Tetë parti shqiptare nga Presheva, Bujanoci dhe Medvegja garojnë me listën e përbashkët “Koalicioni Shqiptar” në zgjedhjet e parakohshme parlamentare që mbahen këtë të diel, më 25 tetor, në Serbi, me synimin për ta rritur përfaqësimin e tyre në Kuvend.
Pas vitesh përçarjesh dhe rivalitetesh, partitë u bashkuan me ndërmjetësimin e kryeministrit të Kosovës, Albin Kurti. Ato synojnë të fitojnë tri mandate në Kuvendin e Serbisë, ku komuniteti shqiptar kishte vetëm një deputet në përbërjen e kaluar.
Në prag të zgjedhjeve, Kurti dhe presidentja e Kosovës, Justina Shiroka Pula, u bënë thirrje shqiptarëve të këtyre komunave që jetojnë në Kosovë dhe kanë të drejtë vote të shkojnë në vendlindje për të votuar.
Në mesazhin e publikuar më 24 tetor, Kurti kërkoi shprehimisht mbështetje për “Koalicionin Shqiptar”, i cili mban numrin 17 në fletëvotim.
“Diskriminimi, përjashtimi dhe shtypja kërkojnë një përgjigje të vendosur demokratike. Me solidaritet. Me këmbëngulje. Me pjesëmarrje”, tha ai.
Kurti shtoi se shqiptarët e Preshevës, Bujanocit dhe Medvegjës kanë të drejtë ta ndërtojnë jetën në vendlindje, me mundësi të barabarta.
Shiroka Pula, në thirrjen e saj të 24 tetorit, theksoi rëndësinë e pjesëmarrjes për forcimin e përfaqësimit politik të shqiptarëve.
“Bashkimi është çelësi i përfaqësimit më të fuqishëm politik. Prandaj, bashkë në listë dhe bashkë në votim. Për më shumë deputetë shqiptarë në Parlamentin e Serbisë”, tha ajo.
Sipas regjistrimit të popullsisë të vitit 2022, në Serbi jetojnë më shumë se 60.000 shqiptarë.
Nga përçarjet te lista e përbashkët
Në një deklaratë për Radion Evropa e Lirë, të publikuar më 1 tetor, Visar Memeti, udhëheqës i Alternativës për Ndryshim, tha se marrëveshja për bashkimin e partive u arrit në takimin e dytë, falë ndërmjetësimit të Kurtit.
“Në vitin 2020 kishim tre deputetë, më pas u përçamë dhe rezultati ishte një deputet. Synimi ynë tani është të fitojmë sërish tre deputetë; kështu forca jonë në Kuvendin e Serbisë do të jetë shumë më e madhe”, tha Memeti.
Shaip Kamberi, udhëheqës i Partisë për Veprim Demokratik dhe përfaqësuesi i vetëm i komunitetit shqiptar në përbërjen e kaluar të Kuvendit, tha për REL-in se partitë kishin qëndrime të kundërta për pjesëmarrjen në zgjedhje, kërkesat dhe veprimet e përbashkëta.
Sipas tij, këto dallime u tejkaluan përmes ndërmjetësimit dhe këshillave të kryeministrit të Kosovës.
“Partitë që në vitet 2022/2023 morën pjesë në zgjedhje në mënyrë të pavarur, jashtë listës sonë që ishte shumicë, e panë se është e vështirë të fitohet mandat pa u bashkuar. Tani, me sa duket, e kanë kuptuar këtë dhe kemi arritur te ky rezultat”, tha Kamberi.
Kamberi dhe Memeti thanë se ishin dakorduar për veprim të përbashkët edhe pas zgjedhjeve. Memeti deklaroi se vendimi për ta mbështetur qeverinë e ardhshme apo për të qëndruar në opozitë do të merrej pas votimit.
Një përpjekje për bashkimin e partive shqiptare ishte ndërmarrë edhe më 2020, me nismën e Tiranës zyrtare, por atëherë njëra prej partive nuk iu bashkua listës.
Kush është në koalicion dhe çfarë synon?
Në “Koalicionin Shqiptar” bëjnë pjesë Partia për Veprim Demokratik, Alternativa për Ndryshim, Partia Demokratike, Partia Demokratike Shqiptare, Lëvizja për Progres Demokratik, Lëvizja për Reforma, Alternativa për Luginën dhe Unioni Demokratik i Shqiptarëve.
Partitë synojnë zbatimin e një plani prej shtatë pikash, të dakorduar më herët me Qeverinë e Serbisë. Ai përfshin përfaqësimin e shqiptarëve në institucionet shtetërore, rimëkëmbjen ekonomike të komunave të Luginës së Preshevës dhe përdorimin zyrtar të gjuhës, shkrimit dhe simboleve kombëtare shqiptare.
Përfaqësuesit shqiptarë prej vitesh ankohen për diskriminim, përfshirë në punësim, arsim dhe përfaqësim institucional. Beogradi zyrtar i mohon akuzat për diskriminim.
Burhan Behluli, kryeredaktor i TV Spektri në Bujanoc, tha për REL-in se qytetarët prej vitesh u kanë kërkuar partive shqiptare të bashkohen për përfaqësimin e interesave të tyre në nivel qendror.
“Besoj se disponimi në terren dhe mosbesimi gjithnjë e më i madh i qytetarëve ndaj politikanëve aktualë kanë ndikuar që ata ta shohin më realisht pozitën e tyre dhe të pranojnë marrëveshjen”, vlerësoi ai në deklaratën e publikuar më 1 tetor.
Roli i Prishtinës dhe pritjet pas zgjedhjeve
Marrëveshja mes partive shqiptare i jep rol Prishtinës edhe përtej bashkimit në një listë zgjedhore.
Sipas Shaip Kamberit, neni 5 i saj parashikon përfshirjen e kryeministrit të Kosovës në konsultimet për çështjet kyçe strategjike.
Kurti, më 30 shtator, e cilësoi paraqitjen e përbashkët si një hap potencialisht të rëndësishëm dhe historik në luftën kundër asaj që ai e quajti “diskriminim dhe përjashtim”, si dhe “spastrim administrativ etnik” në Serbi.
Ai përsëriti edhe kërkesën që shqiptarët në Serbi të kenë të drejta të njëjta me serbët në Kosovë, përfshirë ulëse të rezervuara në Kuvend.
Por, Belgzim Kamberi, nga Instituti për Politika Sociale “Musine Kokalari” në Prishtinë, tha për REL-in se një përfaqësim më i madh parlamentar nuk mjafton në vetvete.
“Vlera e vërtetë e këtij përfaqësimi do të matet, para së gjithash, me ndikimin në zhvillimin ekonomik dhe mirëqenien e qytetarëve të Preshevës, Bujanocit dhe Medvegjës, përfaqësimin në institucione, avancimin e të drejtave individuale dhe kolektive dhe rikthimin e problemeve të kësaj zone në agjendën politike”, tha ai.
Sipas tij, përparësi për deputetët shqiptarë duhet të jenë rezultatet konkrete në punësim, arsim, përdorimin e gjuhës shqipe, zbatimin e marrëveshjeve ekzistuese dhe trajtimin e çështjes së pasivizimit të adresave.




