I priten gomat automjetit të QPS-së në Tetovë, para kontrollit të përfituesve të rremë të pensioneve sociale

    Zyrtarët e Qendrës për Punë Sociale në Tetovë duhej të dilnin dje në terren për të kontrolluar mënyrën e shpërndarjes së pensioneve sociale në qytet, me urdhër të drejtoreshës Magdalena Veselinovska. Megjithatë, kontrollet u penguan ende pa filluar, pasi dikush kishte prerë gomat e njërit prej automjeteve zyrtare me të cilat punonjësit duhej të vizitonin përfituesit, mëson „Sloboden Peçat“ nga burime të mirëinformuara, përcjell Nistori.

    Pas kontrollimit të pamjeve nga kamerat e sigurisë, nuk është arritur të identifikohet personi që kishte dëmtuar automjetin. Qendra për Punë Sociale në Tetovë ka konfirmuar se është raportuar një incident lidhur me dëmtimin e një automjeti zyrtar. Rasti është raportuar në orën 08:15.

    Më herët, kryeministri Hristijan Mickoski deklaroi se janë zbuluar më shumë se 4.500 persona që kanë përfituar ndihmë minimale të garantuar dhe pension social pa i përmbushur kushtet ligjore. Sipas tij, mes tyre ka pasur persona të vdekur, qytetarë të shpërngulur dhe përfitues fiktivë.

    „Deri më tani kemi më shumë se 4.500, pra jo 45, jo 450, por 4.500 përfitues të rremë të ndihmës minimale të garantuar dhe pensionit social“, deklaroi Mickoski.

    Ministri i Politikës Sociale, Gjoko Velkovski, njoftoi pardje se po kryhen kontrolle ndaj përfituesve të ndihmës minimale të garantuar dhe pensionit social për të moshuarit. Ai bëri të ditur se deri më tani pagesat janë pezulluar për më shumë se tre mijë përfitues, për shkak të parregullsive dhe abuzimeve të konstatuara.

    Sipas Velkovskit, aksioni i kontrollit tashmë po hyn në fazën përfundimtare.

    Lajmi Paraprak

    Rritet numri i atyre që refuzojnë shërbimin ushtarak në Gjermani

    Lajme tjera

    Bashkohu

    Informohu në kohë