Profesori nga Beogradi: humbja e Vuçiqit, shans për shërimin e shoqërisë serbe

    “Ky është një shans që të fillojmë të shërohemi si shoqëri, t’i ndëshkojmë ata që janë përgjegjës dhe të përpiqemi të jetojmë si gjithë bota normale”, deklaroi për Radion Evropa e Lirë (REL) Dushan Spasojeviq, profesor në Fakultetin e Shkencave Politike në Beograd.

    Pas fitores së Listës Studentore në zgjedhjet e parakohshme parlamentare në Serbi, Spasojeviq e cilëson rezultatin si një fitore të madhe dhe deri diku të papritur, si dhe një humbje shumë të rëndë për Partinë Përparimtare Serbe (SNS).

    “Befasi është ky rezultat bindës, si dhe fakti që askush tjetër nuk e kaloi pragun zgjedhor, çka konfirmoi se kjo ishte një betejë mes dy listave të mëdha”, tha ai.

    Ish-presidenti i Serbisë dhe kandidati i listës “Serbia e Bashkuar”, Aleksandar Vuçiq, e pranoi humbjen në zgjedhjet e parakohshme parlamentare të 25 tetorit.

    Ai tha se, bazuar në mostrën e votave të numëruara, ishte e qartë se SNS-ja i kishte humbur zgjedhjet dhe se kishte fituar Lista Studentore, e cila, sipas tij, do të siguronte mes 135 dhe 140 mandateve, ndërsa SNS-ja rreth 105.

    Vuçiq tha se listat e tjera, përveç atyre të pakicave, nuk e kishin kaluar pragun zgjedhor.

    Menaxhimi i pritjeve, ndër sfidat më të mëdha

    Politologu Dushan Spasojeviq e sheh menaxhimin e pritjeve si një ndër sfidat më të mëdha për pushtetin e ri.

    “Por, mendoj se do të ishte jashtëzakonisht e rëndësishme t’i ulim pritjet dhe të mos besojmë se që të premten e ardhshme Serbia do të jetë shtet i së drejtës dhe se të gjithë ata që e meritojnë do të jenë në burg”, tha ai.

    Sipas Spasojeviqit, humbja e Partisë Përparimtare Serbe dhe e kandidatit të saj për kryeministër, Aleksandar Vuçiq, ishte aq e thellë sa u detyruan ta pranonin.

    I pyetur nëse zgjedhjet e parakohshme parlamentare u zhvilluan në një atmosferë referendumi, Spasojeviq tha se kjo mund të thuhet pa asnjë dyshim.

    “Vuçiq u përpoq t’i jepte fund krizës duke shpallur zgjedhje të parakohshme, por nuk ia doli. Nuk mundi ta përmbyste atë prirje”, tha ai.

    Spasojeviq tha se SNS-ja kontrollonte gjithçka deri para dy vjetësh, kur ndodhi tragjedia në Novi Sad, ku nga shembja e strehës prej betoni të stacionit hekurudhor humbën jetën 16 persona.

    “Reagimi i tyre ndaj kësaj dhe dëshira që askush prej tyre të mos mbante përgjegjësi për asgjë çuan deri këtu. Sikur ndonjë ministër të kishte përfunduar në burg, sikur dikush të ishte arrestuar, nuk do t’i shihnim këto skena, e sigurisht jo në këtë mënyrë”, vlerësoi ai.

    I pyetur se çfarë pret nga pushteti i ri, Spasojeviq tha se pret që ai të sigurojë respektimin e ligjit dhe lirinë e mediave, si dhe t’ia rikthejë autonominë universitetit.

    “Besoj se edhe këto gjëra themelore do të përbënin një hap të madh përpara”, shtoi ai.

    Qendra për Zgjedhje të Lira dhe Demokraci (CeSID) dhe agjencia Ipsos njoftuan se, bazuar në 56 për qind të mostrës së përpunuar, Lista Studentore kishte fituar zgjedhjet e parakohshme parlamentare me 52 për qind të votave. Këto janë vlerësime paraprake, jo rezultate përfundimtare zyrtare. /REL/

    Lajmi Paraprak

    Mbi 700 fëmijë lypin rrugëve të Maqedonisë së Veriut

    Lajme tjera

    Bashkohu

    Informohu në kohë