Pesë persona janë arrestuar për incidentin e rëndë në Çair, ku një 13-vjeçar u plagos me thikë. Ministri i Punëve të Brendshme, Pançe Toshkovski, tha se një i mituri ndodhet në gjendje shumë të rëndë dhe po lufton për jetën.
“Një person aktualisht është në gjendje shumë të rëndë shëndetësore, po lufton për jetën. Bëhet fjalë për një të mitur, ndërsa sipas informacioneve fillestare të marra nga shërbimet në Ministri, edhe ai që e kryen veprën penale është i mitur. Fëmija me lëndime të rënda trupore dhe fëmija që i ka shkaktuar ato janë të së njëjtës gjeneratë, të lindur në vitin 2012″, tha Toshkovski.
Ai shtoi se mesazhi nga kjo ngjarje kriminale është i tmerrshëm.
“Këto skena të tmerrshme, nga aspekti i veprave penale, janë sfidë jo vetëm për shtete si yni, por edhe për shtetet e mëdha dhe të zhvilluara anëtare të Bashkimit Evropian. Bëhet fjalë për kryerjen e veprave penale jashtëzakonisht të dhunshme nga të miturit, ku përgjigjja shoqërore dhe penale është shumë ndryshe nga ajo kur bëhet fjalë për persona madhorë. Këtu duhet që si shoqëri të hyjmë pak më thellë në këtë çështje dhe duhet të ketë një përgjigje më të gjerë institucionale – nga ministritë kompetente, nga të gjithë faktorët shoqërorë, prindërit, qendrat sociale, MPB-ja, Ministria e Politikës Sociale, Demografisë dhe Rinisë, Ministria e Arsimit, qendrat shëndetësore dhe Ministria e Shëndetësisë. Vërtet, kjo është një nga sfidat më të tmerrshme që kemi përpara”, tha Toshkovski.
Sipas informacioneve nga Ministria e Punëve të Brendshme, ngjarja është raportuar pasi më 31.08.2026, rreth orës 22:00, ka ndodhur një përleshje fizike mes dy grupeve të të rinjve. Në njërën anë kanë qenë B. I. dhe 13-vjeçari i arrestuar, ndërsa në anën tjetër kanë marrë pjesë I. Z. (19), një tjetër 13-vjeçar dhe një 16-vjeçar, të gjithë banorë të Shkupit.
Gjatë përleshjes, 13-vjeçari i arrestuar ka përdorur thikë dhe u ka shkaktuar plagë me thikë të tre personave nga grupi tjetër.
Si pasojë e plagëve të shkaktuara me thikë, 19-vjeçari I. Z. dhe 13-vjeçari nga grupi i dytë kanë pësuar lëndime të rënda trupore, ndërsa 16-vjeçari ka pësuar lëndime trupore.






