Nëntori i historisë dhe i kujtesës kombëtare

    Selam Sulejmani

    Kryeministri i parë i shtetit shqiptar, Ismail Qemali, pas shpalljes së Pavarësisë së Shqipërisë më 28 nëntor 1912, për ministër të Luftës, përkatësisht ministër të Mbrojtjes, e emëroi Mehmet pashë Derallën nga fshati Gradec i Pollogut. Ky emërim historik përbën një dëshmi të qartë se shteti shqiptar, që në ditët e para të ekzistencës së tij, e kishte kuptuar rëndësinë e përfshirjes së personaliteteve nga të gjitha trevat shqiptare, në ndërtimin e institucioneve shtetërore.

    Shteti amë – Shqipëria, në nëntor të këtij viti shënon 114-vjetorin e mëvetësisë së saj. Njëqind e katërmbëdhjetë vjet histori, sakrifica, përpjekje, sfida dhe arritje të cilat dëshmojnë për rrugëtimin e një kombi që, pavarësisht rrethanave të vështira historike, nuk hoqi dorë nga aspirata për liri, dinjitet dhe zhvillim.

    Në rrugëtimin e saj historik, Shqipëria ka njohur ngritje dhe rënie në të gjitha fushat e veprimtarisë shtetërore. Megjithatë, vullneti për të mbijetuar, për të ndërtuar institucione dhe për ta afirmuar identitetin kombëtar ka qenë një nga shtyllat kryesore të zhvillimit të saj.

    Faktorizimi i kombit shqiptar në Ballkanin Perëndimor, ka kaluar dhe vazhdon të kalojë përmes faktorizimit të Shqipërisë në arenën ndërkombëtare. Sot Shqipëria, në vështrimin rajonal dhe botëror, shihet si një shtet që luan rol të rëndësishëm në zhvillimet e përgjithshme gjeopolitike dhe gjeostrategjike.

    Me Shqipërinë anëtare të NATO-s, me perspektivën e saj evropiane dhe me pjesëmarrjen e rregullt në misionet ndërkombëtare, krah për krah me miqtë tanë amerikanë dhe evropianë, krenohen dhe mburren të gjithë shqiptarët, kudo që jetojnë dhe veprojnë.

    Këto arritje dhe suksese të shtetit shqiptar, paraqesin burim krenarie për gjithë kombin shqiptar. Ato dëshmojnë se, kur kombi ka institucione të qëndrueshme, orientim të qartë strategjik dhe mbështetje ndërkombëtare, mund të ndërtojë një të ardhme më të sigurt dhe më të begatë.

    Mirëpo, përtej krenarisë për arritjet tona, duhet t’ia shtrojmë vetvetes dhe njëri-tjetrit një pyetje thelbësore: sa bashkëpunojnë shqiptarët në lëmin e politikës, të ekonomisë, të arsimit, të kulturës, të sportit dhe të zhvillimit të përgjithshëm kombëtar? Kjo pyetje nuk është vetëm një reflektim i momentit, por një kërkesë e domosdoshme për të ardhmen.

    Nëntori shqiptar nuk është vetëm një muaj festash, ceremonish dhe përkujtimesh historike. Ai është  muaj që na rikthen te rrënjët, te sakrificat e paraardhësve tanë dhe te përgjegjësia që kemi për të ardhmen e brezave.

    Dita e Alfabetit dhe Dita e Flamurit janë dy nga ngjarjet më të rëndësishme të historisë sonë kombëtare. Njëra dëshmon përpjekjen e shqiptarëve për të unifikuar gjuhën e shkruar dhe për të ndërtuar një identitet kulturor të përbashkët, ndërsa tjetra simbolizon kurorëzimin e aspiratës shekullore për liri dhe pavarësi.

    Megjithatë, debati politik aktual që zhvillohet në Shqipëri, përkatësisht në trojet shqiptare, lë për të dëshiruar dhe hap dilema të caktuara, ku bien në sy marrëdhëniet e çrregulluara ndërmjet politikanëve, partive dhe grupeve të ndryshme politike.

    Mospajtimet ndërmjet aktorëve politikë të cilat në një shoqëri demokratike janë të natyrshme, nuk duhet të shndërrohen në pengesë për bashkëpunimin institucional dhe për realizimin e interesave kombëtare të përbashkëta.

    Demokracia kërkon debat, pluralizëm dhe konkurrencë politike, por ajo kërkon gjithashtu përgjegjësi, maturi dhe respekt ndaj interesit publik.

    Mosmarrëveshjet politike, kur nuk shoqërohen me dialog dhe mirëkuptim, ndikojnë edhe në lëmenjtë e tjerë të jetës shoqërore, si në arsim, kulturë, sport, shkencë dhe zhvillim ekonomik.

    Prandaj, krijimi i një AGJENDE KOMBËTARE është imperativ i kohës, aq më tepër kur dihet mirëfilli se pjesa dërmuese e shqiptarëve pret një angazhim të tillë nga përfaqësuesit e vet.

    Një agjendë e tillë nuk duhet të jetë dokument formal, as një deklaratë e përkohshme politike. Ajo duhet të jetë platformë bashkëpunimi që i përcakton prioritetet e përbashkëta, objektivat strategjikë dhe mekanizmat institucionalë për zhvillimin e kombit shqiptar.

    Çështja shqiptare në tërësinë e saj, ka ecur përpara dhe si e tillë është e pakthyeshme. Për këtë arsye, përgjegjësia e institucioneve dhe e përfaqësuesve politikë është që këtë zhvillim ta shndërrojnë në një proces të qëndrueshëm, të bashkërenduar dhe të orientuar drejt së ardhmes.

    Historikisht, në ruajtjen dhe në zhvillimin e një kombi, rolin kryesor e ka luajtur arsimi.

    Sidomos elitat akademike nga mbarë trevat etnike shqiptare e kanë kryer detyrën ndaj kombit gjatë periudhës së Rilindjes Kombëtare, në kohën e Pavarësisë dhe në periudhat e mëvonshme.

    Arsimi shqip nuk ishte vetëm një proces i transmetimit të dijes, por edhe një mision për ruajtjen e gjuhës, të identitetit dhe të vetëdijes kombëtare.

    Në periudhat më të vështira historike, shkolla shqipe u bë simbol i qëndresës dhe i përpjekjes për të mbrojtur të drejtën e shqiptarëve për të mësuar në gjuhën e tyre amtare.

    E kaluara jonë dëshmon se, pavarësisht rrethanave të vështira të kohës, reprezaljeve, trysnive çnjerëzore nga pushtuesit dhe sunduesit, si dhe përpjekjeve për ta penguar zhvillimin e identitetit shqiptar, personalitetet e ndritura të kombit kanë ditur të veprojnë me mençuri dhe vizion për të ardhmen e brezave.

    Në këtë kontekst, duhet të përkujtojmë:

    – Vendimin e ministrit të Arsimit të shtetit shqiptar, Ernest Koliqi, për dërgimin e mësuesve shqiptarë në Kosovë dhe në trevat e tjera shqiptare, me qëllim të përhapjes së arsimit në gjuhën amtare dhe të forcimit të lidhjeve kulturore ndërmjet shqiptarëve;

    – Themelimin e Universitetit të Tetovës në vitin 1994, si një ngjarje me rëndësi të veçantë për zhvillimin e arsimit të lartë në gjuhën shqipe dhe për afirmimin e të drejtave arsimore të shqiptarëve në Maqedoninë e atëhershme;

    – Luftërat çlirimtare të shqiptarëve, përfshirë luftën e Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës në vitin 1999, luftën e Ushtrisë Çlirimtare të Preshevës, Medvegjës dhe Bujanocit në vitet 2000–2001, si dhe luftën e Ushtrisë Çlirimtare Kombëtare të vitit 2001 në Maqedoni, të cilat shënojnë periudha të rëndësishme në historinë politike dhe shoqërore të shqiptarëve;

    – Mobilizimin mbarëkombëtar në 100-vjetorin e Pavarësisë së Shqipërisë, kur shqiptarët nga të gjitha trevat dhe nga diaspora u bashkuan për të nderuar historinë, për të afirmuar identitetin dhe për të përcjellë mesazhin e unitetit kombëtar.

    Këto ngjarje, pavarësisht dallimeve historike dhe rrethanave në të cilat kanë ndodhur, dëshmojnë për rëndësinë e bashkëpunimit, të arsimit, të kulturës dhe të përpjekjeve për të mbrojtur të drejtat dhe dinjitetin e shqiptarëve.

    Fryma e bashkëpunimit vëllazëror ka rrënjë të hershme, pavarësisht ndërprerjeve dhe pengesave në periudha të ndryshme historike. E njëjta frymë kultivohet edhe sot, ndonëse jo gjithmonë në forma të duhura institucionale.

    Sot, komunikimin dhe bashkëpunimin zyrtar institucional e respektojnë në mënyrë të veçantë institucionet e shkencës dhe të arsimit të lartë, sidomos universitetet publike shqiptare.

    Universiteti i Tiranës, Universiteti i Prishtinës, Universiteti i Tetovës dhe universitetet e tjera shqiptare kanë kontribuar në zhvillimin e arsimit, të gjuhës, të shkencës, të letërsisë, të etnokulturës dhe të historisë shqiptare.

    Pavarësisht zhvillimeve të ndryshme në periudha të caktuara, këto institucione kanë arritur rezultate të rëndësishme dhe kanë krijuar hapësira të reja për bashkëpunim akademik.

    Universitetet tona organizojnë konferenca, sesione shkencore, seminare dhe veprimtari të shumta që synojnë avancimin e dijes dhe shkëmbimin e përvojave ndërmjet studiuesve.

    Si një ndër veprimtaritë më të rëndësishme mund të veçojmë Seminarin Ndërkombëtar të Albanologjisë të organizuar nga Universiteti i Tetovës, i cili ndër vite përcjell mesazhe bashkëpunimi, respekti dhe përkushtimi për të gjithë ata që e vlerësojnë arsimin, shkencën dhe kulturën shqiptare.

    Praktikat e tilla dhe kjo histori suksesi duhet të merren si model edhe nga institucionet e tjera shqiptare. Nëse universitetet arrijnë të bashkëpunojnë nëpërmjet projekteve shkencore, konferencave dhe programeve akademike, atëherë edhe institucionet politike, ekonomike dhe kulturore duhet të gjejnë mënyra të ngjashme për ta bashkërenduar veprimtarinë e tyre.

    Shoqëritë demokratike dhe institucionet e tyre, zhvillimin kombëtar dhe të ardhmen e gjeneratave të reja e mbështesin te udhëheqësit e përgjegjshëm, te inteligjencia, te shkenca dhe te arsimi.

    Një komb që investon në dije, në kulturë dhe në bashkëpunimin institucional, ndërton themele më të forta për zhvillimin e tij.

    Ne tashmë kemi hyrë në NËNTORIN TONË dhe shqiptarët gjithandej i kanë filluar përgatitjet për shënimin e Ditës së Alfabetit dhe të Ditës së Flamurit.

    Sigurisht se duhet përshëndetur institucionet, organizatat dhe shoqatat që do t’i shënojnë festat e nëntorit.

    Mirëpo, do të ishte më kombëtare, më madhështore dhe më domethënëse që këto data historike ta tubonin PARINË E KOMBIT, ashtu si dikur, kur kuvendonin personalitetet e shquara të historisë shqiptare.

    Në ato kuvende, mendimi për kombin dhe për të ardhmen e tij ishte më i rëndësishëm se interesat e individëve dhe të grupeve.

    Mit’hat Frashëri, Gjergj Fishta, Luigj Gurakuqi, Gjergj Qiriazi, Nikollë Kaçorri, Shahin Kolonja, Fehim Zavalani, Mati Logoreci, Ndre Mjeda dhe shumë të tjerë, janë dëshmi e një historie të përkushtimit ndaj çështjes kombëtare.

    Ata sakrifikuan veten, kohën, mundin dhe pasurinë e tyre për unifikimin e kauzës kombëtare dhe për krijimin e një të ardhmeje më të mirë për shqiptarët.

    Sot kur kemi institucione shtetërore, universitete, organizata kulturore, shoqata dhe një diasporë të fuqishme, detyra jonë është që këtë trashëgimi ta shndërrojmë në bashkëpunim të organizuar dhe në projekte konkrete.

    Një AGJENDË KOMBËTARE mund të përfshijë:

    – Krijimin e mekanizmave të rregullt të komunikimit ndërmjet institucioneve të Shqipërisë, të Kosovës dhe shqiptarëve në Maqedoninë e Veriut, në Mal të Zi, në Luginën e Preshevës dhe në diasporë;

    – Zhvillimin e programeve të përbashkëta akademike, shkëmbimin e studentëve dhe të profesorëve, si dhe mbështetjen e projekteve shkencore për gjuhën, historinë dhe kulturën shqiptare;

    – Organizimin e veprimtarive të përbashkëta kulturore, të festivaleve, të ekspozitave, të konferencave dhe të projekteve që e promovojnë identitetin shqiptar dhe trashëgiminë e tij;

    – Nxitjen e bashkëpunimit ndërmjet bizneseve shqiptare, krijimin e rrjeteve të investimeve dhe zhvillimin e projekteve ekonomike që kontribuojnë në mirëqenien e qytetarëve;

    – Mbështetjen e veprimtarive rinore, të sportit, të inovacionit dhe të shkëmbimit të përvojave ndërmjet të rinjve shqiptarë nga të gjitha trevat;

    – Përfshirjen më të organizuar të diasporës në zhvillimin ekonomik, arsimor, kulturor dhe institucional të hapësirave shqiptare;

    – Krijimin e një kulture politike ku mospajtimet nuk e pengojnë bashkëpunimin për çështjet me interes kombëtar të përbashkët.

    Kjo agjendë nuk synon t’i zëvendësojë institucionet ekzistuese, por t’i bëjë ato më të koordinuara, më efikase dhe më të përgjegjshme ndaj interesave të qytetarëve.

    Nëntori na kujton se historia nuk është vetëm një përmbledhje ngjarjesh të së kaluarës. Ajo është një përgjegjësi që bartet nga një brez te tjetri. Dita e Alfabetit na kujton se gjuha është themeli i identitetit tonë. Dita e Flamurit na kujton se liria dhe pavarësia janë rezultat i përpjekjeve të shumë brezave, ndërkaq, kujtimi i personaliteteve të Rilindjes Kombëtare na rikthen te ideja se kombi nuk ndërtohet vetëm me fjalë, por me veprime, sakrifica dhe vizion.

    Prandaj, Nëntori duhet të jetë edhe muaj i reflektimit mbi atë që kemi arritur, mbi atë që na mungon dhe mbi atë që duhet të bëjmë së bashku.

    Nuk mjafton ta nderojmë të kaluarën, nëse nuk jemi të gatshëm ta ndërtojmë të ardhmen.

    Nuk mjafton të flasim për unitetin, nëse nuk krijojmë mekanizma konkretë të bashkëpunimit.

    Nuk mjafton ta festojmë historinë, nëse nuk e shndërrojmë atë në frymëzim për zhvillimin e shoqërisë.

    E kaluara jonë historike dhe orientimi drejt së ardhmes na detyrojnë që Qeveria e Shqipërisë, Qeveria e Kosovës dhe përfaqësuesit legjitimë të shqiptarëve në mbarë hapësirat shqiptare të ngrihen në lartësinë e duhur të përgjegjësive institucionale. Koha kërkon më shumë dialog, më shumë bashkëpunim dhe më shumë përgjegjësi. Kërkon që interesat e përbashkëta të kombit të mos mbeten peng i mospajtimeve politike, por të shndërrohen në objektiva të qartë për zhvillimin e arsimit, të ekonomisë, të kulturës, të shkencës dhe të mirëqenies së qytetarëve.

    Nëntori ynë duhet të jetë një thirrje për reflektim, por edhe për veprim. Një thirrje që të mos mbetemi vetëm te ceremonia, te fjalimi dhe te përkujtimi, por të ndërtojmë ura të qëndrueshme bashkëpunimi ndërmjet institucioneve dhe qytetarëve shqiptarë.

    Shqiptarët kanë nevojë për një agjendë që bashkon, për institucione që bashkëpunojnë dhe për udhëheqës që e kuptojnë përgjegjësinë historike ndaj kombit.

    Në këtë Nëntor të 114-vjetorit të Pavarësisë së Shqipërisë, le ta nderojmë të kaluarën duke e ndërtuar të ardhmen. Le të kujtojmë se alfabeti na bashkoi në gjuhë, flamuri na bashkoi në simbol dhe historia na bashkoi në kujtesë. Sepse Nëntori nuk është vetëm kujtim i asaj që kemi qenë, por edhe orientim për të ardhmen tonë.

    Lajmi Paraprak

    Gjermani, politika nuk i kushton vëmendjen e duhur Gjeneratës Z

    Lajme tjera

    Bashkohu

    Informohu në kohë