Në episodin e parë të sezonit të tretë të emisionit të shkurtër “Interkultura”, Robert Alagjozovski bisedon me Artan Sadikun, drejtues i Jadros – Shoqatës së Skenës së Pavarur Kulturore. Ata diskutuan për situatën aktuale të skenës së pavarur kulturore, e cila konsiderohet gjaku i kulturës dhe bartëse e vetëdijes kritike në shoqëri, përcjell Nistori.
Sadiku theksoi rënien e vazhdueshme të mbështetjes për skenën e pavarur kulturore, në një kohë kur buxheti shtetëror është vazhdimisht në rritje.
“Është treguese që çdo vit Maqedonia ka një buxhet shtetëror gjithnjë e më të madh, ndërsa buxheti për skenën e pavarur kulturore zvogëlohet çdo vit. Kjo është mjaft domethënëse. Nuk do të thotë se nuk ka fonde; para së gjithash, nuk ka vullnet për të ndarë fonde për skenën e pavarur kulturore. Ajo që po ndodh me manifestime të caktuara tregon se, kur ka vullnet, fondet gjenden nga burime të ndryshme”, thekson Sadiku.
Sipas tij, situata është e kundërt në vendet e tjera të rajonit.
“Në të gjitha vendet e tjera të rajonit, gjatë 10 viteve të fundit, mbështetja për sektorin e pavarur kulturor, për skenën e pavarur kulturore, është rritur çdo vit. Vetëm në Maqedoni kjo mbështetje po zvogëlohet. Kjo tregon, nga njëra anë, një ndryshim në vlerat kulturore dhe në matricën kulturore të autoriteteve, të cilat nuk duan që kjo skenë të forcohet kaq shumë dhe të jetë e pranishme. Për këtë arsye, vullneti për çdo partneritet strategjik po zvogëlohet çdo vit, deri në atë pikë sa së shpejti mund të mos ekzistojë fare”, vlerësoi Sadiku.
Ai konsideron se projekti “Shkupi – Kryeqyteti Europian i Kulturës 2028” ndjek një koncept megalomaniak, të përqendruar te spektaklet dhe jo te projektet e mirëfillta kulturore, ndërsa tashmë po shfaq shenja të menaxhimit të dobët, karakteristik për projekte të tilla në rajon.
“Ata shpenzojnë miliona për ngjarje të tilla dhe shumë pak nga ato para kanalizohen në atë që mund ta bëjë vërtet qytetin një përvojë të këndshme për njerëzit që vijnë për ta vizituar. Këtë rol e ka pasur gjithmonë skena e pavarur kulturore lokale, e cila e njeh vërtet qytetin, njeh çdo pjesë të tij dhe përbën pulsin e qytetit, e jo festivalet dhe spektaklet e mëdha. Skena e pavarur kulturore është ajo që përfaqëson rrjedhën e gjakut kulturor të qytetit, që e ndërton vërtet qytetin nga poshtë dhe ofron një mundësi të përditshme për ta përjetuar atë ashtu siç është, e jo ashtu siç duhet të ndërtohet dhe t’i paraqitet publikut ndërkombëtar”, thotë Sadiku.
Sadiku shprehu keqardhje për ndryshimet e shpeshta të ministrave të Kulturës dhe mungesën e një vizioni për kulturën në nivelin më të lartë shtetëror, si dhe për ndryshimet e vazhdueshme të prioriteteve dhe politikave strategjike.
Ndiqeni të plotë episodin e “Interkultura” me Artan Sadikun, kryetar i Jadros – Shoqatës së Skenës së Pavarur Kulturore, një nga organizatat më të rëndësishme të shoqërisë civile në skenën kulturore të vendit. /Nistori/




