
“Askush nuk është aq i fortë sa të mos ketë nevojë për dikë. Fjala, kujdesi dhe dashuria mund të shpëtojnë jetë. Njeriu shpëtohet nga njeriu – jo nga vetmia.” Ky ishte mesazhi që përcolli shfaqja teatrore e vënë mbrëmë në skenë, në sallën e Fakultetit të Arteve në Tetovë, përpara publikut artdashës, shkruan Nistori.
Shfaqja u realizua me mbështetjen financiare të Ministrisë së Kulturës dhe Turizmit të Republikës së Maqedonisë së Veriut, me skenar dhe regji të Arsim Fazlijës. Në të interpretuan aktorët Blerim Ismani dhe Arsim Fazlija, ndërsa produksioni u realizua nga Sejvi Production.
Me një kohëzgjatje prej një ore e 15 minutash, shfaqja u prit mirë nga publiku tetovar, duke përcjellë një mesazh të fuqishëm për rëndësinë e mbështetjes njerëzore, kujdesit dhe dashurisë në përballimin e vështirësive të jetës.
Me këtë rast, regjisori Arsim Fazlija u shpreh se synimi i ekipit ishte të përmbushte pritshmëritë e publikut, i cili ndër vite ka mbështetur dhe vazhdon të mbështesë projektet e tyre artistike.
“Jemi munduar të mos e zhgënjejmë publikun, i cili na ka përkrahur dhe vazhdon t’i përkrahë projektet tona, qofshin ato filmike apo teatrore. Kjo mbështetje është e rëndësishme për ne, si aktorë, regjisorë apo në të dyja rolet njëkohësisht, siç është rasti me këtë shfaqje”, tha Fazlija.
Përmes tematikës së saj, shfaqja rikujton se, në momentet më të vështira të jetës, njeriu ka nevojë për praninë, mirëkuptimin dhe përkrahjen e të tjerëve. Në këtë mënyrë, arti skenik shndërrohet në një mjet për të përcjellë një mesazh të rëndësishëm shoqëror mbi solidaritetin dhe lidhjet njerëzore.
Për ata që nuk patën mundësi ta ndiqnin premierën, shfaqja do të jepet sërish sonte dhe të enjten, më 28 dhe 29 tetor, 2026. /Nistori/






