Onkologjia në kufijtë e kapaciteteve, pacientët me kancer në RMV presin me javë për trajtim

    Foto ilustruese

    Programet e depistimit (skriningut) ekzistojnë në letër, por nuk arrijnë mjaftueshëm te qytetarët. Për pasojë, mbulimi me kontrolle për kancerin e gjirit është nën 6 për qind. Kapacitetet diagnostikuese janë të pamjaftueshme, ndërsa Klinika Universitare për Radioterapi dhe Onkologji (UKRO) mban barrën e trajtimit të pacientëve nga i gjithë vendi, duke funksionuar në kufijtë e kapaciteteve të saj. Klinika disponon vetëm tre akseleratorë linearë për një popullsi prej 1,8 milion banorësh. Planifikimi i terapive varet nga buxhetet vjetore, ndërsa pacientët humbin javë të tëra nga dyshimi i parë për sëmundjen deri në fillimin e trajtimit. Megjithatë, me të njëjtat pajisje dhe të njëjtin personel, gjatë vitit 2025 shërbimet diagnostikuese u rritën me 15 për qind, ndërsa shërbimet e radioterapisë me 55 për qind. Falë organizimit më të mirë dhe përkushtimit të punonjësve shëndetësorë, sistemi ka arritur të shmangë kolapsin. Këto shqetësime u ngritën gjatë një diskutimi në panel, të mbajtur sot në Qeveri, përcjell Nistori.

    Përfaqësues të Ministrisë së Shëndetësisë dhe të shoqatës HEMA-ONKO u mblodhën sot në Sallën Ceremoniale të Qeverisë, ku u zhvillua punëtoria me temë “Ripërcaktimi i kujdesit onkologjik: zgjidhje sistemike për kujdes të qasshëm dhe të pandërprerë në Maqedoni”.

    Në diskutimet e panelit morën pjesë përfaqësues të Ministrisë së Shëndetësisë, Akademisë së Shkencave dhe Arteve të Maqedonisë (ASHAM), Fakultetit të Mjekësisë, Fakultetit të Farmacisë, Institutit të Shëndetit Publik, Klinikës Universitare për Radioterapi dhe Onkologji dhe Spitalit të Përgjithshëm të Qytetit “8 Shtatori”.

    Të pranishëm ishin gjithashtu drejtorë të institucioneve shëndetësore publike, punonjës shëndetësorë nga sektori publik dhe privat, përfaqësues të pacientëve dhe të industrisë, si dhe ekspertë nga Franca, Sllovenia, Kroacia, Bullgaria, Mali i Zi dhe Bosnjë e Hercegovina.

    “Ky është një moment kritik për të kaluar nga një sistem i fragmentuar dhe i mbingarkuar i kujdesit onkologjik drejt një plani gjithëpërfshirës kombëtar dhe një rrjeti onkologjik me standarde të unifikuara, i cili gëzon mbështetjen e plotë të Qeverisë dhe autoriteteve shëndetësore”, deklaroi ministri i Shëndetësisë, Sasho Klekovski, në hapje të aktivitetit.

    “Për herë të parë në historinë e Maqedonisë, për kancerin po diskutohet në këtë nivel: Qeveria, institucionet, mjekët, pacientët dhe ekspertët më të mirë evropianë së bashku”, deklaroi drejtori i UKRO-së, Igor Stojkovski.

    Shifrat tregojnë se përse ky diskutim është urgjent. Në vitin 2023, në Maqedoninë e Veriut u regjistruan 8.371 raste të reja me kancer, që përbën një rritje prej 16 për qind krahasuar me dhjetë vjet më parë. Gjatë të njëjtit vit, 3.726 persona humbën jetën nga kjo sëmundje.

    Mesatarisht, çdo ditë diagnostikohen rreth 23 raste të reja, ndërsa rreth 11 persona humbin jetën. Megjithëse incidenca e kancerit në vend është më e ulët se në Bashkimin Evropian, vdekshmëria nga kjo sëmundje është më e lartë.

    Në ligjëratën hyrëse, prof. dr. Joseph Gligorov, nga Universiteti i Sorbonës dhe Spitali Tenon në Paris, prezantoi standardet evropiane të kujdesit onkologjik.

    Ai theksoi se Maqedonia e Veriut duhet të kalojë nga një sistem i përqendruar në një qendër të vetme të mbingarkuar drejt një rrjeti kombëtar onkologjik.

    Sipas propozimit të tij, një qendër gjithëpërfshirëse onkologjike duhet të udhëheqë sistemin e kujdesit, duke përqendruar trajtimet më komplekse, ndërsa terapitë e zakonshme duhet të ofrohen sa më afër vendbanimeve të pacientëve.

    Ndër masat që mund të ndërmerren më shpejt, ai veçoi konsultimet e detyrueshme të konsiliumit mjekësor për çdo rast të ri, përfshirë konsultimet në distancë, si dhe përcaktimin e një rrugëtimi të qartë të pacientit, me afate maksimale të pritjes në secilën fazë të diagnostikimit dhe trajtimit.

    Gligorov propozoi gjithashtu hartimin e një plani veprimi për 24 muajt e ardhshëm.

    Paneli i parë, i moderuar nga Sinisha Stojanoski, drejtor i Spitalit të Përgjithshëm të Qytetit “8 Shtatori”, nxori në pah dobësitë kryesore të sistemit të kujdesit onkologjik.

    Në diskutim morën pjesë dr. Marija Andonovska, nga Instituti i Shëndetit Publik, Elena Ristoska, nga Ministria e Shëndetësisë, prof. dr. Igor Stojkovski, nga UKRO-ja, dhe Ana Marjanoviq, nga shoqata HEMA-ONKO.

    Panelistët theksuan se, megjithëse kanceri shfaqet më rrallë në Maqedoninë e Veriut sesa në vendet e Bashkimit Evropian, vdekshmëria nga kjo sëmundje mbetet më e lartë.

    Një nga problemet kryesore është zbatimi i pamjaftueshëm i programeve të depistimit. Edhe pse këto programe ekzistojnë formalisht, ato nuk arrijnë te një pjesë e madhe e qytetarëve, ndërsa mbulimi me kontrolle për kancerin e gjirit mbetet nën 6 për qind.

    Kapacitetet diagnostikuese janë të pamjaftueshme dhe të cenueshme, ndërsa Klinika Universitare për Radioterapi dhe Onkologji vazhdon të mbajë barrën kryesore të trajtimit të pacientëve nga i gjithë vendi.

    Me vetëm tre akseleratorë linearë për 1,8 milion banorë, klinika funksionon në kufijtë e kapaciteteve të saj. Ndërkohë, planifikimi i terapive mbetet i varur nga buxhetet vjetore, duke krijuar pasiguri në vazhdimësinë e trajtimit.

    Pacientët shpesh detyrohen të presin me javë të tëra nga dyshimi i parë për kancer deri në fillimin e terapisë.

    Pavarësisht këtyre vështirësive, gjatë vitit 2025 shërbimet diagnostikuese u rritën me 15 për qind, ndërsa radioterapia me 55 për qind, pa shtimin e pajisjeve apo të personelit.

    Sipas pjesëmarrësve, kjo rritje është arritur falë organizimit më të mirë të punës dhe angazhimit të punonjësve shëndetësorë, të cilët kanë kontribuar në shmangien e kolapsit të sistemit.

    Paneli i dytë, me temë “Nga nevojat te vendimet: infrastruktura dhe teknologjia në kujdesin onkologjik”, iu kushtua përcaktimit të prioriteteve për përmirësimin e shërbimeve.

    Nën moderimin e Ana Shutinoskës, pjesëmarrësit diskutuan në tri raunde rreth tri çështjeve kryesore: ku nevojiten ndërhyrjet më urgjente, cilat praktika po japin rezultate dhe cilët duhet të jenë hapat e ardhshëm.

    Diskutimi u përqendrua te nevojat prioritare për përmirësimin e infrastrukturës dhe teknologjisë mjekësore, me qëllim rritjen e cilësisë dhe qasshmërisë së kujdesit për pacientët onkologjikë.

    U shqyrtuan gjithashtu strategjitë afatgjata për krijimin e një qasjeje të koordinuar kombëtare ndaj parandalimit, diagnostikimit dhe trajtimit të sëmundjeve malinje.

    Në sesionin përmbyllës, në emër të pacientëve foli Ana Marjanoviq, nga shoqata HEMA-ONKO.

    Ministri i Shëndetësisë, Sasho Klekovski, prezantoi drejtimet kryesore të veprimit të Ministrisë, duke paralajmëruar masa urgjente për stabilizimin e kujdesit onkologjik, krahas hartimit të një strategjie kombëtare afatgjatë për kontrollin e kancerit.

    “Sot, për herë të parë, kemi një pasqyrë të përbashkët: ku jemi, ku duam të arrijmë dhe si do të shkojmë deri atje. Pacientët që po trajtohen sot nuk mund të presin, prandaj masat urgjente vijnë të parat. Paralelisht, po nisim disa aktivitete, si studimi për infrastrukturën dhe teknologjinë, si dhe ndërtimi i një qasjeje kombëtare afatgjatë ndaj kontrollit të kancerit. Nga ky vit, Maqedonia është pjesë e programit EU4Health, me kushte të njëjta si vendet anëtare. Fondet evropiane shkojnë aty ku ka një plan kombëtar, një institucion udhëheqës të qartë dhe të dhëna, dhe pikërisht këtë do ta ndërtojmë”, deklaroi ministri Klekovski.

    Lajmi Paraprak

    VLEN paralajmëron emërime të reja në Qeveri dhe institucione, javën e ardhshme diskutimet me Mickoskin

    Lajme tjera

    Bashkohu

    Informohu në kohë