Kos: ndryshimet në Ligjin për Specialen janë të papranueshme për BE-në

    Komisionarja evropiane për Zgjerim, Marta Kos, tha se ndryshimet në Ligjin për Dhomat e Specializuara të Kosovës bien ndesh me detyrimet themelore të vendit ndaj BE-së dhe janë të papranueshme.

    Duke folur para takimit të ministrave të Jashtëm të BE-së në Luksemburg, më 12 tetor, Kos kritikoi ndryshimin e rregullave ligjore ndërkohë që proceset gjyqësore janë ende në zhvillim.

    “Dua të jem e qartë se ndryshimet në Ligjin për Dhomat e Specializuara në Kosovë bien ndesh me detyrimet themelore të Kosovës ndaj BE-së. Kjo është e papranueshme”, tha Kos.

    Sipas saj, ndryshimi i rregullave gjatë zhvillimit të një procesi gjyqësor bie ndesh me standardet ndërkombëtare të sundimit të ligjit.

    “Mesazhi im është shumë i thjeshtë. Zgjerimi evropian po ecën përpara. Nëse vendet kandidate bëjnë hapa prapa, ato nuk janë në rrugën e duhur dhe nuk do të mund të bëhen anëtare të BE-së”, tha ajo.

    Deklarata e Kosit vjen pasi Kuvendi i Kosovës miratoi, javën e kaluar, ndryshimet në ligjin që rregullon funksionimin e Dhomave të Specializuara në Hagë, të njohura si Gjykata Speciale.

    Ndryshimet u propozuan nga Partia Demokratike e Kosovës, vetëm pesë ditë pas aktgjykimit të 16 shtatorit, kur Dhomat e Specializuara dënuan ish-presidentin e Kosovës, Hashim Thaçi, dhe tre ish-udhëheqësit e tjerë të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës – Kadri Veselin, Jakup Krasniqin dhe Rexhep Selimin – me gjithsej 81 vjet burgim për krime lufte.

    Të katërt u deklaruan të pafajshëm gjatë gjithë procesit gjyqësor.

    Ndryshimet ligjore synojnë të kufizojnë juridiksionin e Dhomave të Specializuara, duke ngushtuar periudhën kohore dhe kategoritë e veprave penale që ato mund të trajtojnë.

    Ato parashohin, ndër të tjera, uljen e dënimit maksimal me burgim në 15 vjet, mundësinë e ankimimit në Gjykatën Supreme të Kosovës dhe vuajtjen e dënimeve në Kosovë.

    BE-ja kërkon respektimin e pavarësisë së Speciales

    Deklarata e Kosit është paralajmërimi më i fundit nga BE-ja lidhur me ndryshimet ligjore.

    Më 8 tetor, Shërbimi Evropian i Veprimit të Jashtëm deklaroi se ndryshimet në Ligjin për Dhomat e Specializuara janë në kundërshtim me detyrimet ndërkombëtare të Kosovës ndaj BE-së.

    Në reagim, BE-ja theksoi se Dhomat e Specializuara janë institucion i pavarur gjyqësor, i themeluar përmes vendimeve të Kuvendit të Kosovës në vitet 2014 dhe 2015, dhe se mandati dhe pavarësia e tyre duhet të respektohen plotësisht.

    BE-ja i bëri thirrje Kosovës të respektojë detyrimet ndërkombëtare, të garantojë pavarësinë e gjykatës, drejtësinë për viktimat dhe familjet e tyre nga të gjitha komunitetet, si dhe mbrojtjen dhe sigurinë e dëshmitarëve.

    Shqetësime të ngjashme shprehu edhe Ambasada e Gjermanisë në Prishtinë, duke theksuar se pavarësia e Dhomave të Specializuara nuk mund të cenohet.

    PDK-ja, nga ana tjetër, e kundërshtoi vlerësimin e BE-së.

    Deputeti i kësaj partie, Përparim Gruda, tha se ndryshimet nuk shkelin asnjë detyrim ndërkombëtar të Kosovës.

    Sipas PDK-së, synimi nuk është mbyllja e gjykatës, por kufizimi i mandatit të saj në përputhje me qëllimin për të cilin ishte themeluar.

    Kryeministri Albin Kurti, ndërkohë, i kishte cilësuar ndryshimet si të ngutshme dhe jo mjaftueshëm të analizuara, megjithëse Lëvizja e tij Vetëvendosje i mbështeti ato gjatë shqyrtimit në Kuvend.

    Dhomat e Specializuara janë pjesë e sistemit gjyqësor të Kosovës, por funksionojnë në Hagë me gjyqtarë dhe prokurorë ndërkombëtarë.

    Ato u themeluan për të trajtuar pretendimet për krime të kryera gjatë dhe pas luftës së viteve 1998-1999 në Kosovë.

    Baza e themelimit të tyre lidhet edhe me marrëveshjet ndërkombëtare të Kosovës me BE-në, përfshirë shkëmbimin e letrave të vitit 2014, që parashihte konsultime për ndryshime ligjore që mund të preknin mandatin e gjykatës.

    Një tjetër pengesë në marrëdhëniet Kosovë-BE

    Kundërshtimi i BE-së ndaj ndryshimeve në Ligjin për Gjykatën Speciale shton edhe një tjetër çështje mospajtimi në marrëdhëniet mes Brukselit dhe Prishtinës, në një kohë kur Kosova ende nuk e ka marrë statusin e vendit kandidat për anëtarësim në bllok.

    Kosova aplikoi për anëtarësim në dhjetor të vitit 2022, por mbetet vendi i vetëm në Ballkanin Perëndimor pa statusin e kandidatit.

    Përparimi i saj drejt BE-së varet, ndër të tjera, nga reformat në sundimin e ligjit, funksionimi i institucioneve demokratike dhe normalizimi i marrëdhënieve me Serbinë.

    Në raportin e fundit për zgjerimin, Komisioni Evropian theksoi se afrimi me BE-në kushtëzohet nga përparimi në demokraci, sundimin e ligjit dhe respektimin e të drejtave themelore.

    Ai ritheksoi, gjithashtu, rëndësinë e normalizimit të marrëdhënieve me Serbinë për perspektivën evropiane të Kosovës.

    Rrugën e Kosovës drejt anëtarësimit e ndërlikon edhe fakti që pesë vende anëtare të BE-së – Spanja, Greqia, Rumania, Sllovakia dhe Qiproja – vazhdojnë të mos e njohin pavarësinë e saj. REL

    Lajmi Paraprak

    Gazetaria nën presion në Ballkanin Perëndimor – nga sfidat ekonomike dhe politike tek IA

    Lajme tjera

    Bashkohu

    Informohu në kohë