Klubi i notit Shkëndija Swim ka shënuar një paraqitje të suksesshme në garën ndërkombëtare të notit NEMO KUP, e cila u mbajt më 18 tetor 2026 në Shkup. Në mesin e pjesëmarrësve nga Maqedonia e Veriut, Kosova, Shqipëria, Mali i Zi dhe Serbia, notarët e klubit regjistruan rezultate pozitive dhe përmirësime të kohëve personale, duke dëshmuar përparimin e tyre në këtë disiplinë sportive, shkruan Nistori.
Një nga rezultatet më të spikatura u arrit nga Jara Beadini, e lindur në vitin 2014, e cila garoi në disiplinën 50 metra, stil i lirë. Beadini përfundoi e para në serinë e saj, ndërsa në renditjen e përgjithshme të grupmoshës u pozicionua në vendin e tetë nga gjithsej 78 garues. Ky rezultat përbën një arritje të rëndësishme për notaren e re, përballë konkurrencës ndërkombëtare.
Paraqitje pozitive pati edhe Lisa Beadini, e cila regjistroi një rezultat të mirë, ndërsa Andrra Ibrahimi arriti të përmirësojë kohën e saj personale. Me rezultatet e saj u dallua edhe Dora Hasani, kurse Rona Shabani dhe Leandra Ameti shënuan paraqitje inkurajuese, duke konfirmuar përparimin e vazhdueshëm në stërvitje dhe gara.
Në këtë aktivitet ndërkombëtar, Shkëndija Swim u përfaqësua nga 13 notarë: Jara Beadini, Lisa Beadini, Rona Shabani, Leandra Ameti, Sara Selimi, Dua Ramadani, Diar Rexhepi, Gjon Fejzullahi, Lira Nuhiu, Andrra Ibrahimi, Dora Hasani, Ela Sabriu dhe Roana Murseli.
Klubi i notit Shkëndija Swim funksionon që nga viti 2023, duke u angazhuar në zhvillimin dhe promovimin e notit, si në nivel garues, ashtu edhe në atë rekreativ. Aktivitetet stërvitore zhvillohen dy herë në javë dhe janë të dedikuara për fëmijë, të rinj dhe vajza e gra të rritura që dëshirojnë ta praktikojnë notin si aktivitet sportiv ose rekreativ.
Për përgatitjen dhe zhvillimin e notarëve kujdesen trajnerët Plarent Salihi, Imran Abazi, Xhenisa Salihi dhe Dona Jovcevska, të cilët punojnë në përmirësimin e teknikave të notit, përgatitjen fizike dhe zhvillimin e aftësive konkurruese të sportistëve.
Pjesëmarrja në NEMO KUP përbën një tjetër përvojë të rëndësishme për notarët e Shkëndija Swim, duke u dhënë mundësinë të matin aftësitë e tyre në konkurrencë ndërkombëtare dhe të fitojnë përvojë për garat e ardhshme.
Rezultatet e arritura dëshmojnë përparimin e një klubi relativisht të ri, i cili, përmes punës së vazhdueshme me notarët e moshave të ndryshme, synon të kontribuojë në zhvillimin e sportit të notit. /Nistori/


