Kryetari i Lidhjes Socialdemokrate të Maqedonisë (LSDM), Venko Filipçe, uroi qytetarët e Serbisë për rezultatet e zgjedhjeve gjatë konferencës së sotme për shtyp, duke i cilësuar ato si një „çlirim nga regjimi kriminal“, përcjell Nistori.
„Dikush mund të pyesë pse po festojmë dhe nëse po festojmë rezultatet e zgjedhjeve në një vend tjetër. Jo, ne po festojmë mbërritjen e valës demokratike në rajonin tonë, sepse lidhjet politike, të biznesit dhe mediatike të Aleksandar Vuçiqit dhe, deri para pak kohësh, të Viktor Orbanit, janë pikërisht ato që ushqejnë regjimin e Hristijan Mickoskit në vendin tonë“, deklaroi Filipçe.
Sipas tij, Aleksandar Vuçiq ka qenë mentori i Hristijan Mickoskit dhe personi që i ka dhënë udhëzime se si të qeverisë.
„Fatkeqësisht, ai e zbatoi shumë mirë atë sistem në vendin tonë“, tha Filipçe, duke e cilësuar VMRO-DPMNE-në si „një degë të vogël të Partisë Përparimtare Serbe (SNS)“.
Lideri i opozitës përsëriti akuzat e ngritura më herët nga LSDM-ja, të cilat lidhen me marrëdhëniet e pretenduara të qeverisë së Maqedonisë së Veriut me interesa kriminale dhe biznesore nga Serbia.
Filipçe përmendi marrëveshjet e dyshimta në sektorin e energjisë elektrike, duke iu referuar ministres Sanja Bozhinovska, lidhjeve ruse dhe serbe përmes kompanisë „Rudnap“, si dhe statusit të diskutueshëm të konsullit të nderit, Dushan Adamoviq.
Ai rikujtoi gjithashtu raste në të cilat, sipas pretendimeve të tij, kanë qenë të përfshirë zyrtarë të lartë serbë. Filipçe pretendoi se kompani nga Maqedonia e Veriut, të lidhura drejtpërdrejt me persona të afërt me Mickoskin, kanë qenë pjesë e një operacioni për transferimin e pesë tonëve drogë.
„Ne kemi ngritur gjithashtu çështjen e kontrabandës, ose ndoshta të një transferimi të dakorduar të drogës përtej kufirit. Bëhet fjalë për pesë tonë drogë. Nga korrespondenca e publikuar më herët, sipas nesh, rezulton se në këtë veprimtari kanë qenë të përfshirë zyrtarë të niveleve më të larta të qeverisë serbe, përfshirë drejtues të Agjencisë së Inteligjencës dhe Sigurisë (BIA), si dhe Gashiqin dhe Vulinin. Bëhet fjalë për njerëz që kanë zhvilluar takime këtu me Hristijan Mickoskin dhe Maksim Dimitrievskin“, deklaroi Filipçe.
Ai kritikoi gjithashtu hyrjen e „Alta Bankës“ në tregun financiar të Maqedonisë së Veriut, duke pretenduar se kësaj banke i ishte ndaluar hyrja në Mal të Zi dhe në vende të tjera evropiane.
Sipas Filipçes, „Alta Bankës“ i është mundësuar blerja e një banke dhe e një kompanie sigurimesh në Maqedoninë e Veriut.
Lideri i LSDM-së akuzoi gjithashtu disa media serbe se po zhvillojnë një fushatë përndjekjeje dhe diskreditimi kundër tij dhe opozitës, duke pretenduar se disa prej tyre kanë vepruar pa regjistrimin dhe autorizimet e nevojshme.
„Prej vitesh, ata kanë dëmtuar padrejtësisht besueshmërinë tonë, duke qenë të vetëdijshëm se një ditë do të mbajnë përgjegjësi. Dhe ajo ditë do të vijë. Hyrja e ‘Alo Media’ dhe ‘Euronews’ është pjesë e kësaj historie. Këto media punësuan gazetarë këtu, por, sipas informacioneve tona, nuk kishin licencë për të ushtruar veprimtarinë. Ata synonin t’i sillnin këto media si hapin e fundit, të vetëdijshëm se oktapodi i tyre ballkanik, autoritar dhe kriminal, po shembej“, shtoi Filipçe.
Ai theksoi se kryeministri i ri i Hungarisë kishte nisur gjithashtu një hetim lidhur me fondet kineze, prej të cilave, sipas tij, buronte kredia hungareze prej një miliard eurosh, barrën e shlyerjes së së cilës do ta mbajnë edhe brezat e ardhshëm në Maqedoninë e Veriut.
„Për çfarë? Për tenderë dhe komisione partiake, për asgjë tjetër. Një miliard euro që do të duhet të shlyhen nga kush e di sa breza të ardhshëm. Pikërisht për këtë lloj bashkëpunimi po flasim. Për këtë shembje graduale, si efekt domino, të sistemit po flasim“, deklaroi kreu i LSDM-së.
Filipçe i dërgoi një mesazh të drejtpërdrejtë kryeministrit Hristijan Mickoski, duke e akuzuar se po zbaton një model serb për përçarjen e opozitës, përmes formimit dhe mbështetjes së subjekteve më të vogla politike, si ZNAM dhe E Majta, por edhe përmes përpjekjeve për krijimin e fraksioneve të reja.
„Po ia them publikisht, qartë dhe me zë të lartë: përçarja nuk do të ketë sukses. LSDM-ja është e vetmja forcë opozitare e besueshme dhe e pakontrolluar në vend. E vetmja aleancë që po ndërtojmë është ajo me qytetarët, për një Maqedoni të zhvilluar dhe evropiane“, theksoi Filipçe.
Në fund, lideri i LSDM-së premtoi se, pas ardhjes së partisë së tij në pushtet, do të kërkohet përgjegjësi e plotë nga të gjithë ata që kanë keqpërdorur fondet publike, pavarësisht përkatësisë së tyre politike.
„Jo vetëm që do të ketë përgjegjësi, por do t’i kthejnë edhe paratë. Të gjithë ata që kanë vjedhur nga buxheti dhe kanë cenuar të ardhmen e fëmijëve, familjeve dhe qytetarëve duhet ta dinë se do t’i kthejnë paratë deri në denarin e fundit. Askush nuk do të na ndryshojë mendjen dhe askush nuk do të na detyrojë të dorëzohemi“, përfundoi Filipçe.




