Evarist Beqiri
Shqipëria ndodhet në një udhëkryq të rrezikshëm. Anija është përplasur me shkëmbin dhe po fut ujë ngado. Ndërkohë, kapiteni influencer po përgatit videomontazhin e radhës për rrjetet sociale.
Flakët në rrugët e Tiranës nuk janë thjesht një problem i rendit publik. Ato janë certifikata e vdekjes së një modeli qeverisës. Qeveria shqiptare po detyrohet të barrikadohet pas kordonëve policorë për t’u mbrojtur nga gjimnazistët dhe fëmijët e saj. Ajo e ka humbur legjitimitetin moral, pavarësisht se çfarë thonë numrat në Parlament.
Atë që politika nuk e bëri dot për vite të tëra, e bëri rinia brenda 24 orëve. Këta të rinj nuk dolën për rotacione të vjetra partiake. Ata dolën sepse ndihen të përjashtuar nga e ardhmja e tyre nga një sistem gllabërues. Ky sistem i mbrapshtë i ka mbyllur të gjitha valvulat e shkarkimit shoqëror.
Prandaj, shpërthimi është i pashmangshëm. Rinia po u tregon sot të dyja palëve se urrejtja ndaj këtij modeli gllabërues qeverisës është reale. Por, ajo nuk mund të kanalizohet më te rotacionet e vjetra partiake. Kjo është shkëputje përfundimtare e rinisë nga sistemi i kalbur politik. Sfida është nëse kjo revoltë do të prodhojë një alternativë të re apo do të përthithet sërish nga sistemi që kundërshton.
Në kulmin e krizës, Kryeministri pyet “Kush po e djeg Shqipërinë?” dhe nxiton të gjejë fajtorin te “duart e huaja”. Kjo shpërfaq tragjikisht një të vërtetë të frikshme: kemi një zot shtëpie të shurdhër dhe të verbër, tërësisht të shkëputur nga realiteti. Kërkimi i armiqve të jashtëm, ndërkohë që zjarri është ndezur nga vetë arroganca e pushtetit tënd, tregon mbylljen brenda në një flluskë që po çahet. Izolimi nga realiteti bën që pushteti të reagojë ndaj krizës duke mbrojtur vetveten, në vend që të korrigjojë shkaqet e saj.
Epoka e propagandës me kordele dhe e “spektaklit të zhvillimit” ka përfunduar. Ajo është grisur përfundimisht nga autopsia e SPAK-ut dhe revolta e rinisë në rrugë. Të krenohesh sot me drejtësinë, ndërkohë që ajo po tregon se si institucionet u kthyen në shërbim të sekserëve, është njëlloj si një arkitekt të krenohet me ambulancën që po nxjerr të mbijetuarit nga pallati i shembur, që ai vetë e ndërtoi keq.
Rreziku i vërtetë për Shqipërinë sot nuk është
thjesht rënia e një qeverie, por “Sindroma e Neronit”. Ajo është logjika e rrezikshme politike ku një pushtet, në rënie e sipër, preferon të shkatërrojë institucionet sesa t’i dorëzojë ato.
Kjo është ajo çfarë ndodh me institucionet kur pushteti e ngatërron mbijetesën e vet me interesin e shtetit. Kemi kaluar nga spektakli si mjet anestezik, te spektakli i hakmarrjes. Tentativat me arnime ligjore apo “barrikada letre” për të mbrojtur mëkatet politike, nuk e shpëtojnë dot rënien e Republikës.
Trashëgimia e një udhëheqësi nuk matet nga jetëgjatësia në karrige, por nga institucionet që lë pas. Nëse nuk bëhet një hap pas për t’u dhënë frymëmarrje institucioneve të pavarura, historia do të shkruajë për atë që dogji Shqipërinë, vetëm për të mbrojtur pushtetin e tij. Tranzicioni i vërtetë demokratik do të matet pikërisht tani: te mbijetesa e së mirës publike përballë inatit të pushtetit në ikje. Por përtej inatit, forca e kësaj rinie sot mbart shpresën se Shqipëria mund të jetë më në fund në pragun e një “Nëntori të Tretë”, të çlirimit të saj përfundimtar nga thonjtë e pistë që kanë kapur shtetin. Panorama




