Njëmijë euro pagë mesatare deri në vitin 2028, apo 600 euro pagë minimale që sot? Kjo është dilema që ka ndezur përplasjen e radhës mes Qeverisë dhe opozitës për standardin jetësor në Maqedoninë e Veriut. Derisa kryeministri Hristijan Mickoski paralajmëron se vendi po ecën drejt pagës mesatare prej 1.000 eurosh, LSDM-ja opozitare ia kujton se propozimi i saj për pagë minimale prej 600 eurosh nuk mori mbështetjen e shumicës parlamentare. Përtej shifrave dhe akuzave politike, mbetet pyetja se sa nga rritja e pagave përkthehet realisht në përmirësim të jetesës së qytetarëve.
Kryeministri Hristijan Mickoski deklaroi se paga mesatare neto në muajin korrik ka arritur në 48.499 denarë, duke shënuar rritje nominale vjetore prej 7,1 për qind. Sipas tij, synimi i Qeverisë është që deri në përfundim të mandatit katërvjeçar, në pranverën e vitit 2028, paga mesatare të arrijë ose t’i afrohet nivelit prej 1.000 eurosh. “Qëllimi i kësaj Qeverie është që deri në fund të mandatit të saj t’i afrohet pagës mesatare prej 1.000 eurosh ose pak mbi 60.000 denarë”, deklaroi Mickoski.
Kreu i Qeverisë u ndal edhe te lëvizja e çmimeve, duke theksuar se gjatë tremujorit të tretë të vitit, përkatësisht në korrik, gusht dhe shtator, rritja e shpenzimeve të jetesës ka lëvizur ndërmjet 2,3 dhe 2,7 për qind. Ai pretendon se kjo normë është më e ulët se mesatarja në Bashkimin Evropian, të cilën e vendosi mbi 3,8 për qind. Me këto të dhëna, Mickoski argumenton se politikat ekonomike të Qeverisë po japin rezultate dhe se rritja e pagave, krahas lëvizjeve të inflacionit, krijon kushte për përmirësimin gradual të fuqisë blerëse.
NUK KA 600 EURO, POR PREMTOJNË 1.000!
Por, krejtësisht ndryshe e sheh situatën opozita maqedonase. LSDM-ja ka reaguar ashpër ndaj deklaratave të kryeministrit, duke i cilësuar premtimet për pagën mesatare prej 1.000 eurosh si jorealiste, përderisa, sipas saj, pushteti nuk pranon të mbështesë rritjen e pagës minimale në 600 euro.
Nga kjo parti rikujtojnë se propozim-ligji i tyre për rritjen e pagës minimale në 600 euro është refuzuar së fundmi në Kuvend, duke akuzuar shumicën parlamentare për mungesë të mbështetjes ndaj punëtorëve me të ardhura më të ulëta.
Sipas LSDM-së, deputetët e VMRO-DPMNE-së nuk e votuan propozimin, deputetët e ZNAM-it nuk i dhanë mbështetje, ndërsa ata të partisë E Majta nuk ishin të pranishëm në sallë gjatë votimit. Opozita konsideron se ekziston një kundërthënie ndërmjet paralajmërimeve për rritje të pagës mesatare në të ardhmen dhe refuzimit të një ndërhyrjeje të menjëhershme në pagën minimale. “Një pagë mesatare prej një mijë eurosh nuk arrihet me fjalime. Ajo arrihet me vepra, me rritjen e pagës minimale dhe me uljen e shpenzimeve të shportës sindikale. Nuk ka 600, ka një mijë. Nuk ka pagë, ka vizatime. Përrallat nuk kanë fund, ndërsa faturën e paguan populli”, thuhet në reagimin e LSDM-së.
SHPORTA SINDIKALE, ARGUMENTI TJETËR I OPOZITËS
Një tjetër pikë e përplasjes është kostoja e jetesës. LSDM-ja pretendon se edhe dy paga minimale nuk mjaftojnë për të mbuluar shpenzimet e shportës së reduktuar të konsumit, ndërsa, nëse përfshihen edhe shpenzimet për qira, vlera e shportës sindikale tejkalon 90.000 denarë. Sipas opozitës, çmimet e produkteve bazë dhe të karburanteve vazhdojnë të rëndojnë buxhetet familjare, ndërsa masat kundër krizës që kjo parti kishte propozuar nuk janë marrë parasysh nga Qeveria. LSDM-ja kërkon që diskutimi për standardin jetësor të mos kufizohet vetëm te paga mesatare, por të përfshijë edhe të ardhurat e punëtorëve më pak të paguar dhe shpenzimet reale të familjeve.
Megjithëse përplasja politike zhvillohet rreth dy shifrave, 1.000 dhe 600 euro, ato nuk përfaqësojnë të njëjtin tregues ekonomik. Paga mesatare pasqyron mesataren e të ardhurave nga pagat, ndërsa paga minimale përcakton kufirin më të ulët ligjor të pagesës për punën.
Po ashtu, rritja nominale e pagave nuk nënkupton automatikisht rritje të njëjtë të fuqisë blerëse, pasi kjo e fundit varet edhe nga inflacioni. Nga ana tjetër, ulja e normës së inflacionit nuk do të thotë domosdoshmërisht se çmimet po bien, por se ato po rriten me ritëm më të ngadaltë. E derisa Qeveria e vendos theksin te objektivi i pagës mesatare prej 1.000 eurosh deri në vitin 2028, opozita kërkon rritje të menjëhershme të pagës minimale. Se sa do të ndikojnë këto politika në standardin jetësor, do të varet nga vendimet konkrete ekonomike dhe nga raporti ndërmjet rritjes së pagave dhe kostos së jetesës. /Koha/




