Nga mbi 400 autobusë dhe automjete të tjera me të cilat transportohen pasagjerë, policia ka konstatuar parregullsi në pothuajse një të katërtën e tyre. Gjatë një kontrolli të kryer brenda vetëm një dite, Ministria e Punëve të Brendshme ka kontrolluar gjithsej 405 autobusë dhe automjete të tjera që përdoren për transport publik të pasagjerëve, ndërsa parregullsi janë konstatuar në 92 prej tyre. Gjithsej 170 automjete janë dërguar për kontroll teknik, ndërsa 34 janë nxjerrë nga qarkullimi për shkak të parregullsive teknike, përcjell Nistori.
Gjatë kontrolleve janë ngritur edhe tri kallëzime penale për drejtim të pakujdesshëm të automjetit. Kjo vepër përfshin drejtimin nën ndikimin e alkoolit, me përqendrim prej të paktën 1,50 promilësh në gjak, tejkalimin e shpejtësisë së lejuar me më shumë se 50 kilometra në orë në zonë të banuar ose me më shumë se 70 kilometra në orë jashtë zonës së banuar, si dhe drejtimin nën ndikimin e drogave dhe substancave psikotrope.
Në kuadër të kontrolleve, një automjet është sekuestruar, ndërsa janë konstatuar edhe 239 kundërvajtje të tjera. /Nistori/




