Këshilltari i nismës qytetare Më Mirë për Tetovën (MMPT) në Këshillin Komunal të Komunës së Tetovës, Agron Arifi, në Koha Cast ka kritikuar ashpër dy subjektet kryesore politike shqiptare, VLEN-in dhe Bashkimin Demokratik për Integrim (BDI), duke vlerësuar se skena politike shqiptare ka nevojë për figura të reja. Arifi ka hedhur gjithashtu akuza ndaj udhëheqjes së Komunës së Tetovës për mënyrën e menaxhimit të pronës publike dhe funksionimin e Këshillit Komunal, përcjell Nistori.
Duke folur për zhvillimet politike në nivel nacional, Arifi ka deklaruar se VLEN-i nuk përfaqëson ndryshimin e premtuar, ndërsa përfaqësuesit e tij i ka cilësuar si figura që vijnë nga e njëjta skenë politike me BDI-në.
“Këta të VLEN-it, tash momentalisht, nuk janë ndryshimi, janë lojtarët rezervë të BDI-së. Ne nuk e shohim se këta mund ta kenë kapacitetin për t’i artikuluar si duhet kërkesat e shqiptarëve në nivel nacional. Edhe atë e shohim me këtë qeverisjen dyvjeçare, se në çfarë niveli janë”, ka deklaruar Arifi.
Sipas tij, pas një periudhe të gjatë të dominimit të figurave të njëjta politike, ka ardhur koha për një gjeneratë të re përfaqësuesish në skenën politike shqiptare.
“Mendoj se ka ardhur koha për lojtarë të rinj në skenën politike. Po si do të ndodhë ajo, i mbetet kohës që ta shohë. Këta janë të njëjtit brumë. Si te pjesa e BDI-së, si te pjesa e VLEN-it, të njëjtët lojtarë janë. Njëzet e pesë vite”, është shprehur ai.
Arifi – Këshilli Komunal i Tetovës është shndërruar në makineri votimi
Në pjesën tjetër të intervistës, Arifi ka drejtuar kritika ndaj funksionimit të Këshillit të Komunës së Tetovës, duke pretenduar se ky organ nuk po e ushtron siç duhet rolin e tij përfaqësues dhe mbikëqyrës, por po shërben kryesisht për miratimin e propozimeve të kryetarit të komunës.
“Brenda këtij një viti, sa është kjo përbërje e Këshillit të Komunës së Tetovës, është vërtetuar se Këshilli Komunal shfrytëzohet si makineri votimi. Makineri votimi ndaj kërkesave që i ka kryetari i komunës”, ka deklaruar këshilltari i MMPT-së.
I pyetur se kur mund të mbahet seanca në të cilën pritet të shqyrtohet propozimi i diskutuar, Arifi ka thënë se këshilltarët nuk kanë marrë informacione konkrete për kohën e mbajtjes së saj.
Ai ka shtuar se, sipas deklarimeve gjatë koordinimeve, kryesuesi i Këshillit ka përmendur mundësinë e thirrjes së seancës edhe në orët e hershme të mëngjesit.
“Sipas deklarimeve në koordinim, kryesuesi i Këshillit thotë se mund ta thërrasë edhe në katër të mëngjesit”, ka thënë Arifi.
Në pyetjen nëse ekziston mundësi ligjore për një veprim të tillë, ai nuk e ka përjashtuar këtë mundësi, por ka vënë në dyshim korrektësinë e udhëheqësisë së Kasamit ndaj këshilltarëve dhe tetovarëve.
“Mundësi ligjore ndoshta mund të ketë, mirëpo a është korrekte? Fillimisht edhe ndaj neve si këshilltarë, po edhe ndaj qytetarëve të Tetovës, të cilëve ata ua kanë kërkuar votën, kurse sot ata çfarë bëjnë? Shesin pronën publike të tyre”, ka deklaruar ai.
Akuza për shitjen e pronës publike dhe keqpërdorimin e buxhetit
Arifi ka ashpërsuar më tej qëndrimin ndaj udhëheqjes komunale, duke pretenduar se vendimet që lidhen me pronën publike po dëmtojnë interesin e qytetarëve të Tetovës.
Sipas tij, është koha që praktika të tilla të ndërpriten, ndërsa ka hedhur akuza të drejtpërdrejta edhe për keqpërdorimin e mjeteve buxhetore.
“Mendoj se tash është momenti i fundit për t’i thënë STOP kësaj udhëheqësie komunale, e cila prej fillimit e ka pasur këtë tendencë. Kjo është e papranueshme, pasi që ne me matematikë e nxjerrim se këtu jo vetëm që shitet, po edhe vidhet buxheti i Komunës së Tetovës”, ka deklaruar Arifi.
Ai ka kërkuar ndërprerjen e mënyrës aktuale të qeverisjes komunale, të cilën e ka cilësuar të papranueshme.
“Kjo duhet të ndalet, kjo çmenduri totale e udhëheqësisë komunale”, ka përfunduar Arifi.
Deklaratat e këshilltarit të MMPT-së vijnë në kuadër të debatit për menaxhimin e pronës publike, konkretisht pronën publike te zjarrfikësit dhe vendimmarrjen në Këshillin e Komunës së Tetovës. /Nistori/





