Arkini Jahiji i AKI-së: vizioni për Bërvenicën mbetet i njëjtë, rruga jonë vazhdon së bashku

    Arkini Jahiji / Fotografia: Nistori

    Në prag të raundit të dytë të zgjedhjeve të parakohshme lokale në Komunën e Bërvenicës, që do të mbahet më 1 nëntor, kandidati i AKI-së, Arkin Jahiji, ka bërë thirrje për bashkimin e banorëve, pavarësisht përkatësive politike, me synimin për të mbështetur ndryshimin dhe për të vendosur interesin e përbashkët mbi dallimet partiake, shkruan Nistori.

    Në mesazhin drejtuar bashkëvendasve theksohet se gara politike ndërmjet Aleancës Kombëtare për Integrim (AKI) dhe koalicionit VLEN ka përfunduar më 18 tetor, ndërsa tani, sipas tij, prioritet duhet të jetë uniteti dhe mobilizimi i qytetarëve për balotazhin e 1 nëntorit.

    “Gara mes AKI-së dhe VLEN-it ka përfunduar më 18 tetor. Tani jemi të gjithë bashkë dhe kemi tjetër mision! Unë gjithmonë kam dëshmuar dhe kam qenë promotor i unifikimit sa herë që ka qenë nevoja. Ngjyrat partiake kurrë nuk kanë pasur rëndësi në Bërvenicë dhe këtë e dini të gjithë ju, bashkëvendasit e mi”, shkruan Jahiji në Facebook.

    Në vazhdim, qytetarëve u bëhet thirrje për pjesëmarrje masive në votime, duke e cilësuar raundin e dytë si një mundësi për ndryshim dhe dinjitet.

    “Andaj, më 1 nëntor, dilni të gjithë, thirrni të gjithë dhe të mos mbetet askush prapa. Të votojmë për ndryshim, të votojmë për dinjitet. Bashkë për Bërvenicën, sepse bashkë jemi më të fortë!”, thekson Jahiji më tej.

    Sipas tij, vizioni për Bërvenicën mbetet i pandryshuar dhe mbështetet në bashkimin e energjive dhe përkushtimin e qytetarëve për të krijuar kushte më të mira për familjet dhe brezat e ardhshëm.

    “Sot, më shumë se kurrë, kemi nevojë për unitet, solidaritet dhe përgjegjësi të përbashkët. E ardhmja e Bërvenicës nuk ndërtohet vetëm nga një person apo një grup, por nga të gjithë ne, me besim, respekt dhe punë të përbashkët”, shkruan Jahiji.

    Në fund, theksohet se dallimet politike nuk duhet të shndërrohen në pengesë për bashkëpunimin, por në një mundësi për të ndërtuar një të ardhme më të mirë për komunën.

    “Bërvenica është e të gjithëve. E ardhmja është përgjegjësia jonë e përbashkët!”, përfundon mesazhi.

    Raundi i dytë i zgjedhjeve në Bërvenicë më 1 nëntor pritet të jetë vendimtar për përcaktimin e drejtimit të ardhshëm të komunës, ndërsa thirrjet për bashkim vijnë pas përfundimit të garës së raundit të parë dhe në prag të përballjes përfundimtare elektorale. /Nistori/

    Lajmi Paraprak

    Cilët udhëheqës largohen dhe cilët kapen pas pushtetit?

    Lajme tjera

    Bashkohu

    Informohu në kohë