Me rënien e Vuçiqit, fundoset edhe “Ballkani i Hapur”

    Humbja e Aleksandar Vuçiqit ka rikthyer në vëmendje “Ballkanin e Hapur” i cili u themelua në tetor të vitit 2019-të. Ndonëse aktualisht nuk është aktive, disa projekte që dolën nga kjo iniciativë vazhdojnë të zbatohen.

    Vuçiq ishte ndër liderët kryesorë të kësaj ideje, ndërsa fuqishëm mbështetej nga kryeministri shqiptar Edi Rama, por edhe Ali Ahmeti, pavarësisht qëndrimit kundërshtues të Kosovës, e cila e cilësonte si iniciativë që fuqizon Serbinë.

    Ndonëse nisma vlerësohej të ishte ekonomike, në prapavijë e njëjta përjetohej si politike. Aq më shumë kur vetë Rama e Ahmeti i kishin dhënë vetes mision për të pajtuar popujt e Ballkanit edhe pse Serbia vazhdon të mohojë krimet e luftës gjatë periudhës së ish Jugosllavisë.

    “Kush do të dijë se çfarë është Ballkani i Hapur dhe ku duam të shkojmë ne ka shumë mënyra për ta mësuar dhe një nga mënyrat është që të shikojë rrugëtimin e Ali Ahmetit. Është sot më mirë Maqedonia e Veriut në çdo pikëpamje falë kësaj bashkëjetese apo është më keq? Ja ky është Ballkani i Hapur”, deklaroi Edi Rama në qershor të vitit 2022.

    “Unë e kam kuptuar Ballkanin e Hapur dhe për këtë edhe e mbështes që të arrihet pajtimi midis popujve të Ballkanit Perëndimor, pa involvuar tani edhe situata të tjera, qofshin ata në Lindje të Afërt, të Largët apo edhe në Ukrainë”, deklaroi Ali Ahmeti në qershor të vitit 2022.

    Megjithatë, pala kosovare në vazhdimësi kishte rezistuar të futet në këtë iniciativë meqenëse sipas tyre, Vuçiqi po tenton të zgjerojë hegjemoninë serbe.

    “Ballkani jo që nuk është tri shtete, nuk është as gjashtë shtete. Ballkani është së paku 12 shtete e Ballkani Perëndimor me këto 6 shtete e ka procesin e Berlinit. Iniciativat rajonale ne nuk besojmë që duhet të bëhen pa BE-në brenda”, deklaroi Albin Kurti në shtator të vitit 2021.

    “Për ne, Ballkani i Hapur është një hapësirë për ekspansion të hegjemonisë serbe. Në këtë moment, Serbia që po tenton ta luajë rolin kryesor në këtë iniciativë, nuk ka qëllime të mira në raport me rajonin tonë”, deklaroi Vjosa Osmani në nëntor të vitit 2021.

    Qasjen e këtillë e kanë mbajtur edhe VLEN-i, parti e afërt me Kurtin. Izet Mexhiti thotë se pas humbjes së Vuçiqit fundoset “Ballkani i Hapur”

    “Fundi i dominimit të Vuçiqit mund të shënojë edhe fundin e projektit të tij për dominim rajonal përmes “Open Balkan”. Përtej premtimeve për bashkëpunim ekonomik, kjo iniciativë u perceptua nga shumëkush si një projekt që rrezikonte të forconte peshën politike dhe ekonomike të Serbisë në rajon”, shkruan Izet Mexhiti.

    Që nga themelimi “Ballkanit të Hapur” janë mbajtur 11 samite në Serbi, Maqedoni dhe Shqipëri. Krahas marrëveshjeve për çështje ekonomike, nga debatet dhe fjalimet, janë prodhuar dhe tema me karakter politik. /Alsat/

    Lajmi Paraprak

    Arifi i MMPT-së: VLEN nuk është ndryshimi, por lojtarët rezervë të BDI-së

    Lajme tjera

    Bashkohu

    Informohu në kohë