MMPT: Bërvenica nën hijen e Mickoskit, shqiptarët të mos i përsërisin gabimet e vitit 2025

    Nisma “Më Mirë për Tetovën” (MMPT) ka reaguar lidhur me fushatën zgjedhore në Komunën e Bërvenicës, duke akuzuar partitë politike dhe bizneset shqiptare për servilizëm ndaj pushtetit qendror dhe për vendosjen e interesave partiake e biznesore mbi interesat e qytetarëve, përcjell Nistori.

    Sipas MMPT-së, kjo qasje ka ndikuar në dobësimin e peshës politike të votës shqiptare në Bërvenicë, ndërsa fushata zgjedhore, siç vlerëson kjo nismë, po zhvillohet nën ndikimin e drejtpërdrejtë të pushtetit qendror.

    “Në këtë fushatë, qytetarët e Bërvenicës e kanë parë më shpesh kryeministrin sesa kandidatin e partisë së tij. Në vend që kandidati të dalë vetë para qytetarëve dhe të përballet me kërkesat e tyre, fushata zhvillohet nën hijen e kryeministrit”, thuhet në reagimin e MMPT-së.

    Nga kjo nismë kritikojnë edhe deklaratat sipas të cilave qytetarët do të përfitojnë më shumë nëse votojnë kandidatin e partisë që drejton pushtetin qendror. Sipas tyre, një qasje e tillë krijon përshtypjen se zhvillimi i komunave kushtëzohet nga përkatësia politike e kryetarëve të tyre.

    “Deklaratat se qytetarët do ta kenë më mirë nëse votojnë kandidatin e partisë në pushtet tregojnë një mentalitet të mbrapshtë partiak: komunat dhe qytetarët diskriminohen nëse zgjedhin kryetar nga një parti tjetër”, thekson MMPT-ja.

    Në reagim ngrihet edhe shqetësimi për cenimin e parimit të decentralizimit, i cili përbën një nga shtyllat kryesore të Marrëveshjes Kornizë të Ohrit. Sipas nismës, pushteti lokal duhet të gëzojë autonomi në vendimmarrje dhe të mos varet nga përkatësia partiake e pushtetit qendror.

    Duke iu referuar zhvillimeve politike të vitit 2025, MMPT-ja bën thirrje që gabimet e së kaluarës të mos përsëriten, ndërsa u kërkon qytetarëve të Bërvenicës të marrin pjesë masivisht në zgjedhje.

    Në fund, nisma thekson se kandidatët duhet të vlerësohen mbi bazën e përgatitjes profesionale, kapacitetit intelektual dhe integritetit personal, e jo sipas përkatësisë partiake apo mbështetjes që gëzojnë nga pushteti qendror. /Nistori/

    Lajmi Paraprak

    Shqipëri, gjuha e ashpër e përbashkëta e rivalëve politikë

    Lajme tjera

    Bashkohu

    Informohu në kohë