Gjyqësori në RMV është digjital, por sillni një dokument me vulë

    Kur në maj të këtij viti, avokatja nga Shkupi, Pavlina Zefiq, paraqiti një padi në Gjykatën Themelore Civile të Shkupit, përmes së cilës kërkonte dëmshpërblim prej më shumë se një milion denarësh, gjëja e fundit që priste ishte që, në vend të caktimit të një seance gjyqësore, të merrte një vendim për mosprocedimin e padisë, shkruan Prizma, përcjell Nistori.

    Arsyeja nuk kishte të bënte me përmbajtjen e padisë, por me mënyrën e pagesës së taksës gjyqësore. Sipas Zefiqit, taksa ishte paguar në mënyrë elektronike, përmes një urdhërpagese bankare.

    Megjithatë, gjyqtari Erol Abdulai vlerësoi se urdhërpagesa elektronike e bashkëngjitur nga avokatja nuk përbënte dëshmi të mjaftueshme për kryerjen e pagesës. Për këtë arsye, ai kërkoi një dokument bankar të pajisur me vulë dhe nënshkrim.

    Zefić deklaroi për BIRN-in se zyra e tyre e avokatisë prej kohësh i paguan taksat gjyqësore në mënyrë elektronike, duke shënuar numrin e lëndës dhe të dhënat e palëve. Në urdhërpagesën e dorëzuar ishte shënuar statusi „e realizuar përfundimisht”, që nënkupton se transaksioni ishte kryer.

    “Përvoja e deritanishme, jo vetëm në Shkup, por edhe në gjykatat e tjera të vendit, ka qenë pozitive. Urdhërpagesa të tilla, të cilat rezultojnë të realizuara përfundimisht, janë pranuar nga gjyqtarët që kanë proceduar me lëndët.”

    Një përvojë të ngjashme ka pasur edhe kolegu i saj, avokati Bojan Vanevski, i cili është përballur me të njëjtin problem nga i njëjti gjyqtar.

    “Në të gjitha rastet, taksën gjyqësore e paguaj elektronikisht, përmes shërbimit bankar në internet. Problemi i vetëm paraqitet në Gjykatën Themelore Civile të Shkupit, konkretisht me gjyqtarin Erol Abdulai, i cili ka praktikën e hedhjes poshtë të padive me arsyetimin se taksa nuk është paguar, për shkaqe të ndryshme, si mungesa e vulës bankare apo mosshënimi i emrit të personit në emër të të cilit është kryer pagesa.”

    Vanevski pohon se deri më tani të gjitha lëndët e tij që i janë caktuar këtij gjyqtari janë hedhur poshtë.

    “Për një lëndë, afati i parashkrimit të së cilës ishte ende larg, e pagova përsëri taksën dhe e dorëzova sërish padinë, këtë herë me vulë bankare, me shpresën se lënda nuk do t’i caktohej rastësisht të njëjtit gjyqtar, në mënyrë që ai të mos e plotësonte kuotën e tij me lëndë të përfunduara.”

    Ai shton se mund të verifikohet lehtësisht se sa taksa gjyqësore janë paguar dy herë si pasojë e kësaj praktike.

    Vula bankare si masë paraprake

    Gjyqtari Abdulai deklaroi për BIRN-in se kishte dyshime nëse pagesa e taksës gjyqësore ishte kryer realisht.

    “Më parë janë dorëzuar urdhërpagesa që më pas janë anuluar, pa u realizuar transferimi i mjeteve. Gjykatat veprojnë kështu për arsye sigurie.”

    Sipas tij, gjyqtarët kanë detyrimin të verifikojnë nëse pagesat janë kryer, në mënyrë që të shmanget inicimi i një numri të madh padish vetëm mbi bazën e urdhërpagesave, pa u transferuar realisht mjetet financiare.

    Nga ana tjetër, Zefiq paralajmëron se, nëse kjo praktikë përqafohet edhe nga gjyqtarë të tjerë, ajo do të çojë në “sabotimin e procesit të digjitalizimit të gjyqësorit, ndëshkimin e avokatëve dhe qytetarëve që respektojnë ligjet e reja dhe përdorin shërbimet digjitale, duke e bërë të pakuptimtë të gjithë përpjekjen për modernizimin e sistemit gjyqësor”.

    Ajo dyshon se kjo mënyrë e mbylljes “administrative” të lëndëve synon të “rrisë artificialisht efikasitetin, përmes nxjerrjes së vendimeve administrative në dëm të palëve që kërkojnë drejtësi”.

    Sipas avokates, qytetarët po bëhen viktima të një “formalizmi burokratik që minon besimin tashmë të ulët në sistemin e drejtësisë”.

    Për këtë arsye, ajo e ka denoncuar gjyqtarin si në Këshillin Gjyqësor, ashtu edhe në Ministrinë e Drejtësisë, institucion ky që mbikëqyr zbatimin e Ligjit për Taksat Gjyqësore.

    Zefiq thekson se i njëjti gjyqtar ka pranuar urdhërpagesa elektronike në raste të tjera, por jo në rastin e saj.

    Ndërkohë, Ligji për Procedurën Kontestimore përcakton se gjykata nuk do të procedojë me padinë nëse taksa gjyqësore nuk është paguar.

    Por çfarë ndodh kur taksa është paguar tashmë në mënyrë elektronike?

    Ministria e Drejtësisë nuk e zgjidh dilemën

    Ministria e Drejtësisë, e cila është përgjegjëse për mbikëqyrjen e zbatimit të Ligjit për Taksat Gjyqësore, në përgjigjen e saj përsëriti atë që parashikohet në vetë ligjin: taksa mund të paguhet si përmes shërbimeve bankare elektronike, ashtu edhe përmes transfertave bankare, të dëshmuara me vulë dhe nënshkrim të bankës.

    Ligji për Taksat Gjyqësore përcakton se pagesat mund të kryhen në një llogari bankare, përmes operatorëve të telefonisë celulare ose nëpërmjet internetit.

    Kur taksa paguhet elektronikisht, gjykatës duhet t’i paraqitet një “dëshmi bankare për taksën e paguar për dokumentin përkatës”.

    Megjithatë, mbetet e paqartë se çfarë konsiderohet saktësisht dëshmi bankare.

    A mjafton një urdhërpagesë elektronike që konfirmon realizimin e transaksionit, apo kërkohet domosdoshmërisht një dokument i vërtetuar me vulë bankare?

    Kjo ngre edhe një pyetje tjetër: cili është kuptimi i pagesës elektronike nëse qytetari, pas përfundimit të transaksionit, duhet të paraqitet fizikisht në bankë për të marrë një vulë?

    Gjykatat e Manastirit dhe të Velesit konfirmuan se i pranojnë dëshmitë elektronike të pagesës së taksave gjyqësore, me kusht që transaksionet të kenë statusin “të realizuara përfundimisht”.

    Gjykata e Tetovës gjithashtu i pranon pagesat elektronike, por, njësoj si gjyqtari Abdulai, kërkon që dokumenti të jetë i pajisur me “vulën e bankës në të cilën është kryer pagesa”.

    Kryetari i Gjykatës Themelore Civile të Shkupit, Besnik Avdija, deklaroi për BIRN-in se nuk ishte në dijeni të ekzistencës së praktikave të ndryshme brenda gjykatës që drejton, sa i përket pranimit të dëshmive për pagesën e taksave gjyqësore.

    Ai paralajmëroi mbajtjen e një kolegjiumi me gjyqtarët për të diskutuar zbatimin e Ligjit për Taksat Gjyqësore.

    Ndërkohë që kjo çështje ende nuk është diskutuar në kolegjium, në shumë vende evropiane një dilemë e tillë është tejkaluar prej kohësh.

    Në Estoni, për shembull, e cila ka një nga sistemet gjyqësore më të digjitalizuara në Evropë, taksat gjyqësore paguhen elektronikisht, pa qenë e nevojshme që pala të paraqesë fizikisht një dokument të vërtetuar nga banka.

    Në Maqedoninë e Veriut, megjithatë, ndonëse taksa gjyqësore mund të paguhet në mënyrë elektronike, pranimi i dëshmisë së pagesës duket se varet nga mënyra se si secili gjyqtar e interpreton termin “dëshmi bankare”.

    Ligji i ri për Procedurën Kontestimore, zbatimi i të cilit pritet të fillojë vitin e ardhshëm, parashikon digjitalizim më të gjerë të procedurave civile.

    Megjithatë, vetëm miratimi i rregullave të reja nuk do t’i zgjidhë problemet ekzistuese, për sa kohë që dëshmitë e paraqitura elektronikisht interpretohen në mënyra të ndryshme nga gjyqtarët.

    Rasti i padisë së Zefiqit ngre një dilemë thelbësore: a do të thotë digjitalizimi qasje më e lehtë në drejtësi, apo thjesht një version elektronik i burokracisë së vjetër, ku fillimisht paguan në internet dhe më pas detyrohesh të shkosh në bankë për të dëshmuar se pagesa është kryer?

    Lajmi Paraprak

    Shqiptarët sot garojnë me një listë të përbashkët në zgjedhjet në Serbi

    Lajme tjera

    Bashkohu

    Informohu në kohë