Merz: ngecja e dialogut Kosovë-Serbi, pengesë për përparimin e gjithë rajonit

    Kancelari gjerman, Friedrich Merz, u ka bërë thirrje Kosovës dhe Serbisë që të angazhohen dhe të arrijnë përparim në normalizimin e marrëdhënieve mes vete, duke thënë se ngecja e dialogut mes tyre është bërë pengesë për ecjen përpara të të gjithë rajonit të Ballkanit Perëndimor.

    “Ai [dialogu] tani për tani po i pengon të gjithë, prandaj bëjmë thirrje urgjente për përgjegjësi dhe përparim”, tha të enjten kancelari gjerman gjatë fjalimit hyrës me rastin e nisjes së punimeve të samitit të Procesit të Berlinit, që po mbahet në Mal të Zi.

    Kosova dhe Serbia nuk kanë zhvilluar dialog të nivelit të lartë që nga shtatori i vitit 2023, pak ditë para sulmit të armatosur në Banjskë.

    Merz, shteti i të cilit është “kumbari” i Procesit të Berlinit, në fjalimin e tij preku edhe protestat që po zhvillohen në rajon dhe në disa vende të BE-së. Ai vlerësoi se këto ngjarje dërgojnë një mesazh të qartë se procesi i zgjerimit duhet të vazhdojë dhe se qytetarët duhet të përfitojnë prej tij.

    Të rinj në disa vende të Evropës, nga Portugalia deri në Shqipëri, po protestojnë në javët e fundit për kushtet në shkolla, çmimet e banimit dhe kostot e jetesës. Protestat shpesh janë përshkallëzuar në trazira.

    Merz theksoi se dhuna nuk duhet të jetë kurrë opsion, për asnjërën palë, por pranoi se kjo është veçanërisht e vështirë për t’u arritur “nëse e kaluara na pengon plotësisht”.

    “Retorika përçarëse dhe polarizimi në rritje nuk do të çojnë në një Evropë më të sigurt, më të lirë dhe më të begatë. Historia nuk do t’i shikojë me sy të mirë ata që përçajnë në këto kohë të ndërlikuara”, nënvizoi kancelari gjerman.

    Ai gjithashtu kujtoi se në vitin 2018, në samitin e Londrës, liderët e vendeve të Procesit të Berlinit kishin refuzuar së bashku gjuhën e urrejtjes dhe glorifikimin e kriminelëve të luftës.

    “Nëse duam të krijojmë një të ardhme më të mirë për fëmijët tanë, nuk duhet t’i hedhim benzinë zjarrit, por duhet të ecim përpara mbi bazën e vlerave evropiane”, tha kancelari gjerman.

    Nikoqir i liderëve të vendeve të Procesit të Berlinit është Milloçeri pranë Budvës, në bregdetin malazez.

    Samiti vjetor, që mbahet më 22 tetor, shënon edhe përmbylljen e kryesimit njëvjeçar të Malit të Zi me këtë proces.

    Kurti kërkon që BE-ja të trajtojë aplikimin e Kosovës për anëtarësim

    Ndërkaq, në fjalën e tij, kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, ngriti çështjen e aplikimit të Kosovës për anëtarësim në BE, që ende nuk është trajtuar nga blloku.

    “Kërkojmë nga ju ta merrni vendimin: të kërkoni opinionin e Komisionit, t’i jepni Kosovës statusin e vendit kandidat dhe të hapni negociatat për anëtarësim”, tha Kurti.

    Kurti përmendi faktin që Kosova aplikon sanksionet e BE-së kundër Rusisë, për shkak të luftës kundër Ukrainës. Ai akuzoi Serbinë se përdorë metoda të njëjta si Rusia ndaj Kosovës, duke iu referuar sulmit të armatosur në Banjskë të Zveçanit më 2023, dhe ndaj sulmit në kanalin e Ibër-Lepencit.

    Spajiq: Zgjerimi është ribashkimi i kontinentit

    Nikoqiri i takimit të liderëve, kryeministri malazez Millojko Spajiq, theksoi se shteti i tij i qasej detyrës së kryesuesit me përgjegjësi, duke i vënë interesat e përbashkëta të rajonit mbi prioritetet e ngushta kombëtare.

    Ai nënvizoi se Mali i Zi beson se suksesi i shteteve fqinje hap mundësi shtesë edhe për zhvillimin e tij, prandaj bashkëpunimi rajonal duhet t’u sjellë përfitime konkrete qytetarëve dhe ekonomisë.

    Kryeministri malazez i bëri thirrje Bashkimit Evropian të tregojë qartësi dhe vendosmëri kur bëhet fjalë për politikën e zgjerimit, duke e vlerësuar atë si një proces historik që shkon përtej lidhjes së thjeshtë institucionale të shteteve.

    “Zgjerimi është ribashkimi i kontinentit tonë. Është shtrirja e premtimit për liri, siguri dhe mundësi tek evropianët, vendi i të cilëve në shtëpinë tonë të përbashkët ende nuk është realizuar. Në kohë ndryshimesh, Evropa ka vetëbesimin të marrë vendime historike. Forca e saj qëndron te cilësia e jetës që e kanë mundësuar demokracia, sundimi i ligjit dhe solidariteti”, tha Spajiq.

    Samiti i liderëve është ngjarja e fundit që Mali i Zi organizon si kryesues i Procesit të Berlinit.

    “Le të largohemi nga Plazhi i Mbretëreshës me angazhime që do të zgjasin, me bashkëpunim që do të thellohet dhe me bindjen se kapitullin e ardhshëm të Evropës mund ta shkruajmë së bashku”, tha Spajiq.

    Çfarë është në fokus të samitit të sivjetshëm?

    Në samitin në Milloçer, në fokus janë rritja ekonomike, konkurrueshmëria dhe siguria, njofton Qeveria gjermane. Mali i Zi shtoi si prioritet të katërt të kryesimit të tij tranzicionin e gjelbër dhe të qëndrueshëm. Synimi është lidhja më e fortë ekonomike e rajonit përmes Tregut të Përbashkët Rajonal dhe afrimi i tij me tregun e vetëm të BE-së, si dhe përshpejtimi i integrimit evropian të Ballkanit Perëndimor.

    Në bregdetin malazez u mblodhën të gjithë liderët e vendeve të rajonit, si dhe përfaqësues të shteteve të tjera evropiane që marrin pjesë në proces: Gjermanisë, Austrisë, Bullgarisë, Kroacisë, Francës, Greqisë, Italisë, Polonisë, Sllovenisë dhe Mbretërisë së Bashkuar.

    Në takim marrin pjesë edhe përfaqësues të institucioneve të BE-së, të institucioneve financiare ndërkombëtare dhe të organizatave rajonale.

    Kosovën në samit e përfaqëson kryeministri Albin Kurti. Kurti e takoi komisionaren evropiane për Zgjerim, Marta Kos, në margjina të samitit.

    Kurti tha se në takim i tha Kosit se “është e rëndësishme dhe e nevojshme, mbështetja proaktive e Komisionit për statusin e vendit kandidat dhe hapjen e negociatave për anëtarësim”.

    Kosova aplikoi për anëtarësim në BE më 2022, por ajo vazhdon të jetë i vetmi vend në rajon që nuk e gëzon statusin e vendit kandidat.

    Ndërkohë, ky është takimi i parë në të cilin kryeministri malazez Millojko Spajiq, si nikoqir, dhe homologu i tij kroat Andrej Plenkoviq, si pjesëmarrës, u takuan dhe shtrënguan duart që kur u bë e qartë se Kroacia nuk do ta lejojë anëtarësimin e Malit të Zi në BE para zgjidhjes së mosmarrëveshjeve dypalëshe.

    Çfarë është Procesi i Berlinit?

    Bëhet fjalë për një nismë ndërqeveritare që bashkon gjashtë vendet e Ballkanit Perëndimor, një grup shtetesh anëtare të BE-së, Mbretërinë e Bashkuar dhe Komisionin Evropian.

    Atë e nisi në vitin 2014 kancelarja e atëhershme gjermane Angela Merkel, ndërsa samiti i parë u mbajt në Berlin më 28 gusht të atij viti.

    Qëllimi i Procesit të Berlinit është forcimi i bashkëpunimit rajonal, i integrimit ekonomik dhe i marrëdhënieve të fqinjësisë së mirë, si dhe përshpejtimi i integrimit evropian të vendeve të Ballkanit Perëndimor. Në fokus është krijimi i një tregu të përbashkët rajonal me rreth 18 milionë banorë.

    Ndër rezultatet e kësaj nisme janë heqja e roamingut në rajon, Traktati për themelimin e Komunitetit të Transportit, marrëveshjet për udhëtimin me letërnjoftim, si dhe marrëveshjet për njohjen e diplomave universitare dhe të kualifikimeve profesionale të mjekëve, stomatologëve dhe arkitektëve.

    Megjithatë, jo të gjitha marrëveshjet janë zbatuar siç duhet, kryesisht për shkak të marrëdhënieve mes Serbisë dhe Kosovës, të cilat shpesh janë pengesë për marrëveshjet rajonale.

    Kush do ta kryesojë pas Malit të Zi?

    Samiti në Milloçer është përmbyllja e kryesimit malazez. Gjatë kryesimit njëvjeçar të Procesit të Berlinit, Mali i Zi organizoi 25 ngjarje, përfshirë 12 takime ministrore. Kancelari gjerman Merz vlerësoi se ky është numri më i madh i takimeve ministrore në historinë e Procesit të Berlinit.

    Procesi nuk ka mekanizëm qendror koordinues. Kryesuesi i ardhshëm, si rregull, shpallet në fund të samitit të liderëve, ndërsa konfirmimi përfshihet në deklaratën përmbyllëse. Nuk ka rotacion formal as votim. Njëri nga vendet pjesëmarrëse, nga rajoni, nga BE-ja ose Mbretëria e Bashkuar, shpreh gatishmërinë për ta marrë kryesimin, ndërsa marrëveshja arrihet me Gjermaninë si nismëtare e procesit dhe me pjesëmarrësit e tjerë. REL

    Lajmi Paraprak

    Zgjedhjet që mund ta tronditin pushtetin e Vuçiqit në Serbi

    Lajme tjera

    Bashkohu

    Informohu në kohë