Tetë organizata të shoqërisë civile i kanë paraqitur kërkesë Kryeministrit të Republikës së Maqedonisë së Veriut për shqyrtimin urgjent të përgjegjësisë dhe shkarkimin e drejtorit të Agjencisë për Realizimin e të Drejtave të Komuniteteve, Dalibor Kitanoviq, përcjell Nistori.
Ato thonë se arsyeja e kërkesës është një postim i shpërndarë publikisht nga drejtori, në të cilin, nën mesazhet “Për Kryqin e Nderit dhe Lirinë e Artë” dhe “Gjeneralët e Ushtrisë Qiellore”, paraqiten figura të glorifikuara të lidhura me lëvizjen çetnike, përfshirë Drazha Mihajloviqin dhe Ratko Mlladiqin, i cili është dënuar për gjenocid, krime kundër njerëzimit dhe krime lufte.
Organizatat e shoqërisë civile vlerësojnë se një postim i tillë nuk mund të trajtohet vetëm si mendim privat, pasi vjen nga një bartës i funksionit publik, i cili drejton një institucion përgjegjës për realizimin, promovimin dhe mbrojtjen e të drejtave të komuniteteve më të vogla, përfshirë boshnjakët, turqit, romët, serbët, vllehët dhe komunitete të tjera.
“Drejtori i Agjencisë pritet të kontribuojë në besimin ndëretnik, barazinë dhe bashkëjetesën. Lavdërimi i individëve dhe ideologjive që lidhen me persekutimin, asimilimin, krimet e luftës dhe gjenocidin është i papajtueshëm me mandatin dhe përgjegjësinë e funksionit që ai ushtron”, thuhet në kërkesë.
Organizatat i referohen gjithashtu pozitës së punonjësve të Agjencisë që u përkasin komuniteteve të prekura, duke ngritur pyetjen nëse ata mund të ndihen të sigurt dhe dinjitozë në një mjedis pune të drejtuar nga një person që shpërndan publikisht mesazhe të tilla.
Qeverisë i kërkohet të shqyrtojë përgjegjësinë politike, etike dhe institucionale të Kitanoviqit, të marrë vendim për shkarkimin e tij, të ndërmarrë masa për mbrojtjen e punonjësve dhe të distancohet publikisht nga glorifikimi i kriminelëve të dënuar të luftës dhe ideologjive që nxisin urrejtje kombëtare dhe fetare.
Në të njëjtën kohë, Prokurorisë Publike i kërkohet që, sipas detyrës zyrtare, të shqyrtojë përmbajtjen dhe kontekstin e postimit dhe të përcaktojë nëse ka elemente të veprës penale sipas nenit 407-a të Kodit Penal. Organizatat theksojnë se vlerësimi i përgjegjësisë së mundshme penale është ekskluzivisht në kompetencën e organeve të ndjekjes penale dhe gjykatave.
Kërkesa i është dorëzuar gjithashtu Komisionit për Parandalimin dhe Mbrojtjen nga Diskriminimi dhe Koordinatorit Kombëtar për Bashkëpunim Ndëretnik dhe Ndërdepartamental, Salko Kuç.
“Kjo nuk është çështje e politikës ditore, e përkatësisë etnike apo e bindjeve private. Kjo është çështje e vlerave qytetëruese, e sundimit të ligjit, e respektit ndaj viktimave dhe e përgjegjësisë së bartësve të funksioneve publike”, thonë nënshkruesit.
Kërkesa është nënshkruar nga përfaqësues të OJQ-së “Šadrvan”, OJQ-së “Divan”, Institutit për Kërkime dhe Analiza të Politikave “Romalitiko”, OJQ-së “Divanhana”, OJQ-së “Legis”, OJQ-së “Smart Code”, Këshillit Kombëtar Boshnjak dhe Komunitetit Kulturor Boshnjak. /Nistori/






