arsimit dhe Shkencës (MASH) thekson se ky nuk është numri përfundimtar, pasi regjistrimi i nxënësve të klasës së parë që kanë humbur afatin e rregullt vazhdon deri në fund të shtatorit.

    MASh: këtë vit do të mbyllen 26 shkolla rajonale

    Në një konferencë për shtyp, ministrja e Arsimit dhe Shkencës, Vesna Janevska, deklaroi se këtë vit pritet të mbyllen 26 shkolla rajonale në zonat rurale, në të cilat nuk do të ketë nxënës të regjistruar në klasën e parë dhe ku, siç u shpreh ajo, “gjoja mësojnë” nga pesë deri në tetë fëmijë.

    “Aktualisht kemi rreth 200 paralele më pak në arsimin fillor dhe 100 paralele më pak në arsimin e mesëm. Theksoj se kjo po bëhet për t’u mundësuar nxënësve socializim dhe cilësi më të mirë të arsimit, dhe jo një ekzistencë të izoluar në një mjedis të caktuar rural, ku mbizotërojnë parime dhe madje edhe stereotipe të caktuara dhe ku cilësia e arsimit nuk mund të jetë e përshtatshme për shkak të numrit të vogël të nxënësve. Sidomos nëse flasim për paralele të kombinuara, ku mësojnë nxënës nga tri klasa të ndryshme, aq sa lejohet me ligj”, tha Janevska.

    Ajo shpjegoi se paralelet e kombinuara do të mbeten vetëm aty ku kjo është e domosdoshme, përkatësisht në rastet kur shkolla rajonale ndodhet më shumë se 15 deri në 20 kilometra larg shkollës qendrore më të afërt.

    “Nëse kemi një shkollë qendrore me 200 fëmijë dhe 2,5 kilometra larg saj kemi një shkollë me 18 fëmijë, nuk ka kuptim t’i mbajmë këta 18 fëmijë të izoluar në atë shkollë. Duhet t’i zhvendosim në shkollën tjetër”, theksoi Janevska.

    Emigrimi, një nga problemet kryesore

    Arsyet kryesore të rënies së numrit të nxënësve janë nataliteti i ulët dhe emigrimi. Siç shpjegon për Meta demografi dhe ish-drejtori i Entit Shtetëror të Statistikave, Donço Gerasimovski, nga vendi largohen kryesisht çifte të reja me fëmijë, ndërsa një pjesë e fëmijëve të tyre lindin jashtë vendit.

    Sipas tij, nëse analizohen shifrat, bie në sy një dallim prej rreth 1.000 nxënësish ndërmjet fillimit dhe përfundimit të vitit shkollor. Kjo tregon se një pjesë e nxënësve e ndërpresin shkollimin gjatë vitit dhe largohen jashtë vendit së bashku me familjet e tyre.

    Gerasimovski ka theksuar disa herë se është e nevojshme të hartohet një strategji për zhvillimin e politikave të popullsisë, si dhe një strategji për arsimin, me qëllim përballimin e kësaj situate.

    “Unë e analizoj situatën edhe në vende të tjera. Lëvizjet demografike globale janë të pranishme kudo. Njerëzit po lëvizin gjithandej, përfshirë Bullgarinë, Serbinë dhe Shqipërinë. Megjithatë, shteti duhet ta trajtojë këtë çështje shumë më seriozisht”, apelon Gerasimovski.

    Vitin e kaluar, më 1 shtator, Meta vizitoi fshatin Furkë, në Komunën e Dojranit, ku në klasën e parë kishte vetëm një nxënës.

    Lajmi Paraprak

    Mediet sociale përballë dialogut Kosovë–Serbi

    Lajmi i rradhës

    Nafta mbi 100 denarë, vala e re e shtrenjtimit pritet të rëndojë xhepat e qytetarëve

    Lajme tjera

    Bashkohu

    Informohu në kohë