
Osman Demiri
1941–2021 | Studioja fotografike “Mis”, 1961–1997
Ka njerëz që kalojnë një pjesë të madhe të jetës duke ruajtur fytyrat, çastet dhe kujtimet e të tjerëve. Përmes objektivit të tyre, jeta e përditshme bëhet kujtesë, ndërsa çastet që përndryshe do të zhdukeshin, fitojnë mundësinë të jetojnë më gjatë se vetë koha në të cilën u krijuan.
I tillë ishte Xhevat Fejzulla, fotografi nga Manastiri, veprimtaria e të cilit lidhet me historinë e fotografisë dhe me kujtesën vizuale të qytetit gjatë gjysmës së dytë të shekullit XX.
I lindur më 3 nëntor 1941 dhe i ndarë nga jeta më 16 shkurt 2021, Xhevat Fejzulla ia kushtoi një pjesë të rëndësishme të jetës profesionit të fotografit. Studioja e tij “Mis”, funksionoi nga viti 1961 deri në vitin 1997, duke u bërë pjesë e jetës qytetare të Manastirit.
Nga zanati te studioja e tij
Rrugëtimi profesional i Xhevat Fejzullait nisi me përgatitjen e zanatit te fotografisë në Beograd dhe Zagreb. Prej këtyre qyteteve ai siguroi edhe pajisjet fotografike dhe ato të studios. Në Manastir punoi si çirak në studion “Iskustvo”, të fotografit Blagoj Stojçevski. Provimin e mjeshtërisë, si fotograf e dha në Ohër.
Këto etapa dëshmojnë një rrugëtim të ndërtuar mbi mësimin, përvojën dhe përvetësimin e një profesioni që kërkonte jo vetëm njohuri teknike, por edhe durim, saktësi dhe ndjeshmëri ndaj njeriut dhe imazhit.
Në vitin 1961, Fejzulla nisi veprimtarinë me studion e tij fotografike “Mis”. Gjatë viteve, studioja e ndërroi lokacionin tri herë, por gjithmonë në zonën qendrore të qytetit. Vendndodhja e fundit ishte në zonën e njohur si “Tregu i Drurit”, ku dhe e kishte shtëpinë. Për më shumë se tri dekada, fotografia u bë profesioni i tij, ndërsa studioja një pjesë e historisë së përditshme të Manastirit.


Portrete, familje dhe kujtime
Veprimtaria e studios “Mis” përfshinte fotografi portreti, tablo fotografike të maturantëve të gjimnazit, montazh fotografik dhe riprodhimin e fotografive të vjetra, kurse ne kohën e lire, ai adhuronte te fotografonte peizazhe, panoramat e Manastirit dhe pamjet e objekteve të rëndësishme kulturore të qytetit.
Një pjesë e madhe e fotografive të tij u realizua në teknikën bardhezi, një gjuhë pamore që kërkon vëmendje ndaj dritës, kontrastit, formës dhe shprehjes.
Në fotografinë e portretit, njeriu nuk është vetëm një figurë për t’u regjistruar në letër, thoshte ai, por është një prani që duhet të ruhet, një shprehje që mund të ndryshojë dhe një çast që nuk përsëritet më në të njëjtën mënyrë. Fotografitë familjare, portretet individuale dhe tablotë e maturantëve kanë një vlerë që shkon përtej funksionit të tyre fillestar, me kalimin e viteve, ato bëhen dëshmi të brezave, të marrëdhënieve njerëzore dhe të jetës shoqërore, kështu që, puna e fotografit merr një kuptim të dyfishtë. Në kohën kur realizohet, fotografia u shërben nevojave të njeriut, kurse me kalimin e kohës, ajo mund të shndërrohet në dokument historik.
Fotografi e qytetit, kujtesë e kohës
Manastiri, si Qyteti i Konzujve, me historinë, arkitekturën dhe përbërjen e tij kulturore, ishte gjithashtu pjesë e veprimtarisë fotografike të Xhevat Fejzullait. Peizazhet, panoramat dhe riprodhimet e fotografive të vjetra ruanin pamje të qytetit dhe të objekteve të tij kulturore.
Një fotografi e vjetër e një rruge, e një ndërtese apo e një hapësire publike mund të na tregojë shumë më tepër sesa duket në shikim të parë. Ajo ruan gjurmë të një realiteti të caktuar, mënyrën si ndërtohej qyteti, si organizohej hapësira, si ndërthureshin objektet dhe si zhvillohej jeta e përditshme. Në këtë kuptim, fotografitë e Manastirit të lidhura me veprimtarinë e studios “Mis” mund të shërbejnë si burime të rëndësishme për studimin e historisë lokale dhe të ndryshimeve urbane. Vlera e tyre rritet me kalimin e kohës, sepse çdo brez i ri mund t’i lexojë ato nga një këndvështrim tjetër.

Një trashëgimi me rëndësi kulturore
Sipas historikut të publikuar nga Arkivi Shtetëror – Departamenti i Manastirit, Xhevat Fejzulla ishte fotografi i vetëm shqiptar në qytet. Ky fakt i jep veprimtarisë së tij një rëndësi të veçantë në kontekstin kulturor dhe multietnik të Manastirit.
Megjithatë, rëndësia e trashëgimisë së tij nuk qëndron vetëm te përkatësia e tij kombtare, por edhe te kontributi profesional dhe dokumentues që lidhet me punën e tij. Historia e një qyteti ndërtohet nga shumë përvoja, profesione dhe kujtime, e sidomos fotografitë kanë mundësinë t’i ruajnë disa prej tyre përtej kufijve të kohës dhe të brezave.

Nga kujtesa familjare te trashëgimia publike
Një rol i rëndësishëm për ruajtjen e kësaj trashëgimie janë djali i tij Xhelal Fejzulla me bashkëshorten Syzanën, të cilët edhpse jetojne në Shtetet e Bashkuara te Amerikes, me përkushtim të madh ruajnë arkivin dhe paisjet e mjeshtrit Xhevat Fejzulla. Një pjesë të këtyre materialeve ua kanë dhuruar Arkivit Shtetëror të qytetit të Manastirit, me qëllimi që materialet të ruhen në Arkiv si pjesë e trashëgimisë së rëndësishme për historinë bashkëkohore të qytetit, kulturës fotografike, esnafit te fotografëve dhe jetës së zejtarëve të Manastirit.
Trashëgimia e një fotografi nuk matet vetëm me numrin e fotografive që ka realizuar, por edhe me atë që ato mund t’u tregojnë brezave të mëvonshëm. Në imazhet e ruajtura mund të gjenden gjurmë të njerëzve që nuk janë më, të hapësirave që kanë ndryshuar dhe të një bote që vazhdon të jetojë në fotografi.

Xhevat Fejzulla i përkiste asaj tradite fotografësh që, përmes një profesioni të ushtruar me përkushtim, krijuan pa e pasur domosdoshmërisht këtë synim një arkiv të jetës së përditshme. Vlera e punës së tyre shpesh bëhet më e dukshme me kalimin e kohës, kur fotografitë pushojnë së qeni vetëm kujtime personale dhe fillojnë të flasin për historinë e përbashkët.
Sepse fotografia nuk e kthen kohën pas. Ajo bën diçka tjetër: ruan një gjurmë të saj. Dhe për sa kohë që këto gjurmë ruhen, studioja “Mis” dhe emri i Xhevat Fejzullës do të vazhdojnë të jenë pjesë e kujtesës fotografike të Manastirit.





