Huseini uroi Jahijin për kalimin në raundin e dytë në Bërvenicë: bashkërisht deri te fitorja

    Kandidati i VLEN-it për kryetar të Komunës së Bërvenicës, Jakup Huseini, ka vizituar mbrëmjen e së dielës selinë zgjedhore të kundërkandidatit të tij nga Aleanca Kombëtare për Integrim (AKI), Arkin Jahiji, për ta uruar për kalimin në raundin e dytë të zgjedhjeve të parakohshme lokale, shkruan Nistori.

    Në fotografitë dhe videot e publikuara, dy kandidatët shihen duke u përqafuar në prani të mbështetësve të tyre, pas përfundimit të procesit zgjedhor të 18 tetorit.

    Huseini, i cili nuk arriti të sigurojë votat e nevojshme për të kaluar në raundin e dytë, e cilësoi garën zgjedhore si një konkurrencë sportive, duke pranuar rezultatin dhe duke i uruar suksese kundërkandidatit të tij.

    “Unë këtë garë e kam parë në aspektin sportiv dhe këtë radhë, Arkini na mundi. Unë i uroj suksese edhe në pjesën e dytë të lojës, bashkërisht deri te fitorja”, deklaroi Jakup Huseini nga VLEN.

    Nga ana tjetër, kandidati i AKI-së, Arkin Jahiji, vlerësoi angazhimin e të dyja palëve gjatë procesit zgjedhor, duke theksuar rëndësinë e respektit të ndërsjellë.

    “Për durimin, guximin, përpjekjen nga të dy kampet dhe besoj se kjo është e vetmja mënyrë që mund të ecim përpara”, deklaroi Jahiji.

    VLEN përgëzon Jahijin, por ende nuk ka vendosur kë do të mbështesë në raundin e dytë

    Pas publikimit të rezultateve zgjedhore, zëdhënësi i VLEN-it dhe zëvendësministri i Arsimit, Driton Sulejmani, përgëzoi mbarëvajtjen e procesit zgjedhor në Bërvenicë dhe uroi kandidatin e AKI-së, Arkin Jahiji, për kalimin në raundin e dytë.

    Sulejmani konfirmoi se kandidati i VLEN-it nuk kishte arritur të siguronte numrin e nevojshëm të votave për të vazhduar garën. Sipas tij, Huseini kishte paraqitur një program me zgjidhje konkrete për problemet e banorëve të Bërvenicës, por rezultati i votimit kishte qenë ndryshe.

    “Pa dyshim që edhe përskaj të këtij rezultati zgjedhor VLEN do të vazhdojë t’i mbështesë vendbanimet me shumicë shqiptare dhe nga kjo nuk përjashtohet as komuna e Bërvenicës”, deklaroi Sulejmani.

    Sa i përket qëndrimit të VLEN-it për raundin e dytë, Sulejmani bëri të ditur se kryesia e partisë do të mblidhet gjatë ditëve në vijim për të vendosur se cilin kandidat do të mbështesë.

    Pavarësisht urimit të Huseinit për Jahijin dhe deklaratës së tij për mbështetje deri në fitore, VLEN ende nuk ka zyrtarizuar një qëndrim për mbështetjen e ndonjërit prej dy kandidatëve që do të garojnë në raundin e dytë.

    Radiçeski dhe Jahiji në rrethin e dytë

    Sipas rezultateve të publikuara nga Komisioni Shtetëror i Zgjedhjeve (KSHZ), pas përpunimit të 100 për qind të vendvotimeve, kandidati i koalicionit “Maqedonia Juaj”, të udhëhequr nga VMRO-DPMNE, Stojançe Radiçeski, ka marrë numrin më të madh të votave në raundin e parë të zgjedhjeve të parakohshme lokale në Bërvenicë.

    Radiçeski ka siguruar 2.943 vota, ndërsa kandidati i AKI-së, Arkin Jahiji, është renditur i dyti me 2.152 vota.

    Në vendin e tretë është renditur kandidati i VLEN-it, Jakup Huseini, me 1.528 vota, i ndjekur nga Jovica Radeski i koalicionit të udhëhequr nga LSDM-ja, me 706 vota.

    Dy kandidatët e pavarur, Dushan Bogdanovski dhe Arife Idrizi, kanë marrë përkatësisht 55 dhe 21 vota.

    Me këto rezultate, në raundin e dytë për kryetar të Komunës së Bërvenicës do të garojnë Stojançe Radiçeski dhe Arkin Jahiji.

    Zgjedhjet e parakohshme lokale në Bërvenicë u mbajtën më 18 tetor 2026, pas vdekjes së kryetarit të deritanishëm të komunës, Jovica Ilievski, i cili ndërroi jetë më 23 qershor të këtij viti, në moshën 58-vjeçare. /Nistori/

    Lajmi Paraprak

    Të rinjtë ndezin Tiranën prej shtatë ditësh, revolta studentore nuk ndalet!

    Lajmi i rradhës

    Studentët nuk lëshojnë pe: provimi i Jurisprudencës 100% në shqip, ndryshe vazhdojmë protestat

    Lajme tjera

    Bashkohu

    Informohu në kohë